INFO-ANALIZË/ Marrëdhëniet me Greqinë, pse Bushati është optimist se marrëveshja do të realizohet nga Rama dhe Cipras

INFO-ANALIZË/ Marrëdhëniet me Greqinë, pse Bushati është optimist se marrëveshja do të realizohet nga Rama dhe Cipras
INFO-ANALIZË/ Si i trajtoi marrëdhëniet me fqinjin Greqi, ministri i Jashtëm më jetëgjatë në 30 vjet demokraci në Shqipëri

Nga Edison Kurani

Diplomati Ditmir Bushati, i shkolluar në universitete të njohura në botë me rezultate mbresëlënëse dhe njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, ishte ministri më jetëgjatë në krye të ministrisë së Jashtme që nga rikthimi i demokracisë në vitin 1991.

Një ndër sfidat kryesore që Bushati kishte në krye të MPJ, ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje në formë pakete me Greqinë, ku në draftin që kurrë nuk u publikua zyrtarisht, ishin renditur të gjitha çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve si dhe të tjera që synonin një erë të re në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.

Në daljet publike të kohëve të fundit, Bushati është ndalur në mënyrë të veçantë te raporti me fqinjët grekë.

Ai pohon se marrëdhëniet Shqipëri-Greqi janë shumë më të gjëra, shumë më komplekse sesa çështjet që kanë lidhje me detin, me tokën. “Janë çështje të karakterit historik që e kanë origjinën tek Ligji famëkeq i Luftës e sot kur dëgjoj politikanë shqiptarë sidomos që thonë, e ç’rëndësi ka heqja e Ligjit të Luftës, në rastin më të mirë më vjen të qesh, në rastin më të keq them që të paktën s’duhet të kenë hapësirë publike”, - shton ai.

Me largimin nga ky post, Bushati është optimist se marrëveshja-paketë do të realizohet: “Në lidhje me paketën me Greqinë, ne kemi bërë hapa vendimtarë përpara. Nuk ka qenë një proces i lehtë. Ndoshta është dosja më e vështirë që ne duhet të administrojmë në rajon. Kemi pasur mirëkuptim për një tërësi çështjesh, duke nisur nga ato të bartura nga Lufta e Dytë Botërore, deri tek çështje të aktualitetit”.

Ndërsa gjasat janë që kjo dosje edhe mund të mos shtyhet përpara, Bushati preferon ta shohë gotën gjysmë plot: “Fakti që në të dyja vendet kemi tashmë kryeministrat që mbajnë edhe portofolin e ministrit të Jashtëm, duhet konsideruar si një shans për të shfrytëzuar këtë periudhë kohore në funksion të përfundimit të kësaj pakete”.

Gjatë periudhës që ishin MPJ, Bushati dhe Kotzias, u pa dukshëm se kishin një raport të jgushtë bashkëpunimi. Edhe dëshira për të mbyllur përfundimisht mosmarrëveshjet mes dy vendeve, ishte po aq e fortë.

Por ikja e Kotzias është pasuar nga një stanjacion.

Diplomati që nga sot (23 janar 2019) nuk është më MPJ, pohon se ikja e Kotzias u pasua me ndërprerje të bisedimeve: “Nuk ka pasur raund të ri  bisedimesh për çështjet që janë objekt i bisedimeve në paketën tonë”.

Bushati shkon më larg duke vlerësuar se “sidomos periudhën e fundit kemi prapë një rikthim në llogore dhe më shumë ka deklarata dhe retorikë sesa veprime konkrete”.

Ai shton: “E kam vënë re dhe personalisht që për ministrin e Jashtëm apo për një politikan, është shumë herë më e thjeshtë të bësh një deklaratë sesa të ulesh dhe të gjesh zgjidhje në tryezën e bisedimeve sepse zgjidhjet në tryezën e bisedimeve janë gjithmonë më të vështira. Në disa raste nuk janë fort popullore dhe në disa raste, nuk mund të jenë domosdoshmërisht ato që njëra nga palët mendon se janë zgjidhja”.

“Thembra e Akilit” të paketës së zgjidhjes është padyshim debati për kufijtë. Më së shumti qytetarët dinë se përplasja është për kufirin detar. Por në fakt edhe kufiri tokësor është duke u diskutuar.

Bushati jep më shumë detaje: Në paketë nuk është vetëm çështja e detit. Ka dhe dy marrëveshje të tjera që po diskutohen me palën greke përsa i përket kufirit tokësor”.

Sipas Bushatit janë çështje që kanë të bëjnë me kufizimin e incidenteve kufitare dhe me piramidat në kufirin tokësor ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. “Këto dy çështje për të cilat pala shqiptare ka kohë që ka paraqitur projektet e saj, ende nuk kanë marrë një opinion nga pala greke. Janë çështje të cilat edhe nën dritën e fundit, marrin një përparësi të madhe për ne”, - thotë Bushati i cili sot kishte ditën e tij të fundit si ministër.

Nga ana tjetër, Bushati thotë se nga Greqia kanë vërshuar tendencat nacionaliste: “Periudhën e fundit, ka një tendencë për të lidhur territore të caktuara që sot për sot janë pjesë e Republikës së Shqipërisë, me një kontekst apo me një konotacion të caktuar historik dhe ka një intensifikim për fat të keq nga ana e Greqisë në këtë drejtim. Nuk mund të them që është qeveria, por ka qarqe politike që e thonë thuajse hapur. Ka çështje të natyrës historike që e kanë origjinën që tek Ligji i Luftës”, - pohon Bushati.

E duke ardhur te kjo tjetër çështje pezull, Bushati është optimist se Ligji i Luftës do të shfuqizohet nga Greqia: “Kjo do të ndodhë. Ka një dakordësi për ta shfuqizuar Ligjin e Luftës që është bërë publik edhe nga qeveria greke. Për herë të parë pra, kemi një pranim të tillë se deri para pak kohësh pretendohej që nuk ekziston apo është një relike e së shkuarës dhe jam po ashtu besimplotë që shfuqizimi i këtij ligji, do të pasohet gjithashtu edhe me shfuqizimin e të gjitha pasojave që pengojnë qoftë qytetarët shqiptarë apo shtetin shqiptar por, edhe përfaqësuesit e pakicës kombëtare që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë prona të sekuestruara, bazuar mbi këtë ligj”.

Këtu, Bushati ka kritika dhe për mediat kur shprehet: “Ka gazetarë që na kritikojnë për qëndrim tolerant ndaj Greqisë, por nuk kam lexuar asnjë gazetar në Greqi që të akuzojë apo kritikojë qeverinë greke për ashpërsi ndaj Shqipërisë. Edhe sot e kësaj dite nuk i kanë shpëtuar tundimit për ta përmendur Vorio Epirin si koncept, si nocion, qoftë edhe në sfond historik, qoftë edhe në sfond zyrtar të qeverisë greke”.

Edhe mediat shqiptare nuk mbeten pas. Ka në shumë prej tyre, një frymë të dukshme antigreke, duke mos marrë parasysh një fakt shumë të thjeshtë, fqinjësinë. E kur dy vende janë të destinuara të jenë fqinje përgjithnjë, secila nga palët duhet të marrë në duar përgjegjësitë për të bashkëjetuar normalisht dhe duke bërë më të mirën për qytetarët e vendeve të tyre.

Në të kundërt me këtë, si në Shqipëri, ashtu dhe në Greqi, ka njerëz të kapur nga paranoja, sidomos sa i përket edhe tendosjes së vazhdueshme të raporteve mes Greqisë dhe Turqisë..

Këtë e pohon dhe Bushati. Ai thekson se opinioni publik vijon të jetë i mbarsur. “Ka paranojë. Nga njëra anë mendoj që Greqia e njeh mirë rolin dhe impaktin që mund të japë dhe mund të ketë Shqipëria dhe faktori shqiptar përgjithësisht në rajon, por nga ana tjetër, jeton edhe në paranojën e influencave jo vetëm të Turqisë, por edhe të vendeve të tjera, sidomos flas për vende të tjera me peshë në skakierën evropiane, kryesisht në momentin kur Greqia ishte në vështirësi të madhe ekonomike”.

***

Edhe pse negociatat mes dy vendeve janë ndërprerë dhe rifillimi i tyre nuk dihet, z.Bushati është edhe këtu optimist: “Ka pasur kontakte qoftë në nivelin e ministrive të Jashtme apo kabineteve të Kryeministrave ku është ripërsëritur mesazhi  që të dyja vendet janë të angazhuara për të vijuar procesin e bisedimeve në mënyrë që të gjitha çështjet të adresohen një më një”.

E në fund, Bushati ka një paralajmërim të fortë se asgjë nuk mund të ndryshohet në qëndrimin e palës shqiptare të pasqyruar në draft-marrëveshjen e përgatitur nga Bushati dhe Kotzias: “Qeveria “Rama” i ka dorëzuar dokument zyrtar qeverisë greke për të cilin mund t’ju them se çdo kryeministër që do të ulet në karrigen e Edi Ramës dhe çdo ministër që do të ulet në karrigen time, nuk do ta ketë të mundur të bëjë asnjë hap pas”. Sipas Bushatit, këto “janë dokumente që pasqyrojnë qëndrimet e shtetit shqiptar dhe jo qëndrimet e shtetit bazuar në nacionalizëm folklorik, bazuar në dokumentet më të rëndësishme kombëtare të cilët janë të detyrueshëm për Shqipërinë dhe për Greqinë”.