FMN, sërish apel qeverisë shqiptare: PPP-të, kontrata me rreziqe fiskale!

FMN, sërish apel qeverisë shqiptare: PPP-të, kontrata me rreziqe fiskale!
Edhe pse me një masë për ndalimin e PPP-ve me oferta të pakërkuara në infrastrukturë pas 1 korrikut 2019, qeveria shqiptare duket e vendosur për vazhdimësinë e tyre. Ish-ministri i Financave ka pohuar para dy ditësh në Kuvend se  “nuk do heqin dorë nga zhvillimi i investimeve publike edhe nëpërmjet instrumenteve të koncesionit dhe PPP-ve”

Aplikimi i kontratave koncesionare të llojit të partneritetit publik-privat, PPP mund t’i sjellë rreziqe ekonomisë vendase. Ky është apeli i radhës, që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka drejtuar qeverisë shqiptare, pas disa të tillëve gjatë kohëve të fundit mbi këto lloj kontratash. “Rekomandohet që t’u përmbahen rreziqeve fiskale, duke përfshirë edhe ato që rrjedhin nga partneritetet publike-private (PPP)”, cilësohet në deklaratën e fundit zyrtare që institucioni i njohur financiar ndërkombëtar ka lëshuar për Shqipërinë. Duke pranuar kështu se prej PPP-ve paraqiten rreziqe dhe për këtë arsye sipas tyre, paraqitet “nevoja për të konsoliduar dhe forcuar proceset e vendimmarrjes në menaxhimin e investimeve publike”. “Theksohet rëndësia e sigurimit të vlerës së parave për projektet e PPP-ve përmes ofertimit konkurrues”, thuhet mes të tjerash në qëndrimin e fundit të FMN-së mbi këto lloj koncesionesh. Për të shtuar më tej, se me të tilla masa ndalet ngritja e vazhdueshme e borxheve të qeverisë, “pasi ato dëmtojnë aktivitetin ekonomik privat dhe minojnë besimin në sektorin publik”. “Rritja e mbështetjes në kontratat e partneritetit publik-privat për projektet e infrastrukturës ka rezultuar në rritje të detyrimeve kontingjente”, është një konstatim tjetër i ekspertëve të FMN-së për Shqipërinë, duke lënë të nënkuptohet në këtë mënyrë se PPP-të kanë ndikuar në rritjen e borxhit publik vendas. Shoqëruar kjo edhe me rreziqe të tjera të brendshme që kanë ndikuar në ecurinë negative të këtij treguesi të rëndësishëm makro-ekonomik, siç është gjithashtu edhe ndikimi i thatësirës në prodhimin e energjisë elektrike, duke krijuar rreziqe ndaj buxhetit, etj. “Borxhi publik është i lartë, ndërsa kursimet e brendshme të ulëtadhe mungesa e investitorëve të mëdhenj institucionalë shtojnë varësinë nga burimet e huaja të financimit. Ndërsa rritja e mbështetjes së PPP-ve ka rezultuar në rritje të detyrimeve”, shton mes të tjerash FMN-ja.

 

RETROSPEKTIVË

Apelet e deritanishme të FMN-së ndaj Shqipërisë për kontratat PPP

 

Nëntor 2018

“Rritja e shpejtë e Partneriteteve Publike Private ka rritur risqet fiskale. Rekomandojmë një proces me oferta konkurruese, duke mos pranuar më oferta të pakërkuara”

 

Prill 2018

“Studimet e vlerësimit për Ballkanin Perëndimor, treguan se rezultatet për menaxhimin e PPP-ve aty ishin ndër më të këqijat. Investimet përmes PPP-ve, me rreziqe fiskale”

 

Maj 2018

“Ndikimi i PPP-ve në kuadrin buxhetor afatmesëm dhe qëndrueshmërinë e borxhit, duhet të vlerësohet me kujdes. Duhet të sigurohet zbatimi i duhur i kornizës së PPP-ve”

 

Tetor 2017

“Axhenda ambicioze e autoriteteve për investime publike përmes Partneritetit Publik Privat paraqet rreziqe të konsiderueshme fiskale. Të monitorohen projektet e PPP-ve”.

 

Konstatimi: Borxhi publik mbetet ende i lartë, afro 70% e PBB-së

Borxhi publik i Shqipërisë vazhdon që të mbetet ende në nivele të larta. Ky është një tjetër konstatim që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë për ekonominë shqiptare. Megjithë politikat e ndjekura së fundmi nga qeveria për uljen e këtij treguesi, ai sërish sipas ekspertëve të FMN-së paraqitet në nivele shqetësuese. “Edhe pse deficiti fiskal është stabilizuar në rreth 2% të PBB-së, duke nënkuptuar një reduktim gradual e modest të borxhit publik, ai prapë mbetet i lartë, afro 70% e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, pohojnë ekspertët e FMN-së. Në këtë kuadër, ata i kanë dhënë një rëndësi të madhe edhe de-euroizimit të ekonomisë, që sipas tyre do të sillte efekte pozitive. FMN-ja shprehet e mendimit se duhet ruajtur fleksibiliteti i kursit të këmbimit të brendshëm valutor dhe ra dakord që ndërhyrjet të jenë të përkohshme dhe të kufizuara, për të parandaluar kështu  kushtet e pazgjidhura të tregut dhe destabilizimin e inflacionit.

 

Ekonomia vendase, e rrezikuar nga ajo e vendeve të tjera

Ekonomia shqiptare paraqitet e rrezikuar edhe nga ecuria e ekonomia e vendeve të tjera të rajonit. Ky është një tjetër shqetësim që ngre FMN-ja në raportimin e tij të fundit mbi Shqipërinë. “Ajo është e ekspozuar fuqishëm ndaj rreziqeve të rritjes në Evropë, veçanërisht në partnerët kryesorë të saj tregtarë. Një rënie në këto vende, mund të kalonte tej ako përmes eksporteve më të ulëta, remitancave dhe investimeve të huaja direkte”, cilësojnë ekspertët e FMN-së. Për më tepër, sipas tyre, shtrëngimi i pritshëm në kushtet financiare globale do të rriste kostot e financimit të Shqipërisë financimi. Prandaj kërkuan nga autoritetet shqiptare masa të forta për të adresuar pengesat për rritjen e kreditimit dhe për të përmirësuar ofrimin e kredive, duke përfshirë edhe ato të lartat. Forcimi i të drejtave pronësore dhe regjimet e falimentimit do të jenë gjithashtu të dobishme në këtë drejtim, sipas tyre.