Çertifikata e sigurisë për Cakaj, reagon DSIK: Verifikimi, në përputhje me detyrimet ligjore

Çertifikata e sigurisë për Cakaj, reagon DSIK: Verifikimi, në përputhje me detyrimet ligjore
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka reaguar për debatin e dhënies së çertifikatës ndaj ministrit Gent Cakaj duke u shprehur se dokumenti është dhënë në  përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit në fuqi.

"Verifikimi i sigurisë për Gent Cakaj është kryer i plotë, me përparësi dhe në përputhje me detyrimet ligjore DSIK administron përgjigjet zyrtare të Autoriteteve Verifikuese brenda vendit; SHISH, SHÇBA, si dhe të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si i vetmi Autoritet Verifikues i Republikës Kosovës, pasi  Cakaj mban edhe shtetësinë e Kosovës, krahas shtetësisë shqiptare", thuhet në njoftimin e DSIK.

Sipas DSIK, referuar përgjigjeve të Autoriteteve Verifikuese ka rezultuar se për Gent Cakajn nuk ekziston rrezik i papranueshëm sigurie për pajisjen e tij me CSP, sipas kërkesës së paraqitur nga MEPJ.

DSIK thotë se edhe procedurat e verifikimit të sigurisë janë ndjekur me angazhim maksimal brenda afateve kohore të parashikuara.

 “Afati i përgjithshëm për kryerjen e procedurave të verifikimit dhe lëshimit të CSP-së nga DSIK-ja është deri në 120 ditë kalendarike. Brenda kësaj periudhe përfshihen edhe afatet e verifikimit të sigurisë nga ana e autoriteteve verifikuese. Autoriteti verifikues dhe çdo strukturë tjetër shtetërore, që merr kërkesën e paraqitur nga DSIK për të kryer verifikimin e sigurisë, ka detyrimin të kryejë procedurat dhe të kthejë përgjigje duke dhënë informacionin e kërkuar me shkrim, jo më vonë se 45 ditë kalendarike nga data e marrjes së kërkesës” shprehet DSIK.

Presidenti Meta i kërkoi kryeparlamentarit Gramoz Ruçi ngritjen e një Komisionit Parlamentar Hetimor, për veprimtarin e DSIK.

Sipas Kreut të Shtetit ka dyshime për mënyrën si u krye pajisja me çertifikatë sigurie e Gent Cakajt, të propozuarit nga kryeministri Edi Rama për ministër të Jashtëm. Sipas Metës Cakaj u pajis me çertifikatë sigurie brenda 24 orëve.

/f.ç/Albanian Free Press Online/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: