DATA E RE/ Transmetimet analoge nuk fiken sërish, shtyhet afati për herë të dytë

DATA E RE/ Transmetimet analoge nuk fiken sërish, shtyhet afati për herë të dytë
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka njoftuar se transmetimet analoge do të vazhdojnë edhe pas 15 janarit në Tiranë, Durrës dhe Vlorë”.

“Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) njofton se mbyllja e transmetimeve analoge televizive në qarqet Tiranë dhe Durrës parashikuar për në datën 15 janar 2019, shtyhet për në datën 1 Shtator 2019”, thuhet në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale.

Në këto dy qarqe, aktualisht bashkë ekzistojnë të dyja teknologjitë e transmetimit, si ato analoge ashtu edhe ato numerike, kjo metodë simultane transmetimi e cila garanton vazhdimësinë e marrjes së transmetimeve televizive edhe gjatë periudhës tranzitore, do të vijojë deri në datën 1 Shtator 2019.

Ndërkohë, AMA thotë se po finalizon zbatimin e procesit të digjitalizimit të transmetimeve televizive edhe në qarkun e Vlorës, ku është i njëjti afat i mbylljes së sinjalit analog, 1 Shtator 2019.

“Edhe në këtë qark janë ndezur transmetimet numerike të operatorit publik dhe të disa prej atyre private kombëtare, prej të cilave ofrohet rreth dyfishi i kanaleve televizive pa pagesë, për ato familje që janë pajisur me dekoder DVB-T2”, njofton Autoriteti i Mediave Audiovizive.

Kjo është hera e dytë që shtyhet afati i fikjes së transmetimeve analoge.

Pasi afati i caktuar në shtator të vitit të kaluar shkaktoi kaos dhe radhë të gjata në pikat e shitjes së dekoderëve, AMA e shtyu afatin për në 15 janar të këtij viti. /a.a/ Albanian Free Press Online/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: