PSE KAM SHPRESË PËR STUDENTËT- OPINION NGA GRID RROJI

PSE KAM SHPRESË PËR STUDENTËT- OPINION NGA GRID RROJI
Nga Grid Rroji

E kuptoj se ka shumë dyshime rreth protestës studentore dhe kam bindjen se hienat e uritura tanimë të së ashtuquajturës opozitë kanë infiltruar dhe duan ta përdorin protestën për qëllimet e veta antikombëtare. Po ashtu edhe qeveria e hienave të nginjura por të panginjshme ka bërë të njëjtën lojë, madje duke u ndarë sipas klaneve të brendshme që po luftojnë për thelën më të madhe të pushtetit. Nuk duhen harruar gjithfarë interesash të huaja që kërkojnë kaos, dhunë e vëllavrasje ndërshqiptare, mundësisht me karakter fetar.

Mirëpo megjithë këto rezerva racionale besoj se ka disa arsye madhore për të besuar se këtë herë do jetë ndryshe:

1) Duket qartë se ka një masë studentore ende jo plotësisht të qartë por të vendosur, të cilët e dinë se po u përdorën nga Paria do humbin shansin e një gjenerate. Nën drejtimin e duhur këta mund t'i shkaktojnë probleme të pazgjidhshme Parisë, dhe duke i refuzuar plehrat që në fillim e kanë dhënë shenjën e parë.

2) Ka një angazhim gjithëshoqëror që vjen nga ndjesia ende e paartikuluar qartë në rrethet e eunukëve të Tiranës, por shumë qartësisht e drejtpërdrejt jashtë rretheve të tyre se Kombi rrezikon tê zhduket. Angazhimi i segmenteve të pastra e papërlyera të LSSh-së dhe ish drejtuesve të saj për të kontribuar edhe një herë në shërbim të shqiptarëve tremb Parinë dhe u jep shpresë shqiptarëve. Ata që nuk u thyen nën trysninë e një shteti të fortë si ai i Merhumit, nuk i tuten këtyre hienave antishqiptare që e kanë shitur prapanicën tek të huajt jo një herë po disa herë. Këtu flas pa dijeni të veçantë të asaj që do ndodhë e as si mik i disave prej tyre, por si vëzhgues racional i fenomeneve.

3) Paria i ka konsumuar të gjithë fishekët propagandistikë, shqiptarët katundarë e qytetarë e kanë kuptuar se jua kanë futur, ose në gjuhë shkencore kanë shërbyer si kavie të një eksperimenti shoqëror-politik-antikombëtar të paprovuar kund tjetër. Si pasojë jam i mendimit se rrënjët e besnikërisë ndaj Palëve kriminale të Parisë janë më të cekëta se kurrë.

4) Më në fund, asnjë shkencë shoqërore nuk ka mundur deri më sot ta zgjidhë ekuacionin njeri. Njerëzit, e sidomos ne shqiptarët, jemi më të paparashikueshëm pikërisht atëherë kur teoria gjykon se ka gjetur çelësin e leximit. Shumëkush mund të mendojë edhe pas këtij argumenti që në fund protesta do dështojë. Patjetër që mund edhe të ndodhë, por dështimi nuk do jetë i atyre që guxuan, as i i studentëve e as i ish drejtuesve të LSSh-së. Ata e kanë provuar veten. Dështimi do të jetë i juaji dhe do t'ju dënojë të mbeteni skllevër pa komb e pa nder, pa Zot e të bir, pa din e iman. Kjo është aritmetika që duhet të mendoni.

Unë për shkaqet e sipërcituara kam shpresë se këtë janar do të gjendemi përpara një skene të re. Fatkeqësisht për momentin e kam të pamundur të jem vetë fizikisht, por do kisha dhënë shumëçka të isha në krah të studentëve. Pra, kush e do Shqipërinë pa Parinë, në protestë!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: