PD E RINDËRTUAR E LULZIM BASHËS – KOMENT NGA ROLAND QAFOKU

PD E RINDËRTUAR E LULZIM BASHËS – KOMENT NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vera e re në fuçinë e vjetër

Të rinj e të reja, të njohur e të panjohur, me anëtarët e kryesisë dhe sekretariatin e zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, në një mënyrë ose tjetër, tashmë rezulton se PD është partia “all inclusive” e Lulzim Bashës. Është ndërruar pothuajse i gjithë sekretariati dhe në një farë mënyre i gjithë lidershipi dhe tani, Partia Demokratike, mund të quhet edhe e rindërtuar.

Më 12 qershor Lulzim Basha mbush 45 vjeç dhe më 23 korrik ai bën 7 vjet si kryetar i PD. Por mes këtyre dy datave ka një ditë drithëruese për të: Më 30 qershor janë zgjedhjet lokale, beteja e tretë elektorale që kur ai është zgjedhur kryetar dhe fati politik i Lulzim Bashës duket se do të jetë i varur nga rezultati i këtyre zgjedhjeve. Një fitore e PD, padyshim që kuotat e tij do t’i ngrente në majë. Por një humbje do ta vinte në pikëpyetje qëndrimin e tij në krye të partisë.

Pikërisht për këto arsye, Basha dhe bashkëpunëtorët e tij janë kujdesur të formojnë një lidership që më shumë se sa ekip fitues të jenë ekip i besuar i kryetarit. Një ekip që bazën e tij ka njerëzit e zgjedhur nga Basha dhe tashmë nuk mund të ketë më aludime nëse ky apo ai janë të zgjedhurit e Berishës apo se Berisha i bën shumë hije pasardhësit të tij. Tani nuk ka më justifikim. Nëse ekipi i këshilltarëve dhe i bashkëpunëtorëve do të jetë sërish “mizerabël” si në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, ky do të jetë faji ekskluziv i Lulzim Bashës. Në konceptim politik modern kjo është normale. Por po aq normale do ishte nëse humbja në zgjedhjet e 30 qershorit do të largonte Bashën dhe lidershipin e tij nga drejtimi duke e cilësuar atë një dështim. Janë disa figura të reja të zgjedhura rishtas në ekipin drejtues të PD. Të vlerësuar për formimin dhe aktivitetin e tyre, por pritet më shumë se kaq. Protesta e 16 shkurtit është prova e tyre e parë për të treguar se sa ndryshe është ky lidership nga ai i mëparshmi.

GAZMENT BARDHI, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM

Në detyrën e Ministrit të Drejtësisë, më shumë u mor si një teknik që do të mbetej po me atë status. Por që nga ai moment Gazment Bardhi u rrit edhe si figurë politike. Punëtor dhe me impenjim maksimal, edhe pse pa asnjë detyrë të lartë politike në PD, ai ndërmori një sërë aksionesh që patën ndikim deri në qeverisje. Ndoshta këto dhe të tjera bënë që kryetari Basha ta shikonte atë si më të përshtatshmin në krye të sekretariatit. Nga ajo që dukej, kuptohej se Arben Ristani nuk mund të ishte më në detyrën e sekretarit të Përgjithshëm.

Dhe Bardhi nuk zhgënjeu. Mori 277 vota përballë 44 vota të Dorian Telitit dhe tashmë zyrtarisht është figura e dytë më e lartë në hierarkinë e strukturave të Partisë Demokratike. Student ekselent në jurisprudencë, Bardhi ka treguar një avantazh jo të vogël nga shumica e politikanëve në PD. E ka nisur nga një detyrë e thjeshtë si specialist në ministrinë e Drejtësisë dhe i ka ngjitur shkallët e karrierës dalëngadalë, duke mbajtur tashmë detyrën e numrit dy në PD.  Pa asnjë lidhje familjare, pa asnjë lidhje miqësore në të gjithë spektrin e djathtë, Bardhi ndoshta është ai rasti ekstrem pozitiv “self made” në brezin e dytë të politikës shqiptare. Nuk është ai djali i dikujt e as i njohuri i dikujt. Dhe si sekretar i Përgjithshëm ka ardhur vetëm sajë aftësive.

Megjithatë, prova e madhe e tij fillon pikërisht tani. Përballë një PD-je që realisht ka kuota shumë të ulëta duke pasur parasysh dhe faktin se PS është në mandatin e dytë qeverisës. Një PD-je që ende nuk ngjall shpresë. Një PD-je ndaj të cilës Edi Rama e ka të lehtë të fitojë. Një PD-je që nuk merret si alternativë, por si një parti që do t’i vijë radha të jetë në pushtet. Për të gjitha këto, Gazment Bardhin e presin përpara sfida mbi sfidat. Dhe të jesh numri dy i partisë do të thotë shumë përgjegjësi. Natyrisht nuk mjafton të kesh qenë student i mirë, jurist, specialist apo edhe ministër po aq i mirë. Pritshmëritë janë shumë më të mëdha dhe vetëm një gjë e vogël e ndan nga zhgënjimi. Megjithatë të presim.

ÇLIRIM GJATA, SEKRETAR PËR ÇËSHTJET LIGJORE

Vërtetë Çlirim Gjata nuk e dinte në dhjetor që në janar do të ishte sekretar i Çështjeve Ligjore në PD, por të gjithë e dinim se nëse një ditë kjo parti do të vinte në pushtet, ai do të ishte diçka. Angazhimi i tij maksimal në media ishte i tillë që nënkuptonte që juristi i njohur po përgatitej të ishte pjesë e lidershipit të PD. Gjata u bë pjesë e asaj që po quhej hapja e madhe e PD në mënyrë që grupi parlamentar të mos mbante nën vete edhe sekretariatin. Dhe në garën për Sekretar për Çështjet Ligjore, Gjata e fitoi 284 vota ndaj Marinela Ziut që mori 37 vota. Ai rezulton të jetë sekretari me më shumë vota se të gjithë të tjerët që fituan garën.

Në një nga prononcimet e tij të para, Gjata tha se kontributi i tij në nivele të larta në këtë parti do të ishte edhe për arsye se drejtësia është totalisht e shkatërruar dhe se angazhimi për të është emergjencë. Dakord, por, politika nuk është as drejtësia e as karriera e vet në këtë drejtësi. Së pari, partia është votë dhe vota kërkon impenjim masovik për t’i marrë ato sepse vetëm nëpërmjet saj mund të vihet në pushtet. Gjata vërtetë mund të plotësojë mozaikun e ekspertëve, porse i duhet të tregojë veten në punët e partisë që janë shumë më ndryshe nga punët e drejtësisë.

IVI KASO, SEKRETAR PËR ÇËSHTJET ZGJEDHORE

Student ekselent në universitetin e La Sapienzës në Itali, prej 10 vjetësh Ivi Kaso është kthyer në simbol të përfaqësimit për çështjet zgjedhore të Partisë Demokratike. Votimi për të si sekretar për Çështjet Zgjedhore ishte një zgjedhje morale që shumë në PD mendojnë se Kaso e meritonte. Zbulim i para një dekade i Sali Berishës kur ishte kryeministër, Kaso fitoi garën si sekretar zyrtar për Çështjet Zgjedhore në PD duke marrë 221 vota kundrejt 100 vota të Dorian Gjonmarkaj. Nuk vihen në dyshim aftësitë e Kasos, por argumenti se zgjedhjet na i vjedh Rama, nuk duhet të kthehet në alibi të përhershme dhe e mërzitshme e opozitës. Më shumë se kaq kjo parti duhet të impenjohet t’i fitojë zgjedhjet dhe jo të përgatitet për të gjetur justifikimet për humbjen e tyre.

ERVIN MINAROLLI, SEKRETAR PËR BURIMET NJERËZORE

Inxhinieri Ervin Minarolli do jetë sekretar i Burimeve Njerëzore duke zëvendësuar Fatbardh Kadillin. Me 278 vota të marra kundrejt 44 të konkurrentes Minushe Lazaj, Minarolli tregoi se jo vetëm është nga më të votuarit mes sekretarëve, por dhe simbolika e një perspektive të brezit të tij. Burimet njerëzore janë kthyer në një problem tejet të rëndësishëm gjatë viteve të fundit. Me një rini që ka braktisur vendin, me një kastë intelektualësh që po ashtu nuk janë më pjesë e shoqërisë shqiptare, Minarollit i dalin shumë punë. Afrimi në PD i personazheve me moral të lartë është detyra më impenjuese për të. Nëse do ta ndërtojë punën me parimet: Larg veseve, larg manipulatorëve dhe larg atyre që vetëm duan ta vjelin PD, Minarolli do t’ia dalë. Në të kundërt, 10-at në mësime nuk vlejnë.

SAHID DOLLAPI, SEKRETAR ORGANZIATIV

Sapo Sahid Dollapi u shpall fitues e garën për Sekretar Organizativ, kritikët shpejtuan të thonë se nuk mund të mungonte një tropojan në kupolën e PD. A ishte kjo një kujdesje e Lulzim Bashës për t’i bërë qejfin Berishës apo ishte vlera e Dollapit për të bërë organizimin e ri të PD? Këtë nuk e dimë më siguri. Ajo që është e sigurt është se Dollapi ka qenë gjatë gjithë karrierës së tij një personazh politik i rëndësishëm, por gjithnjë në skalionin e  dytë. Tashmë që është i vendosur në ballë të organizimit i duhet të tregojë shumë. Të tregojë se është i aftë të organizojë jo vetëm në Tropojë dhe Korçë, por edhe në Dibër dhe Skrapar. Edhe në Sarandë e Vlorë, edhe në Lushnje dhe Mat. I duhet të tregojë se PD është një parti e organizuar dhe jo një parti e tipit “golden goal”, pra e organizimeve të minutës së fundit. Vetë organizimi është një cilësi që nuk ka qenë shumë e kultivuar në PD në këto vite. Ndoshta këtë boshllëk Dollapi mund ta përmirësojë. I është dhënë një shans i madh dhe i duhet të angazhim po aq i madh. Të presim.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press