PROTESTA E BASHËS VS PROTESTA E STUDENTËVE – OPINION NGA EDMOND ARIZAJ

PROTESTA E BASHËS VS PROTESTA E STUDENTËVE – OPINION NGA EDMOND ARIZAJ
Nga Edmond Arizaj

Lulzim Basha, ndoshta pa dashje, e ka vënë veten, partinë e tij dhe opozitën në tërësi në rrezik. Pikërisht me atë që u duket si pikë shprese, protestën e 16 shkurtit. Rreziku vjen prej perceptimit krahasimor. Protesta e dhjetorit të studentëve, një komunitet, apo grup interesi, që përfshin veç një moshë të caktuar me pak kërkesa jojetësore gjithsesi, përballë protestës së opozitës në mes shkurti, që përfshin gjithë spektrin e popullsisë, që ka brenda saj edhe studentët, me kërkesa sipas tyre jetësore.

1- Organizimi

Protesta e studentëve nuk kishte nevojë për ditë e muaj, për lajmërime e paralajmërime, për dalje e thirrje në media, për portale e gazeta që kujtojnë çdo ditë datën e protestës, për paraorganizime e prova, për nxehje të situatës, për ngritje morali e premtime të lloj-llojshme. Studentët organizoheshin brenda orës me rrjetet telefonike, kishin një vend takimi dhe secili e ndjente se duhet të jepte kontributin e tij për nevojën e përbashkët. Edhe studentët nga Tirana dolën me një hap me shokët e tyre të rretheve, megjithëse disa prej pikave nuk i preknin fare.

2- Masiviteti

Protesta e studentëve nuk kishte nevojë për drone krahasuese, një nga mediat e PS dhe një nga mediat e PD për të bërë duelin e shifrave. Ajo ishte e gjerë, e gjatë, e plotë, e bukur, e këndshme, moderne, ku forca e saj nuk ishte dhuna, por fjala. Mbi të gjitha nuk kishte firo, por sa më shumë kalonin orët, aq më shumë shtoheshin mbështetësit. Një antipamje e vërtetë me protestat e fundit të opozitës, me grumbuj të paformë njerëzish që duket sikur tërheqin këmbët zvarrë, me fjalë krejt të vjetruara të oratorëve dhe me shpërndarjen e njerëzve më shpejt se sa kohë u ishte dashur furgonëve për t’i sjellë nga rrethet. Nuk ka ngrohtësi, nuk ka pasion, nuk ka frymë, nuk ka të reja, nuk ka ndryshim, nuk ka erë, nuk ka entuziazëm, nuk ka rini, nuk ka Tiranë brenda. Janë këto që sjellin masivitetin.

3- Përkrahja dhe bezdisja

Protestës së studentëve iu bashkuan madje me mënyra simbolike të ecjes edhe universitete të rretheve të tjera, gjimnazet, pavarësisht ndonjë presioni, dhjetëra e qindra qytetarë të thjeshtë, kalimtarë të zakonshëm, punonjës të administratës. Nuk u dëgjua përgjatë gjithë kohës asnjë ankesë nga shoferët e makinave. Të gjithë veç përshëndesnin me buzë në gaz protestuesit. Në dallim, protestave të derisotme të opozitës nuk u bashkohet askush që nuk e ka emrin që më parë në listën e pjesëmarrjes. Nuk lëvizin nga vendi as klientët e bareve të dy kullave e jo më ata brenda Bllokut. Nuk bëhet fjalë që të ketë organizime masive përkrahëse nga grupe të tjera. E shoferët shprehin përherë bezdi për bllokimin e rrugës, sharje nën dhëmbë dhe inat.

4- Harxhimet dhe përfundimet

Studentët në protestën e tyre nuk harxhonin pothuajse asgjë. Çdo gjë krijohej nga mendja dhe duart e tyre. Dhe arritën në pak ditë, përfitime që breza të tërë studentësh nuk i patën. Jehona e protestës së tyre, megjithëse “ua rrëmbyen”, vazhdon ende. Në dallim, deri më sot, protestat e opozitës nuk kanë lënë asnjë shenjë, përveç një ngjirjeje të vetë Bashës që kujtohet herë pas here. Qeveria as që pulit qepallat të paktën sa herë ngrihet zëri nga folësit e përkrahësit zëshuar nga turma. Kërkesa monotone e opozitës, të largohet Rama, ka përherë të njëjtin përfundim si dikur kur opozitë ishte PS dhe protestonte, të largohet Berisha. Mos duhet të ketë kërkesa të tjera, përveç ikjes së Ramës? (P.sh: Një aksion opozitar në komisione, në Parlament dhe në protestë për uljen e çmimit të karburantit, mund të sillte një reagim të qeverisë dhe kjo do të shënonte një fitore për opozitën).

Këto janë disa nga krahasimet që unë do t’i bëja dhe që mund të rrezikojnë jo pak Bashën. Ndoshta ai nuk e ka menduar kështu, apo nuk ka patur mundësi për ta menduar, por gjithsesi mundësia për të dalë më shumë i sfilitur nga kjo përballje krahasuese nëse protesta nuk ka të reja dhe i ngjan paraardhëseve, është më e madhe se sa mundësia që Rama të japë dorëheqjen ditën e shtunë të 16 shkurtit.