Nis seanca parlamentare për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Nis seanca parlamentare për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni
Parlamenti i Maqedonisë e filloi sot seancën për ndryshimet kushtetuese, për ta ndryshuar emrin e vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut. Për këtë duhet një shumicë e kualifikuar prej dy të tretave të votave, ndërkohë që nuk është shumë e qartë nëse shumica parlamentare i ka siguruar ato.

Parlamentit të Maqedonisë i nevojiten dy të tretat e votave nga 120 deputetë sa ka gjithsej, për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Qeveria ka propozuar katër amendamente dhe partitë shqiptare të opozitës Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa nga gjashtë amendamente. Secili amendament që të miratohet duhet të votohet nga tetëdhjetë deputetë; më pas ligji kushtetues apo paketa e ndryshimeve po ashtu kërkon dy të tretat ose tetëdhjetë vota pro.

Kryeministri Zoran Zaev është i bindur se ka siguruar votat e nevojshme. Aleanca për Shqiptarët dhe zoti Zaev kanë pohuar mbrëmë dakordësimin mbi kërksat e partisë shqiptare rreth preambulës dhe propozim-amendametve të tjera, por Aleanca nuk është shprehur publikisht nëse dy ligjvënësit e saj do të votojnë pro. Por Zoti Zaev nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me Lëvizjen Besa të Kasam Bilallit. Kjo parti në lidhje me shtetësinë nëpër dokumetet personale ku do te shkruhet “maqedonase / (vizë e pjerrët) shtetas i Maqedonisë së Veriut”, kërkon që fjala “maqedonase” të hiqet në tërësi si në maqedonisht edhe në shqip me mundësinë të figurojë vetëm në anglisht.

Ndërkohë, në Preambulën e re mes tjerash do të shkruhet: “Qytetarët е Republikës së Maqedonisë, populli maqedon, pjesa e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, etj. duke marrë përsipër përgjegjësinë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut të tyre... në bazë të vendimeve të Republikës së Krushevës, Manifestit të Këshillit Antifashist Çlirimtar të Maqedonisë, në bazë të referendumit të 8 shtatorit 1991 dhe në bazë të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001 vendsoën ta themelojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut si shtet të pavarur dhe sovran".

Por ky formulim, sipas ekspertëve është larg Preambulës së vitit 1974 të shfuqizuar me ndryshimet e Kushtetutës në vitin 1992. Atëherë theksohej: populli maqedon, populli shqiptar dhe populli turk si bartës të sovranitetit të Republikës së Maqedonisë.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja i quan ndryshimet e kushtetutës një akt të turpshëm dhe të dëmshëm për vendin.

Hristijan Mickovski i VMRO-së u shpreh se ndrsyhimet bëhen jo në mënyrë demokratike por përmes një akti të dhunës ndaj procedurave, me kanosje dhe frikësim ndaj deputetëve dhe të afërmëve të tyre.

"VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni i saj nuk do të marrë pjesë në këtë proces dhe në seancën e sotme nuk do të japin legjitimitet për ndryshimin e Kushtetutës sepse ndryshimet e tilla nuk e kanë legjitimitetin e qytetarëve", tha ai. Sipas Mickovskit bëhet një padrejtësi e madhe dhe pushteti po bën një dëm të madh; “Në një situatë të këtillë rezistenca është mjeti i vetëm që na mbetet ta ndërmarrim”, u shpreh ai.

Teksa LSDM ja thotë se VMRO-ja ka një qëllim, atë të bllokimit të vendit përmes nxitjes së dhunës dhe urrejtjes së bashku me “pionët” antiperëndimorë.

Jashtë parlamentit një grup prej jo më shumë se dyqind vetash nga organizata maqedonase të cilat veten e quajnë patriotike po përpiqen ta bllokojnë procesin në parlament. Ata kanë bllokuar bulevardin kryesor pranë ndërtesës së parlamentit. Një pjesë e tyre e ftuan kryetarin e VMRO-së Mickovski që t’i drejtohej turmës por ai nuk e bëri këtë ndërsa shkaktoi pakënaqësi edhe më të shumta tek ata.

Sidoqoftë, paketa e ndryshimeve kushtetuese sipas pritjeve do të votohen të premten. Shumica parlamentare me votat e tetë deputetëve të përjashtuar nga VMRO-ja dhe katër votat e opozitës shqiptare përbën shufrën e nevojshme për miratimin e këtyre ndryshimeve. Në atë rast vendi do të riemërtohej si Republika e Maqedonisë së Veriut sipas Marrëveshjes së 17 qershorit midis qeverive të Athinës dhe Shkupit të arritur në Prespë dhe kjo do t’ia hapte rrugën vendit të vogël ballkanit drejt integrimeve fillimisht në NATO dhe më pas edhe në BE, por së pari parlamenti grek duhet ta ratifikojë marrëveshjen. (VOA)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: