MINISTRI I POPULLIT - KOMENT NGA FRROK ÇUPI

MINISTRI I POPULLIT - KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Demokracia po rrëshqet pak nga pak, si një ‘landslide’ në shira vjeshte të vonë.

Pika më e fundit ku u duk ‘rrëshqitja’ e dherave demokratik ishte debati mes nesh mbi ministrat: ‘A është ministër i mirë, apo ministër jo i mirë?... A është i ri, apo është i vjetër? A ka marrë nota të mira në shkollë, apo ia kanë skuqur veshin mësueset?... A është nga Kosova, apo nga Skrapari?...’. Të gjithë i mbushën faqet e internetit dhe të mediave të tjera. Masat popullore, përmes mjeteve moderne të kohës, zbritën në fushën e vjetruar të ‘vijës së masave’.

Nuk është thjesht një naivitet pjesëmarrja masive në punët e ‘ministrave të popullit’. Përtej naivitetit qëndrojnë disa synime dhe marrëzi- njëkohësisht.

Marrëzia është e njerëzve që nuk kanë në kokë asnjë pikë dijeje për demokracinë; këta edhe kur u sulën drejt monumentit të diktatorit Hoxha në vitin ’91, bënë një punë ‘revolucionare’ që u kërkohej. Ashtu si edhe sot, kur thonë se ‘banorët e Unazës’ le t’i mbajnë tokat e pushtuara’- njësoj shkojnë në front ku i thërret dikush... Këtu ka rënë kjo pjesë e demokracisë.

Ndërsa synimet janë të tjetërkujt:

Synimet që ta quajnë ministrin ‘të popullit’, janë të politikës. Këta venë një shkëndijë në fundin e këmbëve të njerëzve që ndizen menjëherë me kushtrimin se ministri është ‘i popullit’, dhe politikanët e përdorin për vete këtë shpërthim marrëzie. A e dini se një pjesë e protestave ‘të verbra’ demokratikisht, shiten nga politikanët; shitën si mall- ose te qeveria për influenca politike, ose për para në dorë nga pasanikët e prekur prej protestave ‘të verbra’.

Pse janë të verbra?... Sepse njerëzit gëlltisin një gjellë që nuk duhet gëlltitur: Nuk ka dhe nuk mund të ketë ‘ministër të popullit’- siç u zhvillua debati më i fundit. Ministrat nuk zgjidhen nga populli në një sistem vlerash demokratike; aq më pak në regjimin e Republikës Parlamentare siç kemi zgjedhur të jetojmë. Ministrat zgjidhen nga kryeministri, dhe, kryeministri- nga votat në zgjedhje... Politika që ia mbush mendjen popullit mbi formulën ‘ministër i popullit’, ka një synim shumë djallëzor: Nëse populli do ta ‘hajë’ këtë formulë të sheqertë, atëherë duhet të dorëzojë demokracinë. Pse do t’i duhej popullit ‘Demokracia’, nëse edhe ministrin e zgjedh vetë... Atëherë do t’i duhej popullit që të mbante përgjegjësi për përmbytjet nga stuhitë, për zjarret, për tërmetet, për kolerën, për diplomacinë, për mbrojtjen e vendit, për ushqimin e popullatës...

Nëse populli do të hante ‘ushqimin e ëmbël’ se ti qeveris!, ti zgjedh ministrin!, zgjedh të drejtën!, bën arkitekturën dhe operën!, buxhetin dhe planin!, atëherë i bie që ‘populli’ të lërë parmendën në arë dhe të rrokë armën për të mbrojtur edhe kufirin andej nga vjen rreziku... Ky ishte momenti para 25 shekuj që populli shpiku Demokracinë.

Mirëpo a i bën nder ‘popullit’ ta ngarkosh edhe me detyrën ‘e ministrit’?. Këta që e mashtrojnë se ‘ministrin e zgjedh populli’ , këta i bëjnë varrin krijesës shpëtimtare 2,500 vjeçare të ‘popullit’.

Ideja është shumë më e afërt:

‘Populli’ thërritet në betejë idiote sa herë politika do që të realizojë qëllimet e veta. Praktikisht sot, politika opozitare nuk ka alternativë, nuk ka as kauzë, nuk ka as mundësi për të prirë popullin në rrugë demokratike. Atëherë i hedh ndër këmbë ‘dhuratën’ se ministrin e zgjedh populli. Pastaj i hedh ndër këmbë: A më mirë student ngelës, apo student exellence? Populli përgjigjet se ‘gjynah ata që ngelin, edhe ata të jenë njësoj”. Pastaj e pyet se çfarë të duhet shkolla? Dhe ‘populli’ ka zgjidhjen më të lehtë: “E çfarë na gjeti ne që nuk kishim shkollë!... për bukuri jemi!’. Pas kësaj ‘populli’ zgjedh që të mos punojë më, sepse ‘punojnë ata në Europë, ne na del e na tepron’.

Pastaj nuk na duhet më Demokracia... ‘kemi jetuar edhe pa demokraci, e ç’na gjeti!’.

Për epokën e ‘pa- demokracisë’ ka qenë tipike paradigma ‘’ demokracia popullore’, ‘ministri i popullit’, pastaj ‘ushtria e popullit’, pastaj ‘gjykata e popullit’, pastaj edhe ‘diktatura e popullit që quhej ‘diktaturë e proletariatit’. Nëse sot do të ‘udhëtoni’ ditë e natë nëpër shkencën politike të Perëndimit, nuk keni për të gjetur kurrë nocione si ‘ministër i popullit’, ‘gjykatë e popullit’, ose edhe ‘drejtësi e popullit’. Vetëm në vende si Kina, Koreja e Veriut, Laosi...., e gjen me shumicë.

Atëherë kthehemi: ose të sistemojmë mjetet e demokracisë, ose ta lëmë të shkojë... Një Demokraci me parime të sakatuara nuk reziston; as edhe një praktikë nuk jeton pa një teori Demokracie.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press