Kohë për miqësore, bindëse kryesuesit e Superligës

Kohë për miqësore, bindëse kryesuesit e Superligës
Partizani dhe Kukësi zhvilluan nga një miqësore dje në Antalia përballë ekipeve të Superligës turke, duke mos zhgënjyer në lojë. Skënderbeu fitoi me përmbysje ndaj Tiranës, nuk bind Flamurtari

Aranit Muraçi

Gjatë përgatitores në Antalia, Kukësi dhe Partizani kanë bindur në ndeshjet e para miqësore, me kundërshtarë tepër të fortë të Superligës turke, ndonëse asnjëra prej tyre nuk ka fituar. Por pas krizës financiare nuk bindi Flamurtari në miqësore me Lushnjën, ndërsa Skënderbeu fitoi ndaj Tiranës me përmbysje, fitore që u zbeh nga dëmtimi i Dejvi Bregut. Fitoi edhe Kastrioti 1-0 në miqësoren ndaj Besës, me golin e Taulant Markut, ku edhe debutoi trajneri i saj, Bledar Devolli. Teuta fitoi po dje 2-1 ndaj Erzenit.

Kukësi

Kukësi është mundur 2-1 me ekipin që kryeson Super-ligën turke, në miqësoren e parë. Basahakshehir kaloi në epërsi pas golave të Bajiç (29’) dhe Epureanu (61’). Në 79’ për verilindorët shkurtoi diferencën me Çyrbja. Bashakshehir ka në gjirin e saj lojtarë me famë botërore si Robinjo e Arda Turan, ndonëse ata nuk u aktivizuan, por në fushë zbritën emra të tjerë të njohur si Volkan, Jojiç, Inler, Elia e Bajiç. Trajneri Armando Cungu aktivizoi titullar në miqësore blerjen e janarit, Eduart Rroca, ndërsa Vasil Shkurtaj e nisi ndeshjen nga stoli. Pavarësisht humbjes, Kukësi zhvilloi një lojë  të pëlqyeshme dhe bindëse, ndërsa miqësorja e radhës e ajo ndaj ekipit rus, Rostov.

Partizani

Edhe kryesuesit e kampionatit kanë bindur në testin e parë të përgatitores që po zhvillojnë në Antalia të Turqisë. Partizani barazoi 1-1 me Sivasspor,  madje të kuqtë e drejtuar nga Skënder Gega kaluan të parët në epërsi, me anë të Asir Asanit. Sivasspor barazoi falë një 11-metërshi me anë të Torjes në 67’.  Gega aktivizoi nga minuta e parë këta lojtarë: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Atanda, Trashi, Hila, Telushi, Asani, Mensah, Mala e Bardhi. Si zëvendësues u aktivizuan: Xhika, Cardoso, Kote, Çinari, Bitri, Kalari dhe Hyseni.  Partizani do të luajë miqësoren e radhës nesër ndaj Antaliasporit dhe më  14 janar do të vihet përballë kroatëve të Dinamos së Zagrebit.

Skënderbeu

Në miqësoren e zhvilluar dje në Durrës, Skënderbeu fitoi me përmbysje 2-1 ndaj Tiranës. Tirana shënoi e para me anë të Muçit, por Hoxhaj dhe Oto John përmbysën shifrat në pjesën e dytë, në favor të kampionëve në fuqi. Trajneri Orges Shehi preferoi ekipin e parë në këtë miqësore, ndërsa Ardian Mema i Tiranës aktivizoi disa nga të rinjtë, për t’i provuar.

Flamurtari

Flamurtari në përpjekje për të lënë pas krizën financiare zhvilloi miqësoren e parë gjatë përgatitjeve të janarit, që e mbylli në barazim 1-1 ndaj Lushnjës, në “Roza Haxhiu”. Për vendasit shënoi Dervishi në pjesën e parë, dhe për miqtë barazoi Ribaj, në pjesën e dytë.  Në këtë miqësore, përveç mungesës së brazilianit Daniel Alvesh, i cili nuk është rikthyer deri në zgjidhjen e krizës financiare, munguan edhe Veliu, Bushic e Beqaj, për të cilët klubi vlonjat njoftoi se për disa probleme dëmtimi janë lënë në palestër. Trajneri Ilir Daja aktivizoi këtë formacion ndaj Lushnjës; Koliçi, Siljanovski, Alla, Polozhani, Kotobelli, Mustafa, Useini, Batha, Torassa, Cale dhe Musta, ndërsa si zëvendësues: Qirko, Qarri, Ymeraj, Licaj, Deliaj, Mucollari, Diamanti, Haruni, Ribaj e  Ziaj.

 

Panik te Skënderbeu, dëmtimi i Dejvi Bregut zbeh fitoren në miqësore

Nuk ka shkuar si duhet miqësorja e djeshme për mesfushorin dhe një ndër pikat me të forta të Skënderbeut, Dejvi Bregu. Në përfundim të pjesës së parë, gjatë miqësores me Tiranën, ai u detyrua të largohej nga fusha, pas një dëmtimi të rëndë në shpatull, çka solli panik në kampin korçar. Bregu, pas ndeshjes, i është nënshtruar pasditen e djeshme ekzaminimeve të mëtejshme për të mësuar shkallën e dëmtimit dhe kohën që do t’i duhet për të rikthyer në fushë.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: