Janari në Antalia, Kukësi “betejë-merkatoje” me Partizanin

Janari në Antalia, Kukësi “betejë-merkatoje” me Partizanin
Ekipet kryesuese të Superiores kanë pasur luksin për të realizuar blerjet e para të bujshme. Verilindorët fitojnë betejën e parë të madhe në merkato, përballë kryesuesve të momentit  

Aranit Muraçi

Tre ekipet kryesuese të Kategorisë Superiore, Partizani, Kukësi dhe Teuta, pas festave dhe pushimeve, janë rikthyer në stërvitje si ekipet e vetme që kanë kryer lëvizje konkrete në merkaton e janarit, gjë që provon se gara për titullin kampion për më tej do të zhvillohet mes tyre.

Pas 18 javëve të para, Partizani e mbylli garën në vend të parë, tre pikë më tepër se Kukësi dhe 4 pikë para Teutës, por në merkaton e janarit të trija ekipet kryesuese kanë pasur shije të njëjta për lojtarë sulmi. Mund të konsiderohet skuadra e Kukësit, “mbretëresha” e merkatos në ditët e para të janarit. Kukësi ka fituar betejën ndaj Partizanit në cilësi, por jo në shifra, ndërsa ditët e mbetura do të përcaktojnë edhe ekipin që do të afrojë elementët e duhur.

Pikërisht sulmuesit janë emrat më të kërkuar në treg dhe këtë e dëshmon transferimi i bujshëm i Vasil Shkurtajt nga Luftëtari tek Kukësi. Verilindorët paguan një klauzolë të majme për të marrë shërbimet e sulmuesit vlonjate, duke fituar betejën me ekipet rivale, duke qenë se ai kishte oferta edhe nga Teuta e Partizani. Kukësi me ofertën më të mirë bindi klubin e tij gjirokastrite të  Luftëtarit, për të arritur më herët marrëveshjen midis tyre. Pas merkatos, Kukësi u shpërngul në Antalia për përgatitjet e dimrit.

Kampionët e dimrit janë zhvendosur në Antalia, ku po vijojnë përgatitjet e janarit, si dhe përforcimet për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Fatjon Jusufi dhe Alessio Hyseni janë dy përforcimet  e para të Partizanit, për merkaton e janarit. Partizani humbi betejën me Kukësin për Vasil Shkurtaj, i cili u ble përfundimisht nga Kukësi, rivali kryesor për titullin kampion.   Partizani prej kohësh është vënë në kërkim të një golashënuesi të mirëfilltë, për të kompletuar ekipin, duke qenë se është vlerësuar pikërisht mungesa e golit.  Të kuqtë nuk ngurojnë të paguajnë deri më 8 mijë euro rrogë mujore, por duket se po hasin vështirësi për të gjetur njeriun e duhur.

Teuta pavarësisht se ka në përbërje golashënuesin më të mirë të kampionatit deri tani, Amadou Latif, është vënë në lëvizje për një sulmues tjetër cilësor, duke eksploruar tregun e huaj.  Mësohet se drejtuesit e “djemve të detit” janë gati të paguajnë dhe një rrogë mbi 10 mijë euro në muaj vetëm që t’i vejnë në dispozicion trajnerit Bledi Shkëmbi sulmuesin që do të japë garanci për më shumë gola, që të arrihet objektivi, pse jo edhe titulli kampion.  Pas pushimeve Teuta ka nisur përgatitjet në Durrës nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi. Pas marrëveshjes me mbrojtësin e Kamzës, Erlis Frashëri, “djemtë e detit” deri tani kanë lajmëruar divorcin me mbrojtësin Edison Ndreca.

Me ambicie për një vend në Kupat e Europës, pas rikthimit në stol të trajnerit Besnik Prenga, Laçi po kërkon të afrojë lojtarët e duhur nga tregu kroat. Synohet një sulmues dhe një mesfushor me tipare sulmuese. Trajneri Prenga prej eksperiencës i njeh mirë lojtarët e këtij kampionati.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: