MPJ, RAMA NGRIN BUSHATIN, HEQ DORË NGA CAKAJ

MPJ, RAMA NGRIN BUSHATIN, HEQ DORË NGA CAKAJ
Në skenarin që ai mund t’i japë Cakës kompetenca ministri edhe pse është zv/ministër, Meta ia ka mbyllur të gjitha shtigjet, pasi e ka akuzuar emrin e propozuar nga Rama si shkelës penal të ligjit

Kryeministri Edi Rama mori pjesë mbrëmë në takimin me trupin diplomatik bashkë me ministrin e Jashtëm të shkarkuar prej tij, Ditmir Bushati. Z. Rama që në fillim foli mbi vendimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për mos dekretimin e ish-këshilltarit të tij, Gent Cakaj, në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Presidenti refuzoi sërish të dekretojë një ministër, por për këtë çështje do të flas në vijim”, tha z.Rama, duke vazhduar për disa minuta me fjalimin e përgatitur në avancë dhe për t’iu rikthyer më pas temës së nxehtë të ditës.

Rama shprehu falënderim për Ditmir Bushatin, duke paralajmëruar se mund ta mbajë sërish në qeveri: “Ai dha më të mirën e tij dhe do të vijojë të jetë në familjen tonë qeverisëse dhe politike”, - tha z.Rama, duke mos saktësuar gjithsesi nëse Bushati do të jetë sërish në postin e ministrit të Jashtëm.

Më tej Rama u ndal te rasti “Cakaj”: “Mllefi i injorantëve ka bërë për të, prezantimin më të rrejshëm publik, para se ai vetë të hapë gojën si ministër. E kanë sulmuar dhe shkelur dinjitetin e tij për tre arsye: Sepse është shumë i ri, pra nuk i përket botës së tyre të vjetër

Sepse është shumë i pastër, domethënë nuk mund të akuzohet për asgjë. Sepse është nga Prishtina, domethënë se një shqiptar nga Kosova nuk mund të marrë një detyrë kaq të lartë. Por unë nuk e kam zgjedhur Gent Cakën as si kosovar, por si një shqiptar pasionant për politikën dhe për atdheun tonë të përbashkët, i cili prej kohësh tanimë punon për mua, shtetas i Shqipërisë që fillimisht punoi si këshilltar dhe më pas si zëvendësministër i Jashtëm”.

Më tej shefi i qeverisë tha se “Cakaj nuk ka folur asnjëherë gjëra që bien ndesh me politikën tonë të jashtme” dhe se “ai kurrë nuk ka folur për ndryshime kufijsh në Ballkan”.

Po tani?

Tani pritet që Edi Rama të pranojë, ose rikthimin në detyrë të Bushatit, ose propozimin e një emri të ri. Me daljen e mbrëmshme para trupit diplomatik, z.Rama la të kuptohet se Bushati mund të rikthehet në detyrë, kur tha se do të vijojë të jetë pjesë e familjes qeverisëse dhe politike në krye të së cilës ai është.

Njëkohësisht Rama nuk la asnjë dritare të hapur për Cakën, për të vijuar kalvarin me Metën ashtu siç bëri me rastin “Lleshaj”. Kur Meta e rrëzoi Lleshajn, Rama bëri çmos që të mos rrëzohej emri i tij. Ai shpalli emërimin e Lleshajt si zëvendësministër të Brendshëm me kompetenca ministri çka solli dyshime për ligjshmërinë dhe mundësinë e funksionimit të një skeme të tillë.

Më pas Rama u tërhoq dhe iu rikthye Presidentit me kërkesën për ta dekretuar Lleshajn. Kjo u bë vetëm pasi Lleshaj hoqi dorë nga gradat ushtarake.

Në zhvillimet aktuale, Rama duket se e ka të pamundur ta përsërisë të njëjtën skemë. Në skenarin që ai mund t’i japë Cakës kompetenca ministri edhe pse është zv/ministër, Meta ia ka mbyllur të gjitha shtigjet, pasi e ka akuzuar emrin e propozuar nga Rama si shkelës penal të ligjit. Nuk është çudi që Meta apo Presidenca që ai drejton të shkojë dhe më larg duke kërkuar ndjekje penale ndaj Cakës, pasi në deklaratën e tij dhe shkresën dërguar Ramës, i kujton faktin se “Cakaj ka qëndruar shtatë muaj si zv/ministër i Jashtëm, pa certifikatë sigurie në kundërshtim me ligjin duke konsumuar shkelje penale që dënohet sipas legjislacionit në fuqi”.

 

 

DEKLARATA E RAMËS

Plan për rritje të ndikimit shqiptar në Ballkan

Kryeministri shpalli më pas para trupit diplomatik, planin e qeverisë për rritje të komunikimit në rajon, sidomos për Kosovën dhe për shqiptarët në Serbi, Maqedoni dhe Malin e Zi dhe shtoi:

“Do të punojmë për një rajon që të jetë vendi ku e ardhmja e fëmijëve tanë, shqiptarë, serbë, malazezë, maqedonas, boshnjakë, të mos jetë si e djeshmja që mesa duket e kemi shumë të vështirë ta lëmë pas”, - deklaroi z.Rama.

 

MPJ I NGRIRË

 

Bushati, pikëpyetjet nëse do të jetë ende MPJ

 

Në takimin e djeshëm në Kryeministri me trupin diplomatik, merrnin pjesë ambasadorë dhe zyrtarë të tjerë diplomacie të akredituar në Shqipëri dhe diplomatë shqiptarë nëpër botë. Në pritje ishte i pranishëm dhe ministri i shkarkuar nga Edi Rama, Ditmir Bushati. Ai foli në cilësinë e ish ministrit të Jashtëm, kur përmendi punën e bërë derimë tani.

Në fjalën e tij të shkurtër, Bushati - edhe pse Presidenti nuk e dekretoi shkarkimin e tij dhe as emërimin e shqiptarit nga Kosova, Gent Cakaj - la të kuptojë se nuk do të jetë në vijim MPJ, kur foli për punën voluminoze të bërë sidomos për marrëveshjen me Greqinë dhe shprehu falënderime për bashkëpunimin që kishte pasur me ekipet e punës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: