Kryemadhi, Ramës: Tërhiqu, ndryshe do të tërheqin studentët!

Kryemadhi, Ramës: Tërhiqu, ndryshe do të tërheqin studentët!
Kryetarja e LSI-së: I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm të mos lejojë goditjen e studentëve nga ana e policisë

ALBANIAN FREE PRESS – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, doli dje në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp dhe dënoi dhunën që policia ka përdorur siç tha ajo, orët e fundit ndaj studentëve.

“Këta policë harrojnë që nesër do të kenë fëmijët e tyre dhe një polic tjetër do t’ju rrahë fëmijët. Këta policë harrojnë që paguhen më paratë e qytetarëve shqiptarë ose sjellja e tyre e turpshme në fakultetin Juridik apo edhe në fakultetin Ekonomik, nuk tregon gjë tjetër vetëm se këta policë paguhen me paratë e drogës, - tha zonja Kryemadhi.

Kurse apeloi: “I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm si dhe si praktikant i Kishës Katolike që beson në Zot të mos lejojë policët të vendosin dorë mbi fëmijët e shqiptarëve, të besojë vërtetë në Zot, ashtu siç kërkojmë falje në kishë për mëkatet tona që bëjmë me fjalë, me vepra dhe me mendime, por edhe më lëshime, lëshime z. Lleshi janë që të mos veprosh ndaj këtyre kriminelëve që godasin fëmijët e shqiptarëve”.

Një apel Kryemadhi e kishte dhe për drejtuesit në universitete: “I bëj thirrje rektoratit dhe dekanateve që të kenë kujdes me sjelljen e tyre, sepse sot ata mund të jenë bashkëpunëtorë të Edi Ramës, por nesër ato do të jenë viktimat e para të thertores së Edi Ramës. Edhe ai pedagog që sot është në prag pensioni, që mendon se duke bërë një marrëveshje me Edi Ramën apo me stafin hartues të Kryeministrisë të VKM-së famëkeqe, ku kthen inkuizicionin dhe thertoren ndaj integritetit të Universitetit shqiptar, duhet të jenë shumë të kujdesshëm sepse ata do të jenë viktimat e para. Dhe jo vetëm që do të humbasin historikun e tyre akademik në universitetet shqiptare, por do të humbasin dhe pensionin e famshëm, të cilët nga një pension profesori do të përfundojnë në një pension social, në mos edhe me përballjen penale”.

Po ashtu Kryemadhi iu drejtua edhe pedagogëve: “I bëj thirrje të gjithë atyre pedagogëve me integritet dhe dinjitet, ashtu siç i kanë përkrahur dhe vazhdojnë ti përkrahin studentët. Është detyra e tyre dhe është misioni i tyre, për të përkrahur studentët jo vetëm në protestat e tyre, por t’i përkrahin ata, ti ndihmojnë ata, për të qenë studentë të ditur, për të qenë studentë që meritojnë që të ketë Shqipëria një rini me të ardhme të ndritur dhe me të ardhme të sigurt”.

Në këtë pikë, zonja Kryemadhi vlerësoi se “sot përfundimisht ne kemi përballë një njeri, që përveçse është peng i krimit të organizuar, është peng i substancave sintetike që tashmë nuk kanë më kthim mbrapa për të”.

Ajo lëshoi dhe këtë apel të fortë: “I bëj thirrje doktorit personal dhe doktoreshës personale të z.Rama, zonjës Mira Rakaçolli dhe doktor Perlatit që ta ndalojnë Edi Ramën në rrugën e tij të përdorimit të substancave, ta fusin në një qendër detoksifikimi, në mënyrë të tillë që të shpëtojë ato pak vite që i kanë ngelur, ose në të kundërt ai e di shumë mirë që me sëmundjen e tij që ka, të astmës dhe të mushkërisë, përdorimi i këtyre substancave narkotike-sintetike do të shkatërrojë çdo ind dhe çdo nerv të mushkërive të tij dhe nuk më kthim mbrapa”.

Në fund, Kryemadhi dha një mesazh edhe për vetë Ramën e njëkohësisht edhe për familjet e studentëve: “Duke pasur parasysh që ky njeri i çmendur që tashmë ka marrë peng të ardhmen e Shqipërisë, duhet të kuptojë njëherë e mirë që duhet të tërhiqet. Nëse nuk tërhiqet ai, do ta tërheqin studentët shqiptarë, do ta tërheqin ato djem dhe ato vajza që segmentet e tij kriminale të policisë së shtetit i rrahën dhe i goditën. Sot, më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për solidaritet kombëtar, por edhe prindëror sepse sot janë rrahur ata studentë, nesër do të rrihen fëmijët e tjerë”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: