“Përgjigje për ‘shkencëtarin’, titullin shkencor nuk ma dha Prof. Dr Nikolla dhe as Prof. Dr. Piktor Rama”

“Përgjigje për ‘shkencëtarin’, titullin shkencor nuk ma dha Prof. Dr Nikolla dhe as Prof. Dr. Piktor Rama”
Ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boci, lidhur me akuzat që Taulant Muka lëshoi ndaj tij gjatë ditës së sotme. Ai e akuzoi deputetin demokrat se kot lodhet që flet për studentët dhe hallet e tyre sepse ka marrë gradë shkencore gjatë qeverisje së Ramës, por Boci thotë se “Komisioni që vendosi për të më dhënë titullin, nuk përbëhej as nga Prof. Dr Lindita Nikolla dhe as nga Prof. Dr. Piktor Rama.”

Ai shtoi se “Unë jam në politikë dhe ca do më shajnë e do kënaqen me ty, ca do të mërziten e do jenë solidarë. Kjo është lufta ime dhe e kam pranuar të tillë. Se shtohesh dhe ti, nuk kam asnjë ndjesi.

Artikulli i plotë i deputetit demokrat Luciano Boci:    

PËRGJIGJE PËR “SHKENCËTARIN”

Taulantin e dëgjova, në fakt për herë të parë, kur denoncoi plagjiaturat e ish zv/ministrit të arsimit dhe të një deputeteje dhe madje i jam referuar në një deklaratë timen.

E mirëprita “luftën” e tij ndaj fiktivitetit të kërkimit shkencor në Shqipëri. Vërtet e duartrokita, për shumë arsye që i njoh më mirë se ai.

U kuriozova më pas dhe e dëgjova në një emision të hedhur në youtube, ku insistonte se ishte shkencëtar.

Pas kësaj, u lëkunda disi në entuziazmet e mija.

Kur dha dorëheqjen nga zv/ministër, për arsye se nuk gjeti asnjë bashkëpunim atje e as letër higjenike, nuk e mendova që në një rrëzim të shpejtë, do rrezikonte të shndërrohej vetë në një letër të tillë, për tu përdorur nga politika e ditës.

Taulant, me lejo të drejtohem me emër dhe jo me titujt që ke fituar me djersën e ballit.....

E kuptoj shkrimin pa lidhje, me Çil e me mbyll, që ke postuar dhe më vjen keq që nuk dallon, si “shkencëtar” i fushës së mjekësisë që je, specifikën që ka filologjia në përgjithësi dhe letërsia shqiptare.

Po ti je me sa duket, shkencëtar global dhe turrin, jo trurin mos e ngatërro, e ke të madh.

Taulant po të drejtohem si shkencëtar qe je, që së paku, mos gabosh në elementin shkencor dhe zyrtar të referencës.

Titullin nuk e jep qeveria e as ministria, apo jo?!

Prandaj mos u përdor kaq keq.

Titullin e jep Këshilli i profesorëve i Universitetit, në bazë të disa kritereve që janë

1.Përvoja akademike

Së paku i kam 30 vite jetë akademike.

2.Koha 5 vjecare nga mbrojtja e doktoraturës. E kam mbrojtur që në 2004.

3.Botimet monografike që normal i kam.

4.Pjesëmarrja në Konferencat kombëtare e ndërkombëtare dhe botime në revistat me faktor impakti.

Për fushën e shkencës sime që merret me Letërsinë Shqipe, Taulant, botimet në Prishtinë, (Konferenca e përvitshme për Letërsinë e gjuhën Shqipe, etj), Tiranë (Revista Filologjike, etj) apo konferencat ndërkombëtare për Agollin, Kadarenë, Fishtën, Çabejin, etj, në Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, janë po aq autoritarë sa ato të fushës tënde në Suedi, Francë apo gjetkë.

Për mua këto janë shumë, shumë të rëndësishme.

Sepse Letërsia shqipe është letërsia shqiptare dhe ato qindra faqet e mija, janë thjeshtë një pikë që shton etjen për më shumë të tilla.

Albanalogë të shquar vijnë e marrin pjesë në to. Jo se i detyrojnë nikollërat me ramrat, por sepse janë të vërteta e të rëndësishme.

Po ti nuk ke faj se ndoshta porositësi nuk ta ka thënë.

Këshilli i profesorëve, ngre një komision që gjykon leksionet e hapura, plus në fund drejton mbrojtjen e hapur me juri, të titullit.

M.q.s duheshin dhe botime në revista me faktor impakti edhe ato i kam bërë, jo me të dhëna fallco provokative prej “shkencëtari”, por me seriozitetin personal të një pretenduesi që hulumton.

Ty s’të pëlqejnë revistat e këtilla. As mua. Madje i kam vlerësuar e i vlerësoj shumë herë më pak, se revistat apo botimet tonat të filologjisë shqiptare.

Komisioni që vendosi për të më dhënë titullin, nuk përbëhej as nga Prof. Dr Lindita Nikolla dhe as nga Prof. Dr. Piktor Rama.

E pakta këta do më pengonin.

Politikisht isha në opozitë në 2015, se po ta kisha marrë siç më takonte, para 2013, sot do më akuzoje që ma kishte dhuruar pushteti.

Juria përbëhej nga autoritete të fushës:

Prof. Dr Floresha Dado

Prof. Dr Shaban Sinani

Prof. Dr Ymer Ciraku

Prof Dr. Jorgo Bulo

Këta vendosën Taulant.

Pra, as nuk ia “vodha”, as nuk ma “dhuroi” qeveria që nga larg, si ndonjë diplomë ekstra Taulant.

Sa për ligjin, unë nuk e di se çfarë po zbuloje ti shkencërisht në 2015, kur ne si PD, unë si anëtar Komisioni, Forumi për Liri Akademike, kontestonim bashkë me pedagogë ligjin e arsimit të lartë e kur përballeshim me “çilnat” në qeveri e jashtë saj.

Megjithatë Taulant, faleminderit që më bëre njëherë “Belul”, se sot kam shkruar për veten time.

Për ty kam një porosi të vetme që ma urtuan së fundmi:

“Triumfin përjetoje si funeral dhe funeralin si triumf”.

Pra, mirësevjen në tokë miku im!

Unë jam në politikë dhe ca do më shajnë e do kënaqen me ty, ca do të mërziten e do jenë solidarë. Kjo është lufta ime dhe e kam pranuar të tillë. Se shtohesh dhe ti, nuk kam asnjë ndjesi.

Por ama, mos i intimido studentët në të drejtën e tyre protestuese e opozitare, me histori të tipit Agatha Christi.

Bëhu Jack London, Taulant!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: