Moti i keq paralizon vendin, situata sipas qarqeve

Moti i keq paralizon vendin, situata sipas qarqeve
Shqipëria vazhdon të jetë e mbërthyer nga temperaturat e ulëta, ndërsa në të gjithë vendin kanë rënë reshje të shumta dëbore dhe shiu.

Situata paraqitet dramatike në pjesët veriore të vendit.

Trashësia e dëborës në qytetin e Peshkopisë po i afrohet 50 cm, ndërsa në zonat e larta mbi 80 cm.

Njësitë administrative të cilat janë tërësisht të bllokuara: Selishta, Arasi, Sllova, Kala e Dodës, Reçi dhe shumica e fshatrave të komunës Melan janë tërësisht të bllokuara.

Akset nacionale Peshkopi-Tiranë dhe Peshkopi-Kukës janë te kalueshëm me shumë vështirësi.

Sakaq, është pezulluar mësimi në qarkun Dibër, Korçë dhe në zonat e Pukës dhe Fushë-Arrëzit. Edhe në Qarkun e Gjirokastrës në pjesën më të madhe të shkollave dje nuk është zhvilluar mësim. Sikundër edhe në qarkun Kukës, ku me përjashtim të pak shkollave në qytet, në të gjitha institucionet e tjera arsimorë nuk është zhvilluar proces mësimor.

Pardje, MAS tha se mësimi është ndërprerë në 280 shkolla, por e njëjta situatë ishte edhe dje.

Në Korçë janë bllokuar zonat e Mokrës, Panaritit dhe Gorës, ndërsa ka probleme të mëdha me lëvizshmërinë e mjeteve në pjesën më të madhe të rrugëve ku është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve.

I vetmi aks i bllokuar totalisht është ai në Devoll, Miras-Arrëz ku dëbora ka shkuar mbi 70 cm.

Ndërsa Rruga e Kombit është e kalueshme me zinxhirë por në disa akse ka probleme.

Po ashtu në shumë zona të thella të qarqeve Kukës, Dibër dhe Korçë ka mungesë të energjisë elektrike.

Trashësia shkon në 1 metër në Korçë, gjysmë metri në Bulqizë.

Por edhe Thethi dhe Vermoshi në veri vijojnë të jenë të bllokuara si pasojë e dëborës.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: