NEVOJA PËR NJË LIGJ TË UNIFIKUAR PËR INVESTIMET - ANALIZË NGA ANILA DENAJ

NEVOJA PËR NJË LIGJ TË UNIFIKUAR PËR INVESTIMET - ANALIZË NGA ANILA DENAJ
Nga Anila Denaj

Ministre e Financave dhe Ekonomisë, kryetare e Këshillit të Investimeve

Prioritet i qeverisë është krijimi i një klimë të favorshme për biznesin, i cili është motori i zhvillimit ekonomik të vendit. Dhe padyshim roli i Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë është mjaft i rëndësishëm dhe kyç në këtë klimë.

Për të përmirësuar klimën e biznesit qeveria në këto vite ka ndërmarrë reforma të rëndësishme duke përmendur:

Lehtësimin e procedurave tatimore dhe uljen e barrës fiskale për pjesën dërrmuese të biznesit. Këtu vlen të përmend masën e fundit që ndërmori qeveria për reduktimin e tatimit mbi ardhurat në masën 5% për biznesin i vogël në fashën 8 -14 milion lekë. Ne besojmë së këto masa do të krijojnë hapësira të reja për mundësinë e rritjes së biznesit dhe krijimin e vendeve të punës në ekonomi.

Një reformë tjetër e rëndësishme në axhendën e qeverisë ka qenë reforma e deregulimit.

Po cilat janë disa nga arritjet dhe sfidat:

Axhenda e Deregullimit e lançuar që në 2014 nga qeveria shqiptare me rishikimin dhe lehtësimin e 136 autorizimeve, do të vazhdojë, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe lehtësimit të barrës për sipërmarrjen. Pjesë e kësaj reforme do të jetë rishikimi i autorizimeve dhe lejeve e licencave me qëllim shfuqizimin e atyre që do të konsiderohen të panevojshme.

Shembull suksesi është dixhitalizimi i shërbimeve për tatimpaguesit nga ana e Administratës Tatimore, ku një numër i konsiderueshëm shërbimesh jepen tashmë në kohë reale, në rrugë elektronike, me firmë dhe vulë dixhitale dhe pa kosto për të gjithë përdoruesit.

Në këtë linjë lehtësuese dhe partneriteti me biznesin është dhe analiza mbi inspektimet. Objektivi kryesor është të risjellim në vëmendje faktin se çështjet e inspektimit dhe inspektorateve mbeten po aq prioritare sa edhe formalizimi i ekonomisë me synim garantimin e rregullave të njëjta në treg, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe ambientit.

Synimi final në kuadrin e Këshillit të Investimeve mbetet stimulimi i një debati të qëndrueshëm mbi faktorët që mund të influencojnë në prioritizimin e ndërhyrjeve të mundshme në politika qendrore dhe lokale si dhe praktikat e biznesit.

Aktualisht, kanë përfunduar përgatitjet për një ligj të unifikuar për investimet, drafti i të cilit në momentin që do të përfundojë plotësisht do të jetë objekt konsultimi sikurse është premtuar nëpërmjet Këshilli i Investimeve, me të gjithë ekspertët, shoqatat e biznesit dhe grupet e interesit.