KOMBI SI VEND I KRIMIT - KOMENT NGA FRROK ÇUPI

KOMBI SI VEND I KRIMIT - KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

E dëgjova kryetaren e LSI (në opozitë) dhe njëkohësisht “First Lady’” e Republikës, Monika, duke folur dje në ‘dobi të kombit’. Në emër të kombit ajo bëri thirrje se ‘duhet të ngrihemi!’... për këtë e për atë..., dhe në fund tha direkt: “Ne duhet të luftojmë për ata burra dhe djem, trupat e të cilëve nuk gjenden sot akoma për shkak të krimit”...

Si një ish- student i Drejtësisë, thashë me vete: “Ja si kthehet njeriu te vendi i krimit”...

It’s a miracle!...

... A mund të bëj një pyetje si provë në orën e ‘kriminalistikës’? Të zëmë se jam student, si sot e vite të shkuara, me profesor Enver Begeja, kriminalist:

“Profesor, kam folur me sa e sa njerëz... me gurgdhendës- me ditë të tëra punuam e folëm bashkë por nuk ndodhi që të më thotë dikush se “gurin po e gdhend për kombin”. Edhe hekurkthyesit me të cilët punova në pikën e diellit të verës, nuk thanë kurrë “për kombin’ po e bëj. Sondistët e Gjeologjisë në Spaç, mes akullit e borës, kurrë nuk thanë “për kombin”. As Ahmet Osja, shkencëtar i misrit, nuk tha kurrë “për kombin’ po e bëj. Aleks Buda, skënderbeologu i famshëm, nuk tha kurrë “për kombin’ e bëra. As heroi pa shkollë Met Dervina, as ndërtuesit e tjerë të hidrocentraleve me të cilët fola e fola për intervistat, asnjëherë nuk më thanë se ‘për kombin’ po e bëjmë... As bujq, as studentë, as shkencëtarë, as artistë nuk e kanë thënë kurrë...

Ore, po askush që nuk ka kryer krim, nuk e ka në majë të gjuhës dyfjalëshin: “për kombin”.

Po e vë re këto ditë, pas kaq kohe që intervistova mbi një milionë njerëz e shkrova mbi një milionë artikuj. Tani po e vë re se kombi- përveçse nocioni i shtrenjtë e njerëzve ‘të zotit’, qenka edhe vend krimi për të tjerë.

Që nga mëngjesi deri në mbrëmje, këto ditë të ‘nxehta’ pushtet- shprese, që nga presidenti i republikës e deri te një mëkatar i vjedhjes së tokës në Unazën e Re, të gjithë po betohen “për kombin”.

... Po kthehem te thirrja e Zonës së Parë, Monika Kryemadhi, udhëheqëse e opozitës: Në ‘emër të kombit’ ajo bëri thirrje sot që ‘të ngrihemi!’... për ata burra e djem ‘trupat e të cilëve nuk gjenden sot akoma për shkak të krimit”... Më erdhi në mendje një ngjarje e tmerrshme që mbushi faqet e mediave pak vite të shkuara dhe ku thuhej se ‘në guroret e Dajtit në pronësi të Monikës janë vrarë dy punëtorë, por nuk janë treguar as trupat...’. Pak a shumë këtë raportonin lajmet. Më erdhi para syve profesori i rreptë i kriminalistikës, dhe i dhashë të drejtë se si kthehet njeriu te vendi i krimit. Nuk dua të merrem me Monikën, as me aktorë të tjerë të dyshuar për krime, por vërtet më vjen në mendje teoria e kriminalistikës...

Shiko si e ilustronte profesor Begeja këtë leksion:

“Një shofer kamioni kishte vrarë një pasagjer të tij. E vrau me levë sepse pasagjeri nuk i dha paratë. E futi kufomën në kabinën e makinës dhe vazhdoi udhëtimin drejt Tiranës. Kur erdhi te Ura e Peshkatarit, u ndal në cep të urës dhe bëri sikur i ra goma... Nxori kufomën dhe e hodhi në greminë...”.

Profesori ilustronte:

“Kaluan vite, kufoma u gjet, por jo autori... Pas shumë vitesh shoferi kaloi prapë me kamionin e ngarkuar po te Ura. Ndaloi për ‘ujin e hollë’ po në vendin e krimit, hodhi vështrimin poshtë në lumë dhe belbëzoi me zë të lartë: “Hë qen!, nuk deshe të më japësh paratë, mirë ta bëra”... Profesor Begeja ishte i mençur, shembujt e kriminalistikës i sillte nga ngjarjet dhe fryma e socializmit të kontrolluar...

Tani shiko kush betohet më shumë se ‘për kombin’ po e bëj...

Presidenti i republikës, Ilir Meta, thotë se ‘për kombin’ dhe Kosovën po e krijoj gjithë këtë rrëmujë e tension me odisenë e dekretimit të ministrit të jashtëm. Kombi, kështu goditet në sy të botës si i ‘paaftë për të bërë shtet’. Por ministri i propozuar është një djalë kosovar e presidenti thotë se duke goditur kosovarin, kështu ‘punon për Kosovën’...

Dhjetë banorë të Unazës, që kanë zaptuar tokat e botës në Unazën e Re, thonë se ‘do të gjejnë vdekjen’ ata që janë kundër. Në Natën e Krishtlindjeve e në natën e Bajramit bllokojnë rrugën dhe ndezin goma ‘në emër të kombit’.

Tridhjetë studentë të studiuar në shkollën verore të LSI në Jalë, kanë pushtuar ambientet e universiteteve dhe nuk lejojnë mësimin e 14 mijë studentëve në auditorë; edhe këta në “emër të kombit” e bëjnë.

Qeveria ka ndërtuar një maxhorancë të hekurt (por të sulmueshme), ku nuk ka mundur të hyjë asnjë faktor tjetër, dhe këtë e bëri ‘në emër të kombit’.

Zyrtarët e lartë të shtetit janë mbledhur në bunkerin ku luhen fatet e krimit të tyre dhe janë betuar “nëse doni të na çoni në burg sipas reformës në Drejtësi, ne do të shkatërrojmë gjithçka’. Edhe këta e bëjnë ‘në emër të kombit’.

Tani duhet besuar ‘legjenda’ se këta janë bërë bashkë për shkak se ia dinë njëri- tjetrit krimet kundër kombit dhe duan t’i shpëtojnë Reformës dhe FBI... Por nuk shpëtohet pa i vënë flakën kombit, këta e dinë. Prandaj vdesin ‘për kombin’.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press