Juridiku nis mësimin te “Petro Nini”, ngujimi transferohet në gjimnaz

Juridiku nis mësimin te “Petro Nini”, ngujimi transferohet në gjimnaz
Studentët e Fakultetit të Drejtësisë, kanë zhvilluar mësimin në ambientet e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Por edhe në ambientet e këtij gjimnazi studentët e ngujuar kanë vijuar me format e tyre të protestës, duke mbyllur dyert. Pas qetësimit të situatës, mësimi ka vazhduar deri në orën 9 të mbrëmjes, por ambientet nuk janë të përshtatshme për studentë

Pjesa më e madhe e studentëve të Juridikut kanë rinisur procesin mësimor gjatë mesditës së djeshme në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. E ndërsa fillimisht janë penguar nga një grup studentësh të cilët kanë tentuar të mbyllin me zinxhirë edhe dyert e këtij gjimnazi, situata ka arritur të zgjidhet. Rreth mesditës, studentët kanë nisur procesin mësimor duke vazhduar atë deri në orët e vona të mbrëmjes.

Rinis mësimi

Fakulteti i Drejtësisë nisi mësimin ditën e djeshme në ambientet e gjimnazit "Petro Nini Luarasi". Ky vendim vjen pas kërkesës që studentët i kanë bërë ditën e hënë dekanit të fakultetit Artan Hoxha. Mësim ka filluar rreth orës 14.00 të pasdites së djeshme dhe sipas orarit të publikuar në ambientet e këtij gjimnazi, rezulton se studentët do të kryejnë mësim aty deri në orën 21 të mbrëmjes. Për studentët  çdo godinë është njësoj, mjafton që të bëhet mësim. "Çdo orë e humbur është shumë dhe është shumë e rëndësishme të bëjmë mësim, qoftë dhe në gjimnaze. Besoj se do të hapet shkolla dhe ne për pak ditë mund të jemi atje" pohon një student. Po kështu edhe të tjerët mendojnë se kjo ishte zgjidhja më e mirë e situatës. “Është zgjidhja e vetme e mundshme në këto momente, duke qenë se ne jemi paralizuar" pohon një tjetër studente.

Por nga ana tjetër, studentët që po protestojnë nuk e shohin zëvendësimin e orëve në godinë tjetër si zgjidhje. "Nuk zgjidhet asgjë duke ndërruar një godinë sepse shumica e studentëve do të vazhdojnë të jenë këtu, kjo do të jetë një godinë e hapur" pohon një prej tyre.

Dekanati

Dekani i Juridikut, Artan Hoxha është shprehur se mësimi do të fillojë normalisht dhe orët e humbura do të duhet që të zëvendësohen të shtunën e të dielën me orë të zgjatura. “Ne ashtu sikundër përkrahim studentët që protestojnë në të drejtat e tyre që ata kanë, nga ana tjetër duhet të garantojmë që procesi mësimor të zhvillohet i rregullt. Nuk është në nivelin që duam, por ju shikoni numrin e madh të studentëve janë dhe shumë të tjerë që ishin në fakultet që tregojnë interes për të vazhduar programin. Ne kemi mirëkuptimin e studentëve për ndonjë vështirësi” ka pohuar Hoxha. Sipas tij është gjetur edhe dakortësia me pedagogët për zhvillimin e mësimit në ambientet e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.

Por studentët nga ana tjetër pohojnë se kjo është vetëm një zgjidhje provizore, pasi pavarësisht  se në dispozicion të tyre janë vendosur 38 klasa mësimi, ata e kanë të pamundur zhvillimin e seminareve, ku të paktën janë 100 apo 150 studentë.

Protesta

Ndërkohë mjediset e fakultetit të Drejtësisë i janë lënë studentëve të ngujuar. Këtë forme proteste ky grup studentësh thotë se do ta vijoje deri më 1 shkurt, datë  kur pritet dhe reagimi i pedagogëve. Më pas do të vendosin për hapin e radhës. “Mundësia e parë është greva e urisë, e cila është trumbetuar shumë. Është dhe një ide e dytë që është shumë ekstreme, por që ato studentë që kanë vendosur të vënë gjithçka në rrezik dhe kokën e tyre për qëllimet përfundimtare” thonë ata.

Studentët pro bojkotit të mësimit kërkojnë anulimin e ligjit për arsimin e lartë me qëllim që ti rikthejnë normalitetin jetës universitare. Ndërkohë që për të zgjidhur situatën ligji detyron Rektorin e Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, por ky i fundit ende nuk ka marrë një vendim për të zgjidhur kaosin e krijuar tek Drejtësia.