Janari, tani e tutje taksa të reja për qytetarët, por edhe për bizneset

Janari, tani e tutje taksa të reja për qytetarët, por edhe për bizneset
Muaji janar i këtij viti i ka gjetur qytetarët shqiptarë, por edhe bizneset private që ata kanë në aktivitet e sipër, me një regjim të ri taksash. Dhe kjo, falë paketës së re fiskale, e cila u miratua nga Kuvendi gjatë fundvitit të kaluar dhe tashmë, që prej 1 janarit 2019 ka hyrë në fuqi të plotë. Kështu, sipas saj, ndryshimet kryesore ligjore ku ato janë të fokusuara kanë të bëjnë kryesisht me procedurat tatimore, tatimin mbi të ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe taksat kombëtare. Kështu, sa i përket tatimit mbi pagat, këtë vit do të paguhet 0% për pagën mujore bruto deri 30.000 lekë; 13% për pagën mujore bruto mbi 30.000-150.000 lekë dhe 23% për pagën mujore bruto mbi 150.000 lekë. Ndërkaq, një taksë e re që ridimensionohet këtë vit, është edhe ajo e tatimit mbi dividentin, për të cilën  do të aplikohet shkalla tatimore në nivelin prej 8% për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë. Përfshirë këtu edhe rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kushtin që: tatimi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019. Kurse tatimi për dividentin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019. “Në rast se nuk zbatohen kushtet e mësipërme tatimpaguesi do të paguajë nivelin prej 15% tatim mbi dividentin”, sqarojnë sakaq ekspertët e ekonomisë. Ndërsa lidhur me taksën e rëndësishme të TVSH-së, paketa  re fiskale që tashmë ka hyrë në fuqi lançon risinë se do të ketë ndryshime në shkallët tatimore në masën prej 6% për furnizimet e shërbimit të reklamave nga media audiovizive. Po në të njëjtën masë do të jetë TVSH-ja ndërkaq edhe për furnizimin e mjeteve të transportit publik të udhëtarëve me kapacitet 9+1 vende ose me shumë, me motor elektrik, deri në 31/12/2021. Sikundër, nga data 1 janar 2022 parashikohet që të bëhet po kaq edhe shkalla tatimore për furnizimin e librave të çdo lloji.

“Tatimpaguesit, të cilët do të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të kaluar në status pasiv do të duhet që më parë të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore. Parashikohen penalitete, si për shitësin ashtu edhe për blerësin, nëse kryejnë transaksione me subjekte në statusin “Pasiv”

 

Kush do të ngarkohet me Tatim mbi Vlerën e Shtuar e kush përjashtohet?

“Për nënkontraktorët e Regjimit të Përpunimit Aktiv do të aplikohet shkallë tatimore 0%, për furnizimin e shërbimeve të përpunimit të mallrave joshqiptare të destinuara për t’u rieksportuar, nga personat e tatueshëm të autorizuar dhe nënkontraktorët e tyre, mbi bazën e dispozitave që parashikon Kodi Doganor, për operacionet nën regjimin e përpunimit aktiv”. Kjo pohohet nga ekspertët e tatimeve, lidhur me lehtësimin prej TVSH-së për këtë loj kategorie. Teksa shtojnë se do të aplikohet edhe norma prej 6%, për kompensimin e fermerëve. “Listës së përjashtimeve nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar i shtohen: furnizimi i makinave bujqësore; furnizimi i inputeve bujqësore; furnizimi i shërbimeve veterinare, me përjashtim të atyre për kafshët shtëpiake dhe importimi i lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave”, sqarojnë më tej ekspertët e tatimeve.

 

Taksat edhe tarifat rëndojnë buxhetet e familjeve shqiptare

Shqiptarët po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për të paguar faturat mujore, duke nisur që nga uji, dritat e deri te pagesat për arsimin e fëmijëve të tyre. Kështu, pesha e shpenzimeve për faturat e ujit, energjisë, transportit dhe arsimit është rritur ndjeshëm në familjet shqiptare gjatë dekadës, si pasojë e shtrenjtimit të tarifave dhe taksave në disa mallra dhe shërbime utilitare. Konkretisht, në buxhetin mujor të një familjeje pesha e shpenzimeve për faturat e ujit dhe dritave është rritur me 3.5% në vitin 2017, në raport me vitin 2007.

Si pasojë e rritjes së tarifave në shërbimet arsimore në universitet publike, pesha e shpenzimeve për arsimin në buxhetin e një familje u rrit më 2017 rreth 2.2% në raport me vitin 2007, kur edhe nisi krijimi i serisë kohore për shpenzimet e familjeve. Gjithashtu, shpenzimet për transport janë rritur duke e zgjeruar peshën e tyre me 0.97% në buxhetet familjare në raport me 2007-tën, si pasojë e shtrenjtimit të taksës së qarkullimit tek karburantet, që ka nxitur edhe rritjen çmimeve ne shërbimet e transportit në tërësi. Nga krahu tjetër, pesha e shpenzimeve për ushqime në buxhetet familjare ra me -3.5% në krahasim me vitin 2007.

 

Taksat kombëtare, si do të ndryshojnë nga ky vit e tutje?

“- Taksa e materialeve/artikujve plastikë dhe e ambalazheve plastike të importuara në masën 35 lekë/kg, me përjashtim të lëndëve të para në forma primare.

- Taksa e ambalazheve prej qelqi për ambalazhet e importuara dhe të prodhuara në vend, në masën 5 lekë/kg.

- Taksa e lëndëve të para në formë primare të importuar dhe që përdoret për prodhimin në vend të produkteve të plastikës, në masën 25 lekë/kg”, sqarojnë ekspertët tatimorë.