PD akuzon Ramën: Ku i gjete 400 milionë lekë për vilën e Surrelit? Përgjigju, mos u fshih pas fustanit të gruas

PD akuzon Ramën: Ku i gjete 400 milionë lekë për vilën e Surrelit? Përgjigju, mos u fshih pas fustanit të gruas
Partia Demokratike ka akuzuar sot Kryeministrin Edi Rama se nuk e justifikon dot vilën në Surrel me të ardhurat e deklaruara zyrtarisht prej tij dhe së shoqes.

“Çifti kryeministror nuk ka deklaruar aq të ardhura, sa të justifikojnë ndërtimin e një shtëpie superluksoze me vlerë 400 milionë lekë. Partia Demokratike po publikon sot dokumentet zyrtare që provojnë se të ardhurat e deklaruara të Edi Ramës dhe të të ardhurat e gruas së tij nuk kalojnë vlerën e 100 milionë lekëve dhe nuk justifikojnë dot vlerën 400 milion lekë të shtëpisë në Surrel”, tha deputetja Oriola Pampuri.

Deputetja e opozitës ka bërë edhe një kronologji të të ardhurave të deklaruara të çiftit kryeministror.

“Në vitin 2011, përpara nisjes së ndërtimit të shtëpisë, Edi dhe Linda Rama kanë deklaruar se, të dy bashke, zotërojnë rreth 80 milionë lekë. Në vitin 2012, Edi Rama ndërton shtëpinë e tij në Surrel dhe, kur mori detyrën e kryeministrit një vit më vonë, deklaron se ka shpenzuar plot 400 milion lekë për ndërtimin e saj, pra plot 5 herë më shumë sesa kursimet që kishte gjendje çifti Rama. Sipas deklaratës së pasurisë që vetë kanë dorëzuar në 2013-ën, rezulton se, pasi kanë deklaruar shtëpinë 400 milionë lekë, pra, pasi kanë shpenzuar kursimet e jetës, 80 milionë lekë, Edi dhe Linda Rama jo vetëm nuk kanë deklaruar borxh, por pasuria e tyre është shtuar, duke deklaruar se kanë gjendje plot 92 milion lekë”.

Sipas Pampurit, “Edi Rama ka gënjyer me deklaratën e pasurisë” dhe ka drejtuar një pyetje publike:

Ku i gjeti Edi Rama 400 milionë lekë për ndërtimin e shtëpisë superluksoze më Surrel, kur, bashkë me gruan, kishte deklaruar vetëm 80 milionë lekë kursime?

“Ka ardhur koha që Edi Rama i oxhakut 18 mijë euro të përgjigjet dhe të mos fshihet më pas fustanit të gruas,” tha deputetja Pampuri. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: