Koncesioni i TEC-it të Vlorës, Shehaj: Rama ka përjashtuar kompanitë e huaja, Gjiknuri ka firmosur

Koncesioni i TEC-it të Vlorës, Shehaj: Rama ka përjashtuar kompanitë e huaja, Gjiknuri ka firmosur
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka reaguar së fundmi lidhur me hapjen e procedurave për dhënien me koncesion të TEC-it të Vlorës.

Përmes një postimi në Facebook, Shehaj shprehet se kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri po ia japin me koncesion për 20 vite një privati TEC-in e Vlorës, i cili iu ka kushtuar shqiptarëve 120 milionë euro.

Sipas demokratit, Rama ka përjashtuar kompanitë e huaja ndërkohë që paralajmëron se me 15 janar do të bëhet publik se cili nga klientët e Ramës do ta marrë siç e quan ai këtë “dhuratë”.

“Për koncesionin e TEC-it te Vlorës Rama praktikisht ka përjashtuar kompanitë e huaja. Në orët e fundit të vitit 2018, edhe pse i larguar nga ministër, Damian Gjiknuri ka firmosur hapjen e procedurave për dhënien me koncesion të TEC-it të Vlorës.

Me zero transparence, Rama dhe Gjiknuri kanë vendosur që TEC-in e Vlorës, i cili ka kushtuar deri tani mbi 120 milionë euro me paratë e shqiptarëve, për t’u ndërtuar e mirëmbajtur, t’ja japin në pronësi për 20 vjet një privati.

Detajet e këtij koncensioni do të mësohen në ditët e ardhshme, por ajo që dihet sot është se qeveria kërkon që më datën 15 janar, të gjithë të interesuarit duhet të marrin pjesë në një vizitë në TEC në Vlorë, e cila është e detyrueshme për të marrë pjesë në tender.

Se cila kompani e huaj mund të informohet, vlerësojë dhe vendosë brenda dy javësh në periudhë festash të dërgojë përfaqësues në Vlorë të Shqipërisë, e dinë vetëm Rama dhe Gjiknuri.

Është një histori që përsëritet: pasuritë e vendit, pronat publike dhe paratë publike u jepen klientëve të lidhur me qeverinë, gjoja me “koncesion”, duke rritur me disa fish koston e investimit. Në 15 janar do marrim vesh se cili nga klientët e Edi Ramës do ta marrë këtë dhuratë dhe do të ndajë paratë me “bamirësin””, shkruan ai./f.ç/Albanian Free Press Online/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: