Rama bën ironi me Metën, Balla: Presidenti i kthyer në kryetar alternativ opozite

Rama bën ironi me Metën, Balla: Presidenti i kthyer në kryetar alternativ opozite
Debati i ashpër i orëve të fundit Rama-Meta duket se po shndërrohet në shkëmbim batutash.

Pas reagimit të fortë të Ilir Metës, që e akuzoi se po kërcënon Presidentin, Rama është përgjigjur me ironi.

“Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktoresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj është ne atë fazën kur i bën thirrje popullit për te marre armët, ngaqë s’di si te dale nga gropa qe i hap vetes! I çova provat e mëkatit ndaj Gentit dhe vuan tani,” shkruan Rama në rrjetet sociale.

Me një reagim ka dalë edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

“Presidenti nuk mendon me as për Kushtetutën, as për dinjitetin e institucionit, po për lidershipin e opozitës! Ai sot ngriti flamurin e kryetarit imagjinar te opozitës ne Presidence dhe sulmoi kryeministrin me te gjithë librin e Shqupit dhe LSI-se bashke. Fatkeqësisht ky është sot Ilir Meta, një president i votuar nga ne për te përfaqësuar edhe opozitën (me votat ne dispozicion dhe pa PD ne salle, ishte e vetmja zgjedhje për te mos e çuar vendin ne kaos institucional), tanimë i kthyer në kryetar alternativ opozite”, shkruan Balla.

Më herët, Ilir Meta kishte përdorur tone tejet të ashpra, duke paralajmëruar Ramën se nuk e shantazhonte dot.

"Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”, ishte mesazhi i Metës për Ramën. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: