Braziliani nuk rikthehet në Vlorë, Flamurtari çon çështjen “Alves” në FIFA

Braziliani nuk rikthehet në Vlorë, Flamurtari çon çështjen “Alves” në FIFA
Idrizi: Kriza financiare, gjithçka lidhet edhe me privatizimin

Braziliani Danilo Alves i Flamurtarit është larguar drejt Brazilit, para festave dhe nuk është kthyer më në Vlorë, teksa skuadra nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja ka nisur përgatitjet e janarit.

Situata financiare ka detyruar një pjesë të mirë të lojtarëve kryesore, që të mos kthehen derisa të marrin garanci për pagat e prapambetura. Madje ka pasur aludime se nga problematika e pagave të prapambetura prej disa muajsh mund të ketë një falimentim të grupit investues nga Turqia, me administrator Sinan Idrizin.

“Të jeni të qetë, ne nuk kemi ndërmend të ikim e nuk kemi ikur nga investimi ynë”, tha Sinan Idrizi, administrator i Flamurtarit, që sa u përket pagave të prapambetura, Idrizi shtoi se çdo gjë është brenda kontratës. -  “Siç kanë marrë nga 3 rroga parapagim, kemi edhe ndonjë vonesë të prapambetur”, tha Sinan Idrizi. Idrizi kërkoi të qetësojë edhe tifozët vlonjatë. - “Qytetarëve të Vlorës u kam kursyer 6 milionë euro nga taksat e baskisë.”

Lidhur me bojkotin nga Alves, Indirzi ka lajmëruar se sulmuesi brazilian tashmë do të paditet në FIFA. “Jemi të detyruar t'i dërgojmë letër FIFA-s për vonesën e lojtarit. Danilo Alves duhej të ishte në Vlorë. Nuk do të tolerojmë vonesa”, u shpreh administratori Idrizi, i cili nënvizoi edhe problemin kryesor me të cilin po përballen klubet. - “Gjithçka lidhet edhe me privatizimin. Nëse klubi do të ishte privat, të jeni të sigurt se këto vonesa nuk do të ishin. Nga ana ligjore dua vetëm një letër që i është drejtuar një lojtar klubit për pagat e prapambetura. Nuk ka asnjë gjë të tillë,’ - theksoi ai.

Zvarritja 15-vjeçare e privatizimit të klubeve, ka sjellë edhe këtë situatë ku klubet me histori si Tirana, Flamurtari, Vllaznia, edhe pse me investitorë apo pa investitorë, notojnë prej kohësh në “ujëra të turbullta”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: