Qeveria mbledhje informale në Elbasan, e presin protestues me fishekzjarre

Qeveria mbledhje informale në Elbasan, e presin protestues me fishekzjarre
Qeveria e re “Rama” e ka nisur punën e saj për këtë vit, me një mbledhje informale të zhvilluar në qytetin e Elbasanit. Aty ku siç u bë me dije, të pranishëm përveç ministrave të kabinetit, ishin edhe ish-ministrat, të cilët u bënë pjesë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar gjatë fundvitit të kaluar.

Gjithashtu, mësohet se të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, si edhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Kujtojmë sakaq, se takime të këtij formati, qeveria ka zhvilluar gjatë vitit të kaluar edhe në qarqe të tjera të vendit, të tilla si Shkodër, Dibër apo Vlorë.

Ndërkaq, prioritetet për vitin e ri 2019 mësohet të kenë qenë në fokusin e diskutimeve të qeverisë “Rama”, që u mblodh dje në qytetin e Elbasanit.

Kjo u raportua nga vetë kryeministri pas zhvillimit të saj.

“Ditë diskutimi për sfidat e vitit 2019 sektor për sektor. Në fokus, rritja e punësimit dhe sipërmarrjes vendase; përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës së shërbimeve publike; masat e reja antikorrupsion, si edhe rekrutimi në administratë i të rinjve me notat 9-10”, komentoi ai.

Nga ana tjetër, mbledhja e djeshme informale e qeverisë është pritur me protesta nga një grup i vogël qytetarësh, ku mes tyre është vënë re edhe prania e kreut të degës së Partisë Demokratike të Elbasanit, Eugen Isaj.

Teksa me thirrjet “Rama ik” dhe “Qeveri e krimit”, banorëve u është bashkuar edhe deputeti i PD-së, Luçiano Boçi.

Madje, raportohet se qytetarët kanë përdorur edhe tymuese dhe fishekzjarre gjatë protestës që zgjati disa minuta, në shenjë kundërshtimi ndaj kryeministrit dhe ministrave të tij, që kishin vendosur të mblidheshin në Elbasan.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: