Ditët e ftohta, si të kujdesemi për lëkurën

Ditët e ftohta, si të kujdesemi për lëkurën
Sëmundjet e lëkurës për shkak të të ftohtit janë të shumta. Është e rëndësishme të vëzhgoni një higjienë të mirë të duarve dhe të fytyrës, përdorimin e produkteve të dedikuara, të ushqyerit e duhur të pasur me fruta dhe perime, mbrojtjen e diellit dhe të ftohtit

Sonila Isaku

Të mbrosh lëkurën nga agjentët e jashtëm dëmtues, sidomos në dimër, nuk është thjesht çështje estetike. Është e rëndësishme që lëkura të ruajë funksionet e saj të shumta dhe kryesisht funksionin si barrierë mbrojtëse ndaj shumë agjentëve dëmtues, qofshin këta infektivë apo alergjenë të ndryshëm.

Gjatë periudhës së dimrit lëkura përballet me një sërë agjentësh dëmtues, siç janë ndryshimet e temperaturave në ambiente të ndryshme, era e ftohtë, ajri i thatë në ambientet e brendshme të ngrohura me kondicioner, ajri i rënduar në lokalet e mbyllura, si dhe ekspozimi në diell gjatë ditëve që kanë diell dhe veçanërisht me dëborë në male. Dr. Monika Fida, mjeke dermatologe në Shërbimin e Dermatologjisë në QSUT na njeh me disa këshilla praktike për të pasur lëkurë të shëndetshme edhe gjatë stinës së ftohtë.

Pastro, trajto dhe parandalo

Mos lejoni të kalojnë 12 orë pa riaplikuar produkt mbi lëkurën tënde, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj agjentëve dëmtues të jashtëm (fytyrë, duar, buzë). Gjatë periudhës së dimrit rekomandohen kremra hidratues të fortë të shoqëruar dhe me serume dhe jo thjesht me përbërës të lehtë ujorë, të cilët rekomandohen në verë.

Kremi

Përdor krem me faktor mbrojtës 365 ditë të vitit, pasi kjo do të ndihmonte në parandalimin e dëmtimeve nga dielli, si rrudha, njolla, njolla të moshës ose dhe kanceri i lëkurës. Nëse kremi yt nuk ka faktor mbrojtës ndaj diellit (SPF), atëherë përdor një make up ose fondontinë që të ketë faktor mbrojtës SPF të paktën 15. Edhe në dimër ka ditë, të cilat kanë rrezatim diellor. Përdor balsam buzësh me spf edhe në ditët e dimrit. Kujdes i veçantë dhe faktor spf mbrojtës më i lartë për personat që frekuentojnë sporte si ski. Përpara ekspozimit në borë, përdor produkt mbrojtës me SPF të lartë. Kujdes! Lëkura edhe mund të digjet nga reflektimi i dëborës dhe diellit. Përdorni për mbrojtje, syze dielli (do t’ju mbrojnë si sytë, edhe lëkurën delikate përreth syve). Kini parasysh edhe që nuk rekomandohet të frekuentohen sportet dimërore pas procedurave lazer ose peeling kimik.

Hidratimi

Përdorni shampo me moisture (hidratuese). I rëndësishëm është pastrimi ndaj duhet t’i kushtoni sa më shumë vëmendje gjatë dimrit dhe mund të përdorni qumësht detergjent. Tashmë ekzistojnë shumë formula. Mos harroni tonikun, është shumë i rëndësishëm për të ekuilibruar PH e lëkurës. Në dimër apliko kremin e trupit dhe të fytyrës menjëherë pas dushit, në mënyrë që të realizohet një hidratim sa më i mirë i lëkurës. Mund të përdorësh produkte të linjave të ndryshme në të njëjtën kohë. Tharja e shtuar e lëkurës në ditët e ftohta të dimrit mund të shërbejë si një faktor për të dëmtuar funksionin barrierë të lëkurës, mund të shtojë pruritin (të kruajturat), si dhe mund të shërbejë si një fillim i shumë patologjive të tjera ose të rëndojë patologji të tilla si dermatiti atopik, ekzematizime, iktiosis, etj.

Buzët

Hidratoni buzët në mënyrë të vazhdueshme me balsamin e buzëve. Përballja me erën dhe të ftohtin shoqërohet me dëmtime të lëkurës së buzëve si tharje dhe çarje. Për të shmangur këtë gjendje përdorni produkte buzësh që kanë në përbërje të tyre vitamina dhe hidratues, si vitaminë E dhe niacide, që mbrojnë buzët nga agjentët dëmtues.

Fëmijët

Përkujdesuni për fëmijët dhe aplikoni edhe për ta shampo me hidratues (moisture). Menjëherë më pas përdorni kremin hidratues të trupit, fytyrës e duarve për fëmijët tuaj. Kujdes i veçantë duhet patur për fëmijët me dermatit atopik që kërkojnë një hidratim sa më të mirë të lëkurës pasi dermatiti atopik rëndohet në ditët e ftohta të dimrit. Mendoni për produkte me funksion të dyfishtë, për shembull përdorni një krem hidratues dite me faktor mbrojtës SPF ose një zbutës buzësh me SPF.

Po ashtu, konsumoni sa më shumë ujë dhe kujdesuni për dietë të shëndetshme. Konsumoni çdo ditë më shumë se dy litra ujë të marra veçanërisht në formën e çajërave në mënyrë që të hidratohet më mirë tërë organizmi dhe të eliminohen toksinat e ndryshme. Pini çdo ditë një çaj jeshil, që përmban sasi të lartë antioksidantësh. Konsumoni rregullisht dhe frutat e stinës së dimrit.

Eksfoliant

Nëse keni lëkurë të thatë, bëni një eksfolim me scrub 2-3 herë në javë. Ndërsa, nëse keni lëkurë të yndyrshme, aplikoni scrub 2 herë në javë. Gjatë dimrit përdorni maska me alfahidroksiacide çdo javë ose planifikoni peeling kimik te mjeku.

Banjot

Edhe pse dushi me ujë të ngrohtë deri në të nxehtë na kënaq, mos e bëni një gjë të tillë. Uji i ngrohtë dëmton shtresën mbrojtëse të lipideve të lëkurës dhe çon në tharje të mëtejshme të lëkurës. Ndaj uji i dushit të jetë më shumë i vakët se drejt të nxehtit.

Kujdesi ndaj duarve

Përdorni doreza të ngrohta që të parandaloni tharjen e lëkurës, por edhe shfaqjen e pernioneve (morthit). Aplikoni në mënyrë të vazhdueshme disa herë gjatë ditës krem hidratues, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të shmangni tharjen e lëkurës së duarve, por edhe të përmirësoni patologji të ndryshme që prekin duart, si p.sh., ekzemën dhe psoriasis.