DEKRETI I DYTË PËR GENTIN – KOMENT NGA OERD BYLYKBASHI 

DEKRETI I DYTË PËR GENTIN – KOMENT NGA OERD BYLYKBASHI 
Nga Oerd Bylykbashi 

Sht‎etasi shqiptar Gent Shkëlzen Cakaj është vetëm 11 muajsh. Ama është propozuar për Ministër të Evropës dhe Punëve të Jashtme, goxha barrë për një shtetas vetëm 11 muajsh. E ta mendosh që nuk është çudi që më 21 janar 2019 ai dekretohet dhe votohet si ministri që do të përfaqësojë Shqipërinë jashtë, ndërkohë që do të mbushe 1 vjeç si shtetas shqiptar vetëm më 30 janar 2019.

Kryeministri Rama e mburri se kishte lexuar me shume libra se gazetaret ne sallën e konferencave. Unë këtë kriterin e "leximit" qe te bëhesh ministër ‎nuk e kam gjetur ne asnjë nen te Kushtetutës ndaj me le indiferent. Kohet e fundit e kam dëgjuar te përdoret për tjetër gjë, por jo për ministër.

Por mesa kuptoj ky djaloshi nuk e ka lexuar ende Kushtetutën e Shqipërisë, ministër i se cilës do te jete me qefin e Ramës, sa kohe qe vendos ne rrjete sociale titullin e ministrit, ndërkohë qe as është dekretuar nga Presidenti si ministër, lëre të jetë votuar nga Parlamenti.

Me siguri Genti është shumë i lumtur që këtë vit voton për herë të parë si shtetas shqiptar. Duhet të jetë drithëruese, edhe ministër edhe votues për herë të parë (first-time-voter) në një vit. Në këtë aspekt Genti është sa një 19-vjeçar që ende nuk e ka bërë sefte votën. A mundet një shtetas 19 vjeçar, talent, qe ka lexuar shume, qe ndoshta e çudit Kryeministrin me inteligjencën e tij, te behet ministër i jashtëm? Pse jo. Edhe ai 19-vjeçari ka një vit ka që e ka fituar të drejtën e votës, fiks sa Genti, paçka se ka 18 vite më shumë shtetësi shqiptare se Genti.

Sigurisht ka një kriter logjik qe 19 vjeçari talent në studime, qe ka lexuar libra te paktën sa Genti, nuk behet ministër. Ky kriter quhet "eksperiencë". Dhe ajo nuk gjendet në libra por në punë dhe jetë. Më del që Genti ka qenë vetëm 12 vjeç kur u bë Samiti i Selanikut në 2003 që nisi procesin integrimit europian për vendet e rajonit, 15 vjeç kur u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asocimit në 2006, ‎18 vjeç kur u bëmë anëtarë të NATO-s në 2009, 19 vjeç kur dorëzuam përgjigjet e Pyetësorit të BE dhe u liberalizuan vizat ne 2010, dhe plot 23 vjeç kur morëm Statusin e Vendit Kandidat ne 2014. Ma thotë mendja qe 12 vjeç, ndërkohë që lexonte pa fund, ndiqte me shume pasion edhe historikun e diplomacisë shqiptare dhe integrimit tone me Evropën. Nuk po e mundoj me te gjitha marrëveshjet politike dhe përpjekjet qe janë bere këto dy dekada ne funksion te progresit te Shqipërisë ne Evropë.

Por së shpejti Genti do të përfaqësojë Republikën e Shqipërisë, jo kombin, në negociata për marrëveshje me shtetet e tjera apo BE. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, që do te jete "libri" tjetër për lexim, ia jep tagrin e marrëveshjeve ndërkombëtare Presidentit. Pra Genti do të ulet në tryezat e marrëveshjeve vetëm me pëlqimin e tij, do te përfaqësojë Presidentin dhe jo Kryeministrin. Dhe kjo është nga kompetencat kryesore presidenciale.

Ama Presidenti duhet jo vetëm të ‎jetë shtetas shqiptar që nga lindja, por duhet te ketë jo më pak se 10 vite vendbanim ne Shqipëri dhe të jetë jo me pak se 40 vjeç, para se të marre detyrën e kreut te shtetit. Pra pa mbushur këto kushte ai nuk ulet dot në poltronën ku nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare për Republikën e Shqipërisë, ndërsa Genti këtë mund ta bëjë, madje pa mbushur ende 1 vjeç shtetas.

Sa çudi është kjo Kushtetuta jonë? Kështu është kur Kryeministri lexon Kurbanin që ka shkruar vetë dhe jo Kushtetutën. Gjithsesi, nuk ka faj Genti dhe sarkazma nuk është për të, por për Edin që e sheh kryeministërllëkun si gallatë. Ky i fundit mund të bëjë serish si nacionalist duke përmendur Kosovën, por ai nuk ka një shtëpi në Prizren nga ku u përzu nga serbet si familja ime, ndaj nuk m'i shet mua ato dëngla.

Po a do të ketë të tilla pyetje në kokë Presidenti në momentin kur do të firmosë dekretin e dytë në më pak se një vit për Gentin, dekretin e Ministrit të Evropës dhe Punëve të Jashtme, vetëm një vit pasi i dha shtetësinë shqiptare? Thonë kot që Amerika është vendi i mundësive...

Shpërndajeni me miqtë tuaj: