KONFERENCA/ Basha: Qeveria vjedh, Policia rreh studentët, Prokuroria hesht. Po shkojmë në konflikt civil

KONFERENCA/ Basha: Qeveria vjedh, Policia rreh studentët, Prokuroria hesht. Po shkojmë në konflikt civil
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një dalje për mediat, kërkoi hetim për kompanitë private që kanë marrë me koncesione mirëmbajtjen e rrugëve.

“Kjo e shtunë vazhdon të ngelet e vështirë për mijëra familje të izoluara nga bora, ndërkohë që qindra milionë euro janë vjedhur nga qeveria në bashkëpunim me oligarkë dhe me kompani të papërgjegjshme. Në vend që të bëjnë pastrimin e segmenteve rrugore, kanë vjedhur paratë dhe po i shijojnë ato me pushime luksi. Unë i bëj thirrje prokurorisë që të nisë hetimet se ku kanë shkuar lekët e taksa paguesve shqiptar që kanë përpirë këto kompani, dhe të marrin përgjegjësi. këto para duhet t’i rikthehen taksapaguesve. Dua të falënderoj dhjetëra aktivist të shoqërisë civile dhe të PD që në këto 72 orët e fundit ia kanë dalë që të çajnë disa prej fshatrave duke i furnizuar me ushqime”, tha Basha.

Njëkohësisht ai kërkoi anulimin e tenderit të Unazës së Re, si tender abuziv dhe korruptiv.

“Është përgatitur edhe rimanipulimi i këtij loti, janë bërë kërkesa qesharake. Ky tender duhet anuluar i tëri, çdo hap e në veçanti të tilla si ky me rezultate të paracaktuara , vinça 400 tonësh, janë qesharake”.

Basha theksoi se. Edhe pse e kapur në një skandal të madh me falsifikimin e dokumenteve, qeveria po përgatitet për manipulimin e radhës, ndërsa kërkoi ndërhyrjen e Prokurorisë.

“Jo vetëm shteti ishte në dijeni, po ishte pjesëmarrëse në procesin e falsifikimit. I vetmi person që ka fuqi të detyrojë agjencinë e prokurimit të kryejë një procedurë me letra false, është kryeministri i vendit Edi Rama. Hetimet për Ramën, Gjiknurin e Qendron duhet të kishin nisur prej kohësh. Heshtja e prokurorisë e bën atë bashkëfajtore e bashkëshkelëse të ligjit. Sot çdo shqiptar e ka të qartë se pse një vit më parë u emëruar Arta Marku. Kjo i vë kapakun pyetjes ku ka përfunduar reforma në drejtësi. Për Ramën Gjiknurin e përfituesit e këtij tenderi korruptiv do të veprojë paketa antimafia”, tha Basha.

Kryetari i opozitës dënoi edhe futjen e policisë në ambientet universitare, duke cenuar autonominë dhe statusin e tyre.

“Jemi i vetmi vend në Europë dhe Botë ku policia është futur në ambiente universitare ku studentët po protestojnë më ligj. Ligji për arsimin e lartë e thotë qartë se ndërhyrja e policisë bëhet me kërkesë të titullarit, cenimi i paprekshmërisë ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. I bëj thirrje prokurorisë të hetojë. Me heshtjen e saj ajo po provon se është bashkëfajtore me falangat kriminale të një të marri që ka urdhëruar dhunimin e studentëve”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike nënvizoi se dhuna e policisë dhe heshtja e prokurorisë mund të sjellë pasoja shumë të rënda, deri në konflikt civil.

Kjo shkelje flagrante e ligjit po shtyn vendit drejt një konflikti civil. Pasi kanë vjedhur e zhvatur paratë e prindërve, të taksapaguesve të infrastrukturës tani po dhunojnë edhe fëmijët. I bëj thirrje Edi Ramës të ndalë represionin ndaj studentëve, ndal dhunën psiqike e fizike ndaj tyre. Çdo shtyrje e mëtejshme në këtë drejtim do të shtyjë vendin në konflikt civil”, ishte apeli i fortë i kryetarit të opozitës. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: