Politekniku, kriteret e pranimit në “Bachelor” dhe “Master“

Politekniku, kriteret e pranimit në “Bachelor” dhe “Master“
Nga të gjitha universitetet vetëm Politekniku ka përcaktuar kriteret e pranimit për studentët për vitin 2019-2020. Ndërkaq maturantët, që kanë zgjedhur të kryejnë studimet e larta në universitetet e tjera, mbeten ende të paqartë

Vala e protestave të studentëve e filluar rreth një muaj e gjysmë më parë duket se ka bërë që drejtuesit e universiteteve të “harrojnë” publikimin e kritereve të pranimit për studentët e rinj 2019-2020. E ndërsa maturantët kanë nisur me aplikimet dhe përgatitjet për provimet e Maturës Shtetërore 2019, i vetmi institucion i arsimit të lartë që deri më tani ka shpallur kriteret e përzgjedhjes së fituesve të rinj që do të pranojnë në auditorët e tyre për vitin akademik 2019-2020 është Universiteti Politeknik të Tiranës.  Në mbledhjen e fundit të senatit, ky universitet ka miratuar kriteret e pranimit për të gjitha programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, si dhe ciklit të dytë “Master”.  Mesatarja e shkollës së mesme, si dhe lëndët preferenciale janë kriteret që do të zbatohen edhe përgjatë këtij viti në shpalljen e fituesve të rinj.

Kriteret për “Bachelor”

Sa i takon studimeve të ciklit të parë, autoritetet e këtij universiteti bëjnë me dije se përgjatë vitit të ri akademik, maturantët do mund të garojnë për të fituar të drejtën e studimit në 21 degë të shpërndara në 6 fakultetet përkatëse. Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike mund të konkurrohet për Inxhinieri Mekanike, Inxhinieri Materiale, Tekstil dhe Modë, si dhe Inxhinieri Ekonomike. Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike maturantët mund të konkurrojnë për degët: Inxhinieri Elektrike-profili Automatizim i Industrisë, Energjetikë, si dhe Inxhinieri Mekatronike. Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit ofron studime në Inxhinieri Elektronike, Telekomunikacion, si dhe Inxhinieri Informatike. Në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit garohet për Inxhinieri Ndërtimi, Hidroteknikë, Inxhinieri Mjedis, si dhe Gjeodezi. Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës ofron studime në tre degë të këtij profili.

Në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave garohet për degët: Gjeo-Informatikë, Gjeo-burime, Inxhinieri Gjeo-mjedisi, si dhe Shkenca Toke. Po ashtu mund të garohet edhe për dy degët e studimit të Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike.  Për të gjitha këto degë, mesatarja e shkollës së mesme nga nota 6 e më lart është kushti bazë që çdo maturant duhet të përmbushë për të qenë pjesë e garës për studimet e larta. Shpallja e fituesve do të bëhet duke ju referuar në masën 70 për qind notës mesatare të shkollës së mesme, si  dhe në masën 30 për qind mesatareve aritmetike të tre lëndëve të përcaktuara si preferenciale për degët e këtij universiteti. Tre lëndët preferenciale të këtij universiteti janë matematika me 50 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve, fizika me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve, si dhe kimia me 10 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar edhe formulën konkrete që do të zbatohet për shpalljen e fituesve të rinj që do të pranohen në të gjitha programet e studimit të këtij universiteti.

Formula

Formula është: [0.7*Mes (VKM) + 0.3 (0.5*Mes (Matematikë) + 0.4*Mes (Fizikë) + 0.1*Mes (Kimi)] * Koeficientin e shkollës * 1000.

 

Mesatare VKM: Është nota mesatare e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin akademik 2019-2020, sipas Ligjit Nr. 80/2015, datë 22.07.2015.

Mesatare Matematike– Është nota mesatare e thjeshtë e matematikës në të gjitha vitet e shkollës së mesme, në kurrikulën bërthamë dhe në kurrikulën e thelluar, përfshirë këtu edhe rezultatin e marrë nga kandidati në Maturën Shtetërore 2019 në provimet e detyruara dhe në provimin me zgjedhje.

Mesatare Fizike: Është nota mesatare e thjeshtë e fizikës në të gjitha vitet e shkollës së mesme, në kurrikulën bërthamë dhe në kurrikulën e thelluar, përfshirë këtu edhe rezultatin e marrë nga kandidati në Maturën Shtetërore 2019 në provimin me zgjedhje.

Mesatare Kimi: Është nota mesatare e thjeshtë e kimisë dhe e lëndës “Shkencë” në të gjitha vitet e shkollës së mesme, në kurrikulën bërthamë dhe në kurrikulën e thelluar, përfshirë këtu edhe rezultatin e marrë nga kandidati në Maturën Shtetërore 2019 në provimin me zgjedhje.

Ndërsa Koef i shkollës: -Është koeficienti i shkollës së mesme, për vitin akademik 2019-2020, sipas tabelave të miratuara nga secili prej fakulteteve të Universitetit Politeknik.

Masteri

Në dy programet e integruara të studimit në Master i Shkencave profili Arkitekt dhe Urbanist, si dhe në programin e ciklit të parë Arkitekturë interieri dhe dizajn, është  vendosur që  të zbatohen kritere të reja pranimi. Sikundër ndodh edhe me programet e tjera të përmendura më lart, edhe në këto degë mund të konkurrojnë vetëm kandidatët që kanë  mesatare nga nota 6 e lart. Ndërkohë që renditja e fituesve do të bëhet sipas formulës së detajuar në vijim të shkrimit, ku element thelbësor është edhe testimi që do të zhvillojnë kandidatët.

Formula është: 0.6 *Mes(VKM) * Koeficientin e shkollës * 1000 + 0.4 *T* 100

Mesatare VKM– Është nota mesatare e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për vitin akademik 2019-2020, sipas Ligjit Nr. 80/2015, datë 22.07.2015.

Koeficienti i shkollës: -Është koeficienti i shkollës së mesme, për vitin akademik 2019-2020, sipas tabelave të miratuara nga secili prej fakulteteve të Universitetit Politeknik.

Testi: Është rezultati i testimit të Organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i cili përbëhet nga katër komponentë:

-Testi i arsyetimit logjik  që vlerësohet me 25 pikë; testi i Kulturës së Përgjithshme që vlerësohet me 25 pikë; testi i Historisë dhe Historisë së arkitekturës vlerësohet me 25 pikë; testi i vizatimit dhe prezantimit që vlerësohet po me 25 pikë.