NJËSIA E POSAÇME/ Reforma në drejtësi, nis puna konkrete për krijimin e SPAK-ut

NJËSIA E POSAÇME/ Reforma në drejtësi, nis puna konkrete për krijimin e SPAK-ut
Reforma në drejtësi në Shqipëri ka shënuar një hap të ri me fillimin e këtij viti. Kështu, ditën e djeshme është hedhur hapi i parë për konstituimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, e njohur si SPAK.

Ajo do të hetojë zyrtarët e lartë e pasuritë e tyre dhe është një nga institucionet kyç të reformës në drejtësi si e tillë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që kjo strukturë të nisë fillimisht punën me 15 anëtarë, të cilët do të paraqesin kandidaturat brenda 30 ditësh, ndërkohë që do t’i nënshtrohen me përparësi procesit të vetingut.

Kryetari Genti Ibrahimi, tha se emërimi i prokurorëve për Prokurorinë e Posaçme është rritje në detyrë dhe se do të zgjidhen prokurorët me kriteret me të mira profesionale dhe morale. Sipas tij, magjistrati duhet të ketë ushtruar profesionin për dhjet vite dhe të mos ketë marrë masë disiplinore.

“Magjistrati nuk duhet të jetë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe duhet të ketë kaluar procesin e rivlerësimit, vetingun. Aplikimi nuk do të bëhet vetëm online, por dokumentet mund të nisen edhe me postë. Ligji parashikon afat dy javor për dorëzim të dokumenteve”, u shpreh gjithashtu ai.

Kjo strukturë pritet të ketë një volum shumë të madh pune duke parë se do marrë indicie nga shumë burime për të hetuar pasuritë e zyrtarëve të lartë, apo denoncimet për lidhjet e tyre të dyshimta.

Konkretisht, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do ketë detyrë ndjekjen penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në emër të shtetit para Gjykatës së Shkallës së Parë, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: