KUVENDI/ Komisioni “Cakaj” dhe dekreti “Shaqiri”, dy çështjet e nxehta të seancës së sotme

KUVENDI/ Komisioni “Cakaj” dhe dekreti “Shaqiri”, dy çështjet e nxehta të seancës së sotme
Kuvendi i Shqipërisë ka dy çështje të nxehta në axhendën e sotme.

Në seancën plenare do të diskutohet dekreti i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për emërimin e Bahri Shaqirit në postin e rëndësishëm të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Vendi është bosh pasi Bujar Leskajt i ka mbaruar mandati që në dhjetorin e kaluar.

Për emrin e Shaqirit, Komisioni i Ekonomisë ka refuzuar kandidaturën si “pa formim specifik dhe eksperiencë në fushën e auditit”.

Votimi i emrit të Shaqirit vjen në një situatë të acaruar mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Meta, pasi ky i fundit refuzoi dekretimin e Gent Cakajt si ministër të Jashtëm.

Pikërisht zv/ministri që tashmë ka kompetencat e deleguara të ministrit, do të jetë në fokus të temës së dytë të nxehtë në seancën e sotme plenare.

Opozita ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, për të zbardhur mënyrën se si zv/ministri u pajis me certifikatë sigurie brenda 24 orëve dhe si ka administruar dokumentacion sekret pa qenë i pajisur me këtë certifikatë për 7 muaj që ka ushtruar funksionin.

Mënyra e dyshimtë e marrjes së kësaj certifikate ka qenë edhe një nga argumentet me të cilat Meta rrëzoi kandidaturën e Cakajt si ministër. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google