Kukësi-Partizani, “kush do të rikthehet më i fortë” nga Antalia!

Kukësi-Partizani, “kush do të rikthehet më i fortë” nga Antalia!
Dy ekipet kryesuese vijojnë intensivisht merkaton dhe rivalitetin mes tyre gjatë përgatitores në Turqi. Të kuqtë konfirmojnë blerjen e tretë dhe kanë gati firmën e radhës. Partizani i Skënder Gegës e mbyll planin e miqësoreve ku do të testohen të sapoardhurit me Dinamon e Zagrebit 

Aranit Muraçi

Në Antalia, ku vijojnë fazën përgatitore të dimrit, Kukësi dhe Partizani vijojnë merkaton dhe gjithashtu kanë bërë konkret edhe planin për ndeshjet miqësore. Kukësi pas blerjes së dy lojtarëve të Luftëtarit, Rrocës e Shkurtajt, ka larguar Donjet  Shkodrën dhe është aktualisht në bisedime me një lojtar të huaj.

Nga ana tjetër Partizani, sot zhvillon ndeshjen e parë miqësore me ekipin e Sivasporit, për të vijuar të premten takimin tjetër ndaj Antalyaspor dhe në mbyllje të kësaj minifaze përgatitore Demat e kuq do të përballen me ekipin e Dinamos së Zagrebit. Gjatë ditës së djeshme në Antalia Partizani prezantoi dhe blerjen e tretë: Dilaver Duka, 29-vjeçari, që vjen nga Amerika. Lajmin e ka konfirmuar klubi i kuq në faqen zyrtare, ndërkohë që edhe drejtori Olsi Rama e kishte konfirmuar ardhjen e këtij futbollisti më parë. Duka është afrimi i tretë për skuadrën e kuqe në merkaton e dimrit, pas Fatjon Jusufit dhe Alesio Hysenit. Ai më herët ka luajtur me FC Motoun në SHBA. Gjithashtu konfirmohet se Partizani ka arritur akordin me sulmuesin ganez Këame Karikari, i cili ka qenë pjesë e Neftci të Azerbajxhanit. Ai  është monitoruar nga drejtori i Partizanit, Olsi Rama, i cili  ka dhënë edhe pëlqimin për arritjen e marrëveshjes. Karikari vlerësohet një sulmues i ngjashëm me Caleb Ekuban, ganezi që shkëlqeu dy vjet më parë tek të kuqtë.

Partizani e mbylli pjesën e parë të këtij sezoni në kuotën e 37 pikëve, 3 më tepër se Kukësi i vendit të dytë. Merkatoja e dimrit po vërteton se janë pikërisht dy ekipet kryesuese, më aktive në merkato dhe që do të rivalizojnë ashpër për titullin kampion mes tyre deri në fund. Ndonëse Teuta dhe Skënderbeu kanë gjithashtu ambicie për trofeun, me zhvillimin e ngjarjeve,  pas mbylljes së përgatitjeve dhe merkatos për dy ekipet kryesuese, do të përforcohet edhe më shumë ideja se pjesa e mbetur e këtij kampionati do të jetë dy ekipe rivale për titull: Partizanin dhe Kukësin.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: