Premtimet pa doganë vazhdojnë, por Tiranë-Elbasan ende nuk duket në horizont

Premtimet pa doganë vazhdojnë, por Tiranë-Elbasan ende nuk duket në horizont
Rama inspekton rrugën që nisi Berisha, premton sërish: Në mars hapet njëra anë e autostradës

Rruga e re që lidh Tiranën me Elbasanin e për pasojë çliron nga një pjesë e stërmundimit edhe banorët e juglindjes dhe ata që vijnë nga Greqia e Maqedonia, ende nuk po mbaron. Premtimet e vazhdueshme të këtyre gjashtë viteve ende nuk po përmbushen, megjithatë qeveria nuk ngurron që të lëshojë të tjera premtime dhe të tjera data.

Ndërsa paraardhësi i Belinda Ballukut në ministrinë e Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, tha se në pranverë autostrada përfundon tërësisht, dje kryeministri, ndoshta, duke parë dhe situatën vetë në terren, u tregua më i përmbajtur duke premtuar se në pranverë do të hapet vetëm njëra anë.

Premtimi i Ramës erdhi ndërsa Gjiknuri kishte premtuar se autostrada do të përfundonte dhjetorin që shkoi, por edhe kjo propagandë rezultoi të ishte boshe.

Tani, rruga është ende në udhëkryq, sepse sërish nuk ka një datë të saktë dhe reale se kur do të marrë fund ndërtimi i plotë i saj.

Kryeministri Rama, teksa inspektoi dje punimet në këtë rrugë, tha se kostot e saj ishin dyfishuar krahasuar me parashikimet fillestare të qeverisë “Berisha”.

“Më në fund drejt përfundimit, pasi u kthye në shëmbëlltyrën më kuptimplotë të rrugëve të lëna rrugëve dhe të kostove marramendëse financiare e jo vetëm”, tha Rama. Kryeministri u shpreh se kosto e dyfishtë për rindërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan është rezultat i papërgjegjshmërisë në hartimin e projektit të mëparshëm. "Kjo rrugë u bë realisht gangrenë, - pranoi ai dhe shtoi: “U nis pa projekt, pa studim gjeologjik, pa asnjë lloj sigurie, vetëm hajde të hapim tunelin për fushatë elektorale e punë e madhe se çfarë ndodh mbrapa dhe e paguan shumë shtrenjtë. Praktikisht ka shkuar dyfish nga vetëm marrëzia dhe babëzia e paimagjinueshme”, tha Rama.

Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan nisi në vitin 2012 dhe në një kohë rekord u arrit të përfundonte gjysma e saj nga Elbasani në Tiranë, përfshirë një tunel në terren të vështirë rreth 3 kilometra i gjatë. Pjesa tjetër, rreth 20 kilometra vazhdon të jetë pjesë e kalvarit stërmundues për udhëtarët që pasi kalojnë një pjesë të aksit në kushte normale, përballen me realitetin shumëvjeçar duke përshkuar një rrugë jashtë standardeve dhe plot kthesa të rrezikshme.