HARRESA E VETES – KOMENT NGA FRROK ÇUPI

HARRESA E VETES – KOMENT NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Jo se harrojnë veten, por me qëllim harrojnë atë që “vetja ka bërë”.

... Miku im, që e njoha në rrethinat e burgut të Spaçit aty nga viti ‘84-‘85, kishte zbritur në Tiranë këto ditë nga më të ftohtat e janarit. Nuk do ta kisha njohur (si ishte mbështjellë me dhjetë veshje leshi), po të mos i njihja të ecurën, si prej një kafshari që ngjit faqet e përroskave në mal të thatë.

- A erdhe për festë!? - pyeta.

Ironinë ma priti me dashuri, si gjithmonë.

- Erdha se nuk më rrihej- tha... Po ç’bëjnë këta tanët!?- pyeti.

E kishte fjalën për këta të Partisë Demokratike. Ai është një demokrat i kockë, familjarët e tij ishin burgosur e internuar, ose edhe arratisur gjatë komunizmit. Një prej tyre kishte qenë ministër në qeverinë “autonome” të Gjomarkajve dhe prandaj i kishin rrënuar komunistët. U miqësuam kur edhe unë isha i dënuar atyre maleve...

- Tanët...!?, shqiptova.

Ai kuptoi se nuk kishte më “të tijtë” dhe vazhdoi:

- U ngrita një mëngjes, para Vitit të Ri. U vesha dhe u ula shkallëve të kullës. Nuk dëgjova askënd nga të familjes që më thonin: “Eeej, u çmende, ku po shkon?”. Desha t’u bashkohem këtyre në protestë para Kuvendit. Eca teposhtë rrëzë burgut. “Ore, zoti Ndoci, ku po shkon kështu?”, pyeta veten. A me u rreshtue me ata?, me Monikën, a me Ilirin, a me Lulin?... Jo!, Jo! Ata harruan kush janë!”, i thashë vetes dhe u ktheva...

- Po këta mendojnë se edhe ne kemi harruar!? - m’u drejtua mua dhe më la pa fjalë.

Miku im, aq sa i dhembshur, edhe i dashur, ose “bashkëvuajtës” siç thoshte dr. Berisha në fillesa, kurrë nuk më kishte lënë pa fjalë si sot.

Thellë-thellë po na lënë pa fjalë këta, që po bëjnë sikur kanë harruar veten. Këta po kërkojnë pushtet “me këmbë të kalit”: “o pushtet sot, o ramë e vdiqëm!”. Njësoj si në varfërinë e sistemit socialist kur dikush jepte lajmin se “ka dalë peshk” dhe të gjithë turreshin marrëzisht andej nga vinte lajmi. Prej muajsh, të gjithë po sillen sikur “ka dalë pushtet”. Presidenti i Republikës ka harruar detyrën e tij, d.m.th. “veten si president” dhe po tenton të dalë në krye të opozitës. Kryetarja në hije e opozitës deklaron se “për pak kohë kryeministri do të vdesë”. Kryetari i Partisë Demokratike deklaron se “kush është me qeverinë, është tradhtar i kombit”... Pardje, opozitarët vendosën që mazhoranca të krijojë qeveri kujdestare bashkë me opozitën... Zot i madh, çfarë marrëzie!

Marrëzia në këtë rast ka formën e obsesionit, por më e thjeshta nga sëmundja është se këtyre nuk u sheh gjë syri para pushtetit. Sëmundja më e rëndë: kanë harruar veten, d.m.th. nuk kanë kujtesë sesa i do populli që i njeh mirë. Kanë harruar sesa vetë mund të votojnë për ta... PD në zgjedhjet e kaluara humbi 200 mijë të vetët, ndërsa LSI ka humbur me gjithsej qëkurse humbi postet qeveritare, nga ku  dalin lekë dhe korrupsion pa fund.  Pa pará nuk ka as vota, as LSI...  Ikona e korrupsionit në Shqipërinë post- diktaturë mbetet një video e famshme ku është kapur ish- zëvendës kryeministër dhe kryetari i LSI, Meta, duke marrë euro me tufa nga ministri i tij...

Të gjitha u harruan...?

Mirë ma tha zoti Ndoci, se “këta tanët mendojnë se ne kemi harruar”.

Korrupsioni ishte ngjitur lart sa në majë të “Spaçit”, arroganca po sa një mal, mizerabiliteti kulturor i administratës, ku thërret kiameti; gjyqësori i dalë nga “plepat” dhe i zhytur në padrejtësi; rrugët e Tiranës nuk pastroheshin me javë të tëra, në prokurori ka pirgje me dosje kriminale për “tanët” dhe për këta të LSI-së, si edhe për “armiqtë” tanë socialistë....

Harresa po shfaqet si një histeri. Ata që kërkojnë pushtetin “o sot o kurrë” nuk kanë asnjë ide çfarë do të bëjnë me pushtetin nesër në mëngjes... Sikur ta marrin pushtetin si të rënë nga qielli..., me siguri në mëngjesin pas ëndrrës do të thërrisnin: “Eeej, ne jemi, prapë ne, a ua hodhëm?!”.

Ndërsa gjithë bota moderne perëndimore ka ndryshuar dhe po ndryshon ekipet, orientimet, njerëzit, po zëvendësojnë ata që ishin këtu në vendin tonë, ata që ishin janë, ata lahen në “lumë” duke harruar veten në ujëra. Këtu është çështja: Mëkatarët kanë zënë rrugën dhe nuk lejojnë alternativë si në botën e qytetëruar.

- A mendojnë se edhe ne kemi harruar!?, pyeti zoti Ndoci.

Vetë sëmundja e pushtetit është kriminale. Këta janë thjesht manipulatorë, kanë hyrë në dhomën e veshjes së teatrit dhe ndërrojnë kostumet.

Por shtrohet një pyetje e thjeshtë: A vërtet harruan këta mëkatarë? Profesor Sigmud Freud ka dhënë një përgjigje për këtë kategori: Udhëtimi i histerisë për pushtet, ose konversioni mbetet derisa të realizohet “një konversion në drejtim të kundërt”. Duket sikur gjithçka është harruar. Por “gjurma e kujtesës nuk është tretur”, thotë Freud, e pas kësaj do të marrë formë “bërthama e një grupi të dytë psikik”.

Në rastin e politikanëve tanë, “harresa” është e qëllimshme; ata bëjnë sikur njerëzit nuk ua njohin pisllëqet... Arsyeja pse  harresa është e qëllimshme: sepse është një lloj obsesioni që quhet “histeri nga mbrojtja”. Këtu, edhe tanët, kanë plot krime për të mbrojtur, nga reforma në drejtësi, nga SPAK, nga FBI. Të gjithë e dinë: Vetëm pushteti u krijon mburojë!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press