MOTI I FTOHTË/ Temperaturat e ulëta, shkollat pa ngrohje, shkurtohen orët e mësimit

MOTI I FTOHTË/ Temperaturat e ulëta, shkollat pa ngrohje, shkurtohen orët e mësimit
Ministria e Arsimit bën me dije se nuk ka një vendimmarrje për mësimin për shkak të motit në të gjithë vendin. Por situata po ndiqet nga Drejtoritë Arsimore, të cilat do të marrin edhe masat sipas rastit

I gjithë territori i vendit është nën pushtetin e acarit. Në ditën më të ftohtë të këtij fillim viti, shkollat detyrohen të shkurtojnë orët e mësimit.

Edhe në Tiranë, qëndrimi i nxënësve në klasa ka qenë i vështirë, veçanërisht në ato shkolla që nuk kanë sistem ngrohje.

Për shkak të temperaturave shumë të ulëta gjatë natës, kaldajat në disa institucione kanë shfaqur probleme.

Nxënësit tregojnë se kanë qenë orë të ftohta mësimi, ndërsa drejtues të arsimit në kryeqytet thonë se për shkak të ditëve të ftohta kanë marrë masa për reduktimin e orëve të mësimit.

Në rrethe, situata paraqitet edhe më problematike.

Në Korçë dhe në Kukës, dy qarqet ku temperaturat kanë arritur nivelin më të ulët në vend disa shkolla nuk kanë zhvilluar mësim. Ndërkohë, në shkolla të tjera mësimi u bë me orar të shkurtuar për shkak të temperaturave të ulëta.

Kurse nxënësit e shkollës 9-vjeçare "Martin Trushi" në Shkodër protestuan ditën e djeshme për heqjen e ngrohjes me gaz dhe vënien në punë të kaldajës.

Temperaturat shënuan nivele nën zero, por në të gjitha shkollat e Bashkisë së Durrësit, sistemet e ngrohjes nuk ekzistojnë. Mijëra nxënës detyrohen të qëndrojnë të veshur me xhupa, kapuçë e doreza në klasa, duke cenuar zhvillimin e një procesi normal mësimor.

Ministria e Arsimit bën me dije se nuk ka një vendimmarrje për mësimin për shkak të motit në të gjithë vendin. Por situata po ndiqet nga Drejtoritë Arsimore  të cilat do të marrin edhe masat sipas rastit.

Po kështu, Ministria e Arsimit konfirmon se të gjithë drejtoritë arsimore në rrethe janë rekomanduar të marrin masa sipas situatës së motit në zonat përkatëse.

Ndërkaq, edhe pse ditët e para të muajit dhjetor kanë filluar me rëniet e temperaturave në vlera shumë të ulëta ditët në vazhdim prite të ketë një rritje të ndjeshme të temperaturave.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: