Meta: Cakaj ka bërë shkelje penale, duhet të dënohet sipas ligjit në fuqi

Meta: Cakaj ka bërë shkelje penale, duhet të dënohet sipas ligjit në fuqi
Të gjitha arsyet pse Presidenti i Republikës refuzoi shqiptarin nga Kosova për MPJ të Shqipërisë

Kandidati i kryeministrit për ministër të Evropës dhe Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, ka konsumuar elementë vepre penale të cilat dënohen sipas legjislacionit në fuqi, thotë presidenti i Republikës, Ilir Meta, duke shpallur vendimin e tij për të refuzuar emrin e Ramës për në krye të MPJ.

Në shkresën e gjatë dërguar kryeministrit Edi Rama, jepen një numër argumentesh pse u refuzua emri i Gent Cakajt, 28 vjeç, shqiptar i Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht me shtetësi të Shqipërisë, për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Fillimisht Presidenti i Republikës, evidenton se “pozicioni i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme është një nga postet më të rëndësishme në kabinetin qeveritar, aq më tepër tani kur vendi është pjesë e Trojkës së OSBE-së dhe në më pak se një vit përgatitet të marrë kryesimin e saj, një hap historik dhe një përgjegjësi që kapërcen kufijtë e Shqipërisë dhe rajonit tonë”. Ai thekson edhe faktin se “ditët, javët dhe muajt e ardhshëm janë vendimtarë sepse Shqipëria është përpara vendimit jetik për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian në qershor 2019”.

Për Metën, përparimi i Dialogut Kosovë – Serbi me qëllim forcimin e perspektivës evropiane të të dy shteteve është gjithashtu një nga zhvillimet më të rëndësishme të rajonit”.

Në këtë pikë, z.Meta vlerëson se “në mungesë të kohës për të eksperimentuar e provuar kapacitetet dhe aftësitë e ministrit të propozuar përballë sfidave aktuale madhore për vendin dhe interesat kombëtare të tij, gjykoj se në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet një individ i sprovuar dhe efikas, me njohje të plotë të përgjegjësive shtetërore, kombëtare dhe administrative, i vetëdijshëm për impaktin e madh dhe vendimtar që do të ketë në politikën e jashtme, veçanërisht në muajt e ardhshëm, por edhe gjatë kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria që është një përgjegjësi historike për vendit tonë”.

Presidenti më tej vlerëson se “profili i z. Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”.

Menjëherë më pas, vijnë dhe kritikat për Cakajn:

“Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme”.

Këtu Meta evidenton deklaratat e z.Cakaj për korrigjim kufijsh mes Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se ato, “janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme”.

Meta i quan ato, “deklarata të rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian”.

Presidenti vlerëson se “përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon”.

Sakaq, Presidenti ka gjetur dhe probleme të tjera me kandidatin e Ramës për MPJ, duke paralajmëruar ndjekje penale ndaj Cakajt.

“Gent Cakaj ka treguar mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës së Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke neglizhuar zbatimin e ligjit dhe akteve nënligjore që garantojnë qarkullimin e sigurt të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror. U emërua zv/ministër i Jashtëm pa u pajisur me certifikatën e domosdoshme të sigurisë”.

Kjo, thotë Presidenti është “shkelje penale e dënueshme sipas legjislacionit në fuqi” dhe vijon: “Për më tepër, Cakaj ka plotësuar formularin e aplikimit vetëm më 03 janar 2019 (3 ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër të MEPJ). Por, “Cakaj, me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mospajisjen me certifikatat përkatëse të Sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor”.

Ndërkohë, Meta vëren se “procesi i certifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj i kryer nga DSIK brenda një dite (04 01.2019), duket hapur që është një proces i kryer në kushtet e urgjencës, dhe në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat e ligji “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”.

“Në formën se si është kryer, procesi i verifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klafisikuar (DSIK), - vëren Presidenti.

Një tjetër problem është se Cakaj disa vite ka jetuar në Belgjikë dhe Hungari, por, edhe pse ligji e kërkon, asnjë verifikim nuk është kryer atje edhe pse Cakaj u emërua zv/ministër i Jashtëm.

Në këto kushte, Presidenti shpalli zyrtarisht se e rrëzon kandidaturën e Cakaj për MPJ dhe nuk pranoi as shkarkimin e MPJ ekzistues, Ditmir Bushati. Tani pritet që Edi Rama të pranojë, ose rikthimin në detyrë të Bushatit, ose propozimin e një emri të ri. me daljen e mbrëmshme para trupit diplomatik, z.Rama la të kuptohet se Bushati mund të rikthehet në detyrë. Njëkohësisht ai nuk la asnjë dritare të hapur për Cakën, për të vijuar kalvarin me Metën ashtu siç bëri me rastin “Lleshaj”.

 

Rama, mesazh Presidentit: Refuzimi i MPJ është i turpshëm

Kryeministri Edi Rama, e konsideroi të turpshëm vendimin e Presidentit të Republikës, për dekretimin e Ministrit të ri për Europën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Për z.Rama ky vendim, “është jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm”.

Kryeministri deklaroi pak minuta pas daljes së vendimit presidencial, se “argumentet e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin”.

Duke e mbyllur reagimin, z.Rama shprehet “Ndjesë Kosovës për këtë turp”.

 

Meta i përgjigjet ashpër Ramës: “Sa të jem President do të garantoj pavarësinë e Kosovës”

Deklarata e Edi Ramës pasoi reagimin e kryetarit të shtetit, duke ndezur edhe më shumë luftën mes tyre. Ndërsa Rama i kërkoi ndjesë Kosovës që Meta nuk dekretoi Cakën, Presidenti, doli me një reagim, duke thënë se sa të jetë ai në krye të shtetit shqiptar, nuk do të mbështeten ndryshime kufijsh. “Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”.

 

Baton Haxhiu, letër Presidentit: Po bën gabim historik

Analisti dhe gazetari i njohur, drejtori i “Klan Kosova” në Prishtinë, Baton Haxhiu, i njohur dhe si këshilltar i kryeministrit Edi Rama, i ka dërguar një letër Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, në lidhje me Gent Cakajt, emrin e propozuar nga Rama për minister të Jashtëm.

Presidenti Meta sot doli me vendimin për të mos e dekretuar Cakajn si minister, ndërsa Baton Haxhiu thotë se “Meta ka bërë një gabim historik”.

Letra nis me shpërfillje të dukshme ndaj institucionit të Presidentit, kur i shkruan Metës: “Për dekretimin e ministrave të propozuar, roli yt, Ilir, është thjeshtë ceremonial”.

Kurse më tej përdoret një gjuhë në kufijtë e kërcënimit apo paralajmërimit:

“Në rast se do ta shfrytëzosh zbrazësitë në sistemin gjyqësor të Shqipërisë për llogari ditore politike dhe i ndikuar nga vala e paparë e thashethemeve të ditëve të fundit, Ilir, jo vetëm që nuk do të mundësoni emërimin në detyrë të një njeriu që përfaqëson shpresë në shoqëri dhe sjell dije në institucione por, në fakt, do të vulosni ndarjen e thellë institucionale midis Kosovës dhe Shqipërisë. Midis shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë”.

Në fund të letrës, Baton Haxhiu lëshon një tjetër paralajmërim i ashpër: “Po gabon shume dhe mos shko më tej në këtë gabim historik”.

 

Letra e Batonit, deputeti Liburn Aliu: Kërcënoi Presidentin

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu ka reaguar ndaj letrës që Baton Haxhiu i ka dërguar Presidentit Ilir Meta. Në letër, Haxhiu shprehej me nota të ashpra ndaj kreut të shtetit shqiptar për mosdekretimin e Gent Cakaj.

Liburn Aliu thotë: “Kërcënim i UDB-së mbi Presidentin e Republikës së Shqipërisë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: