Mavraj rikthehet si “shpëtimtar”, Hysaj në “rrjetën” e Tares

Mavraj rikthehet si “shpëtimtar”, Hysaj në “rrjetën” e Tares
Aranit Muraçi

Merkatoja e janarit ka nisur me ndryshime dhe zyrtarizimet e para për kuqezinjtë e drejtuar nga Christian Panucci. Në pritje të së ardhmes së Eros Grezdës te Glasgou, Bekim Balaj në Rusi, është zyrtarizuar rikthimi i Mavrajt në Gjermani sikurse pritet largimi i Hysajt nga Napoli.

Mërgim Mavraj

Mbrojtësi kuqezi, Mërgim Mavraj, ishte i parë ndër radhët e Kombëtares Shqiptare që ndryshoi ambient gjatë janarit. Ai u largua nga skuadra e Arisit të Selanikut, duke nënshkruar për skuadrën gjermane të Bundesligës 2, Ingolstad. Mavraj njoftoi se firmosi një kontratë që do ta mbajë kapitenin e kombëtares në Gjermani deri në vitin 2020. Mbrojtësi 32-vjeçari u shpreh pas kësaj lëvizjeje i kënaqur me ambientin që ka gjetur, pavarësisht pozitave të vështira të skuadrës. “Ingolstad nuk është në një moment të mirë, por unë jam këtu për të ndihmuar në maksimum skuadrën. Duhet të largohemi sa më shpejt nga vendi i fundit në renditje. Erdha këtu se më pëlqen sfida dhe projekti i Ingolshtad është një sfidë që e pranova me shumë dëshirë.” Ai foli edhe për të ardhmen si kapiten i Kombëtares shqiptare. “Është një nder dhe përgjegjësi e madhe për mua. Nuk kthehem asnjëherë pas në kohë që të shikoj gjërat negative që mund të kenë ndodhur. Shoh vetëm përpara dhe jap maksimumin në çdo minutë që luaj, për cilëndo skuadër që luaj”, - u shpreh  Mavraj.

Elseid Hysaj

Në ndeshjet e fundit me Napolin mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Elsied Hysaj është lënë në stol nga trajneri Carlo Anelotti dhe vendimi lidhet me largimin e tij të mundshëm gjatë janarit.  Elseid Hysaj nuk po gjen të njëjtat hapësira si vitin e kaluar te Napoli, ndërsa agjenti i tij është ankuar me lënien e papritur në stol, duke shtuar thirrjet e sirenave të tregut. Jo vetëm Chelsea, që drejtohet nga trajneri i tij i preferuar Sarri, por destinacioni i mundshëm mund të jetë edhe Lazio. Igli Tare, drejtori sportiv i “biancoceleste”, patrioti i Hysajt, ka shfaqur së fundi interes, ndonëse mediat italiane raportojnë se nuk ka gjasa që presidenti Aurelio De Laurentiis ta shesë atë në një ekip rival, duke pasur parasysh moshën e re të ish-lojtarit të Empolit. Dhe, rrjedhimisht, Lazio vështirë se mund të përballojë të paguajë një shumë të tillë aq të madhe sa ai që do të kërkojë për mbrojtësin kuqezi, raporton “Il Messaggero”. Vetëm Chelsea, me një shifër mbi 40 mln euro, mund të bindë Napolin për të blerë gjatë këtij muaji mbrojtësin kuqezi.

Vlerësimi

Ledion Memushaj, 11-shja ideale e Seria B

Ledion  Memushaj pjesë e Serisë B në Itali, me fanellën e Peskarës ka mbyllur vitin 2018 me vlerësimet më të larta. I njohur ndryshe edhe si “njeriu-asist”, mesfushori i Kombëtares Shqiptare është një nga më të mirët e kategorisë së dytë në kampionatin italian. Për rrjetin që transmeton Seria B, eksperti i “DANZ”, Stefan Shvok, e ka vendosur mesfushorin vlonjat në 11-shen më të mirë të pjesës së parë të këtij sezoni. Në Seria B aktivizohen me sukses edhe disa lojtarë të tjerë kuqezi, si Giacomo Vrioni, apo Emanuele Ndoj.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: