Publikohet formulari A1,si duhet të plotësohet nga maturantët

Publikohet formulari A1,si duhet të plotësohet nga maturantët
Formulari A1 mund të plotësohet online në portalin Matura Shtetërore vetëm nga maturantët e vitit shkollor 2018-2019. Çka do të thotë se të gjithë nxënësit që janë duke mbaruar studimet e shkollës së mesme, duhet që të plotësojnë këtë formular, ku do të regjistrojnë provimin me zgjedhje që do të japin, krahas tre provimeve të detyruara

Sonila Isaku

Matura Shtetërore 2019 nis zyrtarisht me plotësimin e formularit A1, i cili i hap udhë garës së provimeve të detyruara dhe atij me zgjedhje. Notat kaluese të këtyre provimeve janë vendimtare për të gjithë kandidatët që duan të vijojnë më tej garën për studimet e larta në një nga universitetet publike, apo private të vendit. Ndonëse ishte parashikuar që ky formuar të botohej deri në datën 24 dhjetor 2018, Ministria e Arsimit ka mundur ta bëjë publik atë vetëm gjatë ditës së djeshme.

Si plotësohet formulari

Formulari A1 mund të plotësohet online në portalin Matura Shtetërore vetëm nga maturantët e vitit shkollor 2018-2019. Çka do të thotë se të gjithë nxënësit që janë duke mbaruar studimet e shkollës së mesme, duhet që të plotësojnë këtë formular, ku do të regjistrojnë provimin me zgjedhje që do të japin, krahas tre provimeve të detyruara, të cilat janë tashmë të përcaktuara nga MASR.

Autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit (QSHA) bëjnë me dije se plotësimi i këtij formulari do të nisë fillimisht në portalin qeveritar e-albania  dhe përfundon në shkollën ku maturanti vazhdon procesin mësimor. Për të shmangur gabimet, apo pasaktësitë gjatë fazës së aplikimit, procesi i plotësimit do të ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës që quhet “mbikëqyrës”. Mbikëqyrësi pajiset me kodin përkatës të hyrjes në sistem. Vetëm pasi mbikëqyrësi vendos kodin e tij në sistem, maturantit mund të plotësojnë Formularin A1 në shkollë. Në momentin e plotësimit, formulari printohet dhe nënshkruhet nga maturanti e mbikëqyrësi, më pas vuloset nga drejtori i shkollës ku plotësohen formularët A1. Shkolla ruan një kopje të formularëve të printuar deri në përfundim të maturës 2019.

Të dhënat personale

Sa i përket të dhënave personale maturanti tek pika 1 e formularit do të plotësojë numrin personal që ka në dokumentin e identifikimit. Ky informacion është i detyrueshëm për të plotësuar atë pasi nuk mund të vijohet me aplikim. Për të dhënat në pikat 2-5 të A1, pasi maturanti bën plotësimin, sistemi bën verifikimin e tyre dhe nuk lejon të vazhdohet aplikimi, nëse ka pasaktësi.  Sa i takon pikës 6, ku maturanti shënon fushat përkatëse që kanë të bëjnë me adresën e e-maili dhe numrin e telefonit të cilët duhet të ruhen të pandryshuara deri në fund të maturës 2019, me qëllim  që nxënësi të marrë informacion në faza të ndryshme të procesit. Në rastet kur maturanti nuk vendos këto kontakte atëherë është mbikëqyrësi ai që vendos numrin e tij të telefonit. Tek pika 7 shënohet X tek kutizat pranë Po ose Jo.

Sa i takon të dhënave shkollore, at plotësohen nga maturanti në bashkëpunim me mbikëqyrësin. Pikat 8 dhe 9 që kanë të bëjnë me zonën e ku ndodhet shkolla që studion si dhe emrin e shkollës, plotësohen nga vetë maturanti. Kurse pikat 10 deri ën 14 plotësohen nga mbikëqyrësi. Këto të dhëna kanë të bëjnë me emrin e DAR/ZA përkatëse, numri dyshifror që lidhet me emërtimin e profilit të shkollës ku po kryhet aplikimi nga maturanti, emrin e profilit, si dhe klasën dhe paralelin e klasës ku po studion maturanti.

Të dhënat lëndore

Sa i takon të dhënave lëndore që i përkasin numrit 15 të Formularit A1 ato plotësohen nga vetë maturantët. Më konkretisht, maturanti do të zgjedhë nga lista e lëndëve me zgjedhje Z, lëndën të cilën dëshiron ta japë provim. Ndërkohë sa i takon shkollave profesionale do të zbatohet udhëzimi nr 40 i cili është firmosur nga dy ministritë, përkatësisht ajo e Arsimit dhe e Financave, udhëzim i cili parashikon se maturantët e këtyre shkollave, Teoria profesionale është e zbërthyer sipas indeksit të shkollave. Maturantët e shkollave profesionale, zgjedhjen e lëndës për provimin me zgjedhje, që për ta është provim i detyruar) duhet ta bëjnë detyrimisht grupin III “Për shkollat e mesme profesionale”.

Afatet

Sipas rregullores së maturës shtetërore 2019, udhëzuesi për plotësimin e formularëve A1 dhe A1Z nga maturantët do të jetë në portalin qeveritar e-albania. Maturantët pasi bëjnë aplikimin online, fillimisht në portalin e-albania  nga 07-15 janar 2019, dhe më pas në portalin Matura Shtetërore në datat 16 janar deri ën 06 shkurt 2019, sipas kalendarit që do të përcaktohet nga QSHA. Brenda muajit shkurt do të përfundojnë të gjitha aplikimet, si dhe do të kryhen korrigjimet përkatëse në sistem.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: