Gjergj Buxhuku: Euro ra nga prurjet informale, po shkatërron biznese që nuk do hapen më

Gjergj Buxhuku: Euro ra nga prurjet informale, po shkatërron biznese që nuk do hapen më
INTERVISTA/ Flet kreu i organizatës së njohur të biznesit, Konfindustria, Gjergj Buxhuku: “Ti vërtet nuk ndërhyn në treg dhe thua të bëjnë çfarë të duan vetë. Por problemi është se kur të mbarojnë këto flukset informale të euros, industritë janë shkrirë e pastaj, ec e ngriji nga e para”

“Marrim fasonët apo industrinë ushqimore. Këto nëse punojnë 7-8 muaj në vit me humbje, falimentojnë dhe nuk ngrihen më. Dhe në momentin kur të mbarojnë edhe burimet informale të euros që kanë hyrë në treg, ato nuk mund të rinisin më aktivitetin e tyre nga e para. Ty të futen importet dhe nuk shkundesh më...”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, kreu i organizatës së njohur të biznesit, Konfindustria, Gjergj Buxhuku, duke shkuar përtej një deklarate që ajo ka lëshuar dje zyrtarisht mbi atë që e cilëson si situatë të gabuar të mosndërhyrjes nga ana e bankës qendrore mbi zhvlerësimin e euros në tregun valutor. Sipas tij, ekziston një pak edhe me qeverinë, për të fshehur të dhënat reale të ekonomisë dhe për të gënjyer investitorët e huaj, teksa është marrë Eurobondi...

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

Z. Buxhuku, cilët kanë përfituar më shumë sipas jush nga zhvlerësimi i madh i euros?

Importuesit e karburanteve, mund të themi, sepse këta kanë një “turn-over” të madh. Ata këta kanë mbi 1 miliardë euro qarkullim vjetor dhe kuptohet se një zhvlerësim me nivelin prej 9% i euroh, kuptohet që i favorizon ata, sepse kanë blerë me euro dhe kanë shitur me lekë. Por në tërësi, edhe të gjithë importuesit, bizneset importuese kanë përfituar nga kjo situatë e euros në tregun e brendshëm të këmbimit valutor.

 

Dhe kush ka humbur realisht?

Eksportuesit, por në tërësi edhe të gjithë prodhuesit për tregun e brendshëm.

 

Në një situatë të tillë të zhvlerësimit të monedhës evropiane, keni ngritur shqetësimin për reagimin e Bankës së Shqipërisë. Çfarë duhej të bënte ajo realisht sipas jush?

Ajo nuk është se ka ndërhyrë. Dhe e dyta, duhej ta mbante me çdo kusht llogarinë se cilat janë flukset ilegale të futjes së euros, së valutës së huaj në vend. Sepse problemi këtu është që ty euro të ka rënë për shkak të hyrjeve joformale, ti nuk e ke se të është rritur ekonomia e vendit. Ti nuk është se ke rritje të ekonomisë së vendit dhe si pasojë e kësaj të është forcuar leku. Kjo do ishte e natyrshme, kuptohet. Por ti problemin e ke te flukset joformale, prandaj banka qendrore duhej të parashikonte sa do të zgjasnin ato dhe të ndërhynte me të gjitha forcat.

 

Por çfarë është bërë realisht?

E para, kur ka ndërhyrë, BSH-ja ka ndërhyrë me shumë vonesë. Por edhe me masa shumë të dobëta, e kjo i ka dhënë mundësi qeverisë, sepse për mendimin tonë, kjo është bërë në bashkëpunim me qeverinë, pa diskutim. Se po ta bësh llogaritjen e rritjes ekonomike me euron, nuk del që është 4%, sa ç’thonë këta, por mund të dalë edhe 1%.

 

Në një situatë të tillë, si duhet të veprohet?

Duhet të saktësohet mirë prurja e euros. Banka e Shqipërisë që paguhet nga taksapaguesit, pastaj duhet të thotë cilët janë sektorët që preken, se çfarë ndodh realisht. Ti vërtet nuk ndërhyn në treg dhe thua të bëjnë çfarë të duan vetë. Por problemi është që ti pikërisht për këtë arsye je si institucion. Sepse duhet ditur që kur të mbarojnë këto flukset informale të euros, janë shkrirë edhe industritë e pastaj, ec e ngriji nga e para. Shiko çfarë ndodh. Marrim fasonët apo industrinë ushqimore. Këto nëse punojnë 7-8 muaj në vit me humbje, falimentojnë dhe nuk ngrihen më. Dhe në momentin kur ti heq edhe këto burimet joformale, ato nuk mund të rinisin më aktivitetin e tyre nga e para. Ty të futen importet dhe nuk shkundesh më. Prandaj janë edhe institucionet. Që duket ditur se janë politika jo të qëndrueshme rritjeje, që vijnë nga burime të natyrave të ndryshme, të bëjnë llogarinë që për aq kohë sa ato do të jenë, të merren masa që t’i ekuilibrojmë, në mënyrë që ato të mos ndikojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Këta i rrisin edhe shifrat në mënyrë artificiale, si ajo e rritjes ekonomike të paqenë dhe me këtë rast i njeh disa arritje qeverisë, duke mashtruar investitorët e huaj për Eurobondin, në tregjet financiare. Se nëse ti i thua e kam 60% le ta zëmë dhe në të vërtetë e ke 82%, ata presupozohet që shkalla e riskut që kanë marrë parasysh ka qenë më e vogël se ajo reale. Dhe ta kanë blerë më shtrenjtë Eurobondin, por po i mashtrove njëherë, ata herën e dytë nuk do të të vijnë më.

 

QËNDRIMI  ZYRTAR

Biznesi: “Bujqësia, transportet edhe agro-përpunuesit kanë humbur dhjetëra milionë euro”

Organizata e biznesit, Konfindustria, përmes një deklarate zyrtare shprehu dje shqetësimin për politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, sipas saj, “me shfaqje të dukshme humbje të pavarësisë së saj, në rastin e dobësimit të skajshëm të euros kundrejt lekut. “Gjatë dy viteve të fundit 2017, 2018, euro ka humbur 15% të vlerës së saj ndaj monedhës kombëtare, ku 9% është humbur gjatë vitit të kaluar, me pasoja të rënda në afatgjatë për zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kanë qenë të vonuara dhe të paefektshme duke goditur mjaft industri vendore dhe duke favorizuar importet”, cilëson Konfindustria. Duke vlerësuar më tej se zbatimi joefektiv i detyrimeve ligjore nga Banka e Shqipërisë, në rastin e forcimit të monedhës kombëtare nga burime qartësisht jo formale dhe të përkohshme, ka patur si pasojë rritjen e diskutueshme të treguesve kryesorë makroekonomikë. “Sa më sipër, ka sjellë përfitime formale të bilanceve qeveritare nga ulja e shumës së përgjithshme të pagesave të buxhetit ndaj borxhit të jashtëm dhe deri në paraqitjen e treguesve jo të saktë të performancës së ekonomisë shqiptare para investitorëve të huaj si në rastin e emetimit të Eurobondit në periudhën e fundvitit 2018, duke prekur drejtpërdrejtë seriozitetin e shtetit shqiptar ndaj tregjeve financiare ndërkombëtare në afatgjatë”, shton ajo. Duke përfunduar se sipas analizave të Qendrës së Studimeve të Konfindustrisë, gjatë vitit 2018 përveç zhvleftësimit të drejtpërdrejt të të ardhurave dhe kursimeve të qytetarëve, sektorët më të prekur nga zhvleftësimi jo i natyrshëm i Euro-s janë eksportet, bujqësia, transportet, industria agro-përpunuese të lidhura me tregun e brendshëm me humbje të përllogaritura në dhjetëra milionë euro. Ndërkohë, janë favorizuar ndjeshëm importet në të gjithë sektorët e ekonomisë. Vetëm importuesit e karburanteve kanë përfituar të paktën 70 milionë euro nga forcimi i monedhës kombëtare dhe organizimit jokonkurrencial të tregut. Goditje të fortë ka marrë edhe fuqia konkurruese e vendit në tërheqjen e investimeve të brendshme dhe të huaja.