Dalin dokumente të reja për skandalin e “DH Albania”, Ministria e Infrastrukturës del me qëndrim

Dalin dokumente të reja për skandalin e “DH Albania”, Ministria e Infrastrukturës del me qëndrim
VOA nxjerr dokumentet: "DH Albania" u favorizua nga shteti shqiptar, dyshimet e forta të çojnë te Gener 2

“Shteti shqiptar favorizoi DH Albania”

Zbulohen detaje të tjera lidhur me kompaninë DH Albania e cila fitoi garën për ndërtimin e një pjese të Unazës së Re në Tiranë, duke përdorur dokumente të falsifikuara të një kompanie amerikane Dunëel Haberman. Zëri i Amerikës tha dje se ka siguruar informacione që dëshmojnë se administrata shqiptare ka ndihmuar kompaninë DH Albania për marrjen e licencës së ndërtimit në zbatim, duke nisur procedurat, përpara se vetë kompania të regjistrohej zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Në fund të dhjetorit 2018, duke folur për rastin e kompanisë DH Albania, kryeministri Rama deklaroi se “kompani që hyjnë me letra të falsifikuara nëpër tenderë ka në të gjithë botën. Një qeveri, një ministri, një ministër nuk gjykohen nga fakti nëse hyn apo nuk hyn një kompani me letra të falsifikuara. Gjykohen nga mënyra sesi reagojnë në momentin kur fakti konstatohet… Përsa i përket rastit në fjalë, ku është korrupsioni që ka ndodhur, që të jem unë i qartë? Si?" u shpreh ai.

Që prej momentit, kur u zbulua në fillim të dhjetorit, se kompania DH Albania kishte fituar 30 milionë Euro në dy tenderë përmes një serie dokumentesh të falsifikuara, në disa dalje publike kryeministri Edi Rama i mëshoi faktit se bëhej fjalë, sipas tij, thjesht për një mashtrim nga ana e kompanisë. Tenderët e fituar u anuluan dhe për këtë çështje ka nisur një hetim i prokurorisë.

Por informacionet e siguruara nga VOA, dëshmojnë se institucionet shqiptare duket se janë vënë në shërbim të plotë të kompanisë, madje edhe në shkelje të rregullave dhe kërkesave ligjore.

Sipas një përgjigjeje zyrtare, që Ministria e Infrastrukturës i ktheu kërkesës për informacion nga VOA, rezulton se “Shoqëria DH-ALBANIA, degë e shoqërisë së huaj, me kërkesën e saj të datës 13.07.2018, shoqëruar me dokumentacion përkatës, ka aplikuar për njehsimin e licencës së huaj, në fushën e zbatimit në ndërtim”, thuhet në shpjegimin dhënë për Zërin e Amerikës.

Referuar faqes zyrtare të ministrisë së Infrastrukturës, në seksionin për formularët e aplikimit për ekuivalentimin e licencës së shoqërive të huaja, në kërkesat e renditura për aplikim, pika b) parashikon dhe paraqitjen e “ekstraktit historik, apo ekstraktit për të dhënat e subjektit të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me të cilën dëshmohet ndër të tjera, lidhja e shoqërisë së krijuar, që kërkon të licencohet, me atë të vendit të origjinës që disponon licencë profesionale, veprimtaria dhe statuti aktiv i shoqërisë”.

Por më datë 13 korrik, kur është bërë aplikimi, shoqëria DH Albania ishte ende inekzistente.

Referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, data e saj e regjistrimit figuron 18 korriku 2018, me përfaqësues një 26 vjeçar të panjohur Avdjol Dobin. Është e pakuptueshme se si Sekretariati i Komisionit të Licencave, ka nisur procedurat mbi një entitet, që deri në atë moment nuk ekzistonte. Sikundër është e paqartë, se çfarë dokumentacioni, kompania ka paraqitur për t’u identifikuar si DH Albania, duke qenë se e ka patur të pamundur të dorëzojë një ekstrakt nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Komisioni i Licencave, i cili drejtohet nga Gerta Lubonja, e emëruar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka në përbërjen e tij dhe tre drejtorë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Bazuar në afatet kohore të ushtrimit të aktivitetit të tij, të publikuara deri pak ditë më parë në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës “dokumentacioni i shoqëruar me material përmbledhës të hartuar nga sekretariati teknik, i vihet në dispozicion anëtarëve të Komisionit 3 ditë pune përpara datës së përcaktuar për zhvillimin e mbledhjes”.

Licenca për DH Albania është dhënë në mbledhjen e datës 30 Korrik, e cila ka qenë ditë e hënë. Për pasojë, dokumentacioni për të, do të duhej t’i dorëzohej Komisionit, të paktën më 25 korrik 2018. Por sipas përgjigjes zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës, DH Albania, i ka plotësuar dokumentet vetëm më 27 Korrik 2018.

Shkeljet në favor të DH Albania, bëjnë të mendosh se Komisioni e ka patur të qartë se nuk po ndihmonte thjesht të riun Avdjol Dobi, por njerëzit realë që qëndrojnë pas kësaj kompanie. Një seri të dhënash ngrenë dyshime të forta që të çojnë tek biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj. Që nga lidhjet familjare mes të dyve, të faktit se punonjës të kompanisë Gener 2, të zotit Ulaj janë angazhuar në plotësimin e dokumentacionit të DH Albania-s e deri te pagesa që GENER 2, siç dëshmoi një investigim i BIRN-it, ka bërë për llogari të kësaj kompanie.

Prokuroria e cila po heton si për veprat penale të falsifikimit ashtu dhe për atë të shpërdorimit të detyrës, nga ana e institucioneve të përfshira, nuk ka mundur ende të thërrasë Avdjol Dobin i cili, të paktën zyrtarisht, nuk rezulton të ketë dalë nga Shqipëria.

 

REAGIMI

Akuzat e Zërit të Amerikës, ministria e Gjiknurit flet mbi skandalin e “DH Albania”

Referuar kronikës së publikuar nga “Zëri i Amerikës” se shoqëria DH Albania është favorizuar në sigurimin e licencës në zbatim përpara regjistrimit në QKB, Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm të Liçencimit tha mbrëmë se ka zbatuar procedura ligjore dhe mbledhja e datës 30 Korrik 2018 ka marrë në shqyrtim aplikimin e shoqërisë DH Albania për njehsimin e licencës së huaj vetëm pasi shoqëria ka plotësuar të gjithë dokumentacionin ligjor të kërkuar, përfshirë edhe dokumentin e pretenduar nga “Zëri i Amerikës”, aktin e regjistrimit në QKB.

Nga fillimi i procedurës së aplikimit deri në kalimin e dosjes për vendimmarrje drejt Komisionit, subjektet sipas ligjit kanë të drejtën të depozitojnë dokumente plotësuese në funksion të aplikimit të tyre. Sekretariati shqyrton dhe relaton drejt Komisionit vendimmarrës vetëm aplikimet të cilat rezultojnë me dosje të plotë të dokumentacionit ligjor të kërkuar.

Më në detaje, - vijon njoftimi i dërguar nga ministria e Infrastrukturës, - shoqëria DH Albania, me kërkesën e saj të datës 13.07.2018, ka aplikuar për njehsimin e licencës së huaj, në fushën e zbatimit në ndërtim. Shoqëria, nga 18 deri 27 korrik 2018 ka paraqitur dokumentacion plotësues të aplikimit për njehsim të licencës së huaj.

Njoftimi vijon më tej duke sqarua se njehsimi i licencës nga vendi i origjinës së shoqërisë DH ALBANIA është bërë konform ligjeve: “Sekretaria Teknike e Komisionit të Posaçëm, pasi vlerësoi plotësimin e dokumentacionit të paraqitur referoi aplikimin e kësaj shoqërie, së bashku me aplikimin e 33 shoqërive të tjera, ku paraqiteshin edhe 3 aplikime shoqërish për njehsim të licencës nga vendi i origjinës ngjashmërisht me aplikimin e shoqërisë DH Albania, pranë Komisionit, i cili në mbledhjen e datës 30.07.2018 shqyrtoi të gjitha aplikimet që rezultonin të plota në përputhje me kërkesat ligjore.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar verifikim dokumentacioni, nëpërmjet kanaleve diplomatike, në SHBA. Pas përgjigjes së marrë, ku rezulton se dokumentacioni që lidhet me datën e krijimit të shoqërisë në vendin e origjinës nuk është i njëjtë me dokumentacionin e paraqitur prej degës së shoqërisë në Shqipëri gjate aplikimit për njehsimin e licencës ne vendin e origjinës, Ministria ka përcjellë trajtimin e këtij rasti pranë sekretarisë teknike te Komisionit te Posacem, i cili u trajtua ne nje mbledhje te posaçme dhe u mor vendimi Nr. 24, DATË 13. 12. 2018, për revokimin e licencës së njehsuar.

I gjithë dokumentacioni tanimë është në dispozicion të organit të akuzës i cili po kryen hetimet e nevojshme për zbardhjen e asaj çka ka ndodhur dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të përgjegjësve për aktin e falsifikimit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: