Bejkush Birçe: Formula, për suksesin e Shqipërisë në “Euro 2020”

Bejkush Birçe: Formula, për suksesin e Shqipërisë në “Euro 2020”
Intervista/Flet për “Albanian Free Press”, ish-trajneri i shquar ndër vite i Kombëtares, Bejkush Birçe

Në muajin mars Shqipëria hap siparin e kualifikuesve përballë Turqisë. Bejkush Birçe, ish-trajner i Kombëtares shqiptare në kohën e ndërrimit të sistemeve, analizon në një intervistë për “Albanian Free Press” ecurinë dhe perspektivë e kuqezinjve nën drejtimin e trajnerit italian, Christian Panucci. Birçe flet edhe për rolin e dobët të klubeve shqiptare, vizionin që i ka munguar në 30 vjetët e fundit shtetit për zhvillimin e sportit dhe veçanërisht futbollit:

Intervistoi për Albanian Free Press”: Aranit Muraçi

Zoti Birçe, si e shihni besimin që i është dhënë trajneri Panucci, për vijueshmërinë deri në fund të kontratës, pavarësisht ecurisë së Kombëtares gjatë vitit që lamë pas?

Trajneri mendoj se tani e ka njohur Shqipërinë. Njeh ambientin, njeh edhe lojtarët. Nuk mund të prisnim sukses, menjëherë sapo mori drejtimin e Kombëtares. Problematikat janë komplekse dhe mendoj se pas një viti ai i njeh më mirë ato. I duhej lënë koha e mjaftueshme dhe besoj se do të jenë kualifikueset e Europianit, që do të  vendosin mbi të ardhmen e tij.

A janë ndarë përgjegjësinë që ka trajneri dhe ekipi mbi këtë ecuri?

Ne nuk kemi lojtarë që të bëjnë diferencën. Lojtarët, për shansin që u është dhënë, duhet të jenë në unision dhe të japin secili 100 për qind nga vetja. Ndryshe ekipi ynë kombëtar nuk do të ketë sukses. Kritikat se përse është grumbulluar ky lojtar dhe përse jo një tjetër, nuk janë tregues i ecurisë së dobët, sepse shumë pak ndryshon niveli i lojtarëve që janë bërë pjesë e ekipit tonë përfaqësues.

Kombëtarja Shqiptare është mbështetur gjatë 20 viteve të fundit edhe nga lojtarë kosovarë. Por Pas njohjes në FIFA dhe UEFA, Kosova a duhet t’i lejojë lojtarët e saj të bëhen pjesë e Shqipërisë apo është më mirë që të kemi një Kombëtare primare me qëllim që forcat të mos përgjysmohen?

Kosova pas njohjes nga FIFA dhe UEFA ka të drejtën e saj për të konkurruar me një ekip përfaqësues sa më dinjitoz. Dhe bëri një paraqitje të shkëlqyer në Ligën e Kombeve. Në rast se lojtarët kosovarë nuk duan të jenë pjesë e saj, Shqipërisë i duhet të zbulojë dhe të afrojë lojtarët e saj. Ata që janë. Dhe besoj se janë shumë. Para viteve ’90, nuk kishim asnjë lojtar kosovar. E gabuar është edhe ideja për të afruar me çdo çmim një futbollist që shkëlqen në një klub të njohur në Europë, kur ne për të nuk kemi asnjë meritë. Rasti më domethënës ishte ai i një futbollisti kosovar, që shkëlqeu te Mançester Junajtid, Adnan Januzaj. Shqipëria bërë të pamundurën ta kishte në radhët e saj, dhe ai e refuzoi ofertën, por futbollisti ka luhatjet e tij në karrierë.  Di që ai lojtar nuk shkëlqeu më tej dhe nëse do të zgjidhte Shqipërinë, sot do të ishim sërish në kërkim të një talenti tjetër.

A është Shqipëria një vend që mund të nxjerrë mjaftueshëm lojtarë të talentuar, të paktën aq sa vendet e tjera ballkanase që kanë arritur më tepër suksese në futboll?

Patjetër. Një talent mund të gjendet kudo, qoftë edhe në ndonjë fshat të Shqipërisë. Por ai duhet zbuluar dhe motivuar në kohë. Fatkeqësisht ne sot nuk kemi as infrastrukturë dhe as vizion për të ardhmen. A e dini ju që njerëz dikur me profesionin e kasapit apo të ndonjë profesioni tjetër janë bërë mësues fizkulture. Atëherë kush mund të zbulojë një nxënës shkolle, diku një zonë të largët nëse ai ka talent? Edhe klubet e futbollit, që garojnë në ligat tona, nuk kanë as ekipe moshash dhe as njerëz kompetentë për të afruar elementët e duhur apo të së ardhmes, në gjirin e tyre.

Sipas kësaj që ju thoni, çfarë duhet të bëjë federata që të kemi të paktën një ekip sa më konkurrues në të ardhmen?

Shqipëria nuk shkëlqen në ndonjë fushë, për të fajësuar vetëm federatën se pse futbolli është në këtë gjendje. Në fakt Kombëtarja nga klima e përgjithshme e vendit edhe nga historia e saj ka bërë progres dhe pati sukses në Euro 2016. Ndoshta nga federata duhet krijuar edhe një ekip tjetër përfaqësues U-23, siç e kanë shumë vende të tjera për të pasur më tepër lojtarë në dispozicion apo për të mos u zhgënjyer ata që mbyllin ciklin me U-21 dhe nuk e marrin ftesën menjëherë në ekipin e parë. Jo të gjithë mund të bëhen pjesë e Kombëtares, por duke i pasur pjesë të saj dhe duke i trajnuar në një perspektivë tjetër, ata mund të motivohen, çka është e rëndësishme për të ardhmen e tyre dhe për më tepër alternativa që duhet të ketë ekipi ynë kombëtar.

A e shihni të mundshëm kualifikimin e Shqipërisë në “Euro 2020”?

Nuk duhet të vendosim një objektiv të tillë, pasi një i tillë do të ishte i dëmshëm. Ne kemi në grup Francën, kampione bote, me të cilën asnjë skuadër nuk pretendon të dalë para saj. Por kemi edhe Turqinë e Islandën, gjithashtu me pretendime të larta, kundër të cilave nuk kemi më tepër shanse kualifikimi.  E rëndësishme është të rrisim nivelin e të marrim maksimumin kundër çdo kundërshtari, sidomos në fushën tonë, për të marrë maksimumin në fund të kualifikuesve.

 

Gjendja e mjerueshme e klubeve shqiptare

Thuajse e tërë jeta e Bejkush Birçes është e lidhur me atë të trajnerit të disa prej klubeve  më të mëdha shqiptare ndër vite, si te Partizani, Dinamo, Flamurtari, apo Teuta, por edhe trajner i Kombëtares shqiptare. Pas ndryshimit të sistemeve, Birçe sot thotë se klubet shqiptare janë në gjendje të mjerueshme. “Përveç Skënderbeut që gjatë dekadës së fundit krijoi infrastrukturë dhe ngriti një akademi për lojtarë të talentuar, dhe jo më kot pati sukses, të gjitha klubet e tjera janë në pikë të hallit. Pa perspektivë, pa asnjë vizion, pa infrastrukturë, pa të ardhme. Partizani që sot kryeson kampionat, është në krye, sepse Skënderbeu është dënuar nga UEFA. Në të kundërt, Skënderbeu do të ishte i pakonkurrueshëm. Por nëse klubet tona nuk ndjekin një model zhvillimi, ta paktën siç bëri Skënderbeu në 10 vitet e fundit, sukseset e tyre do të rezultojnë një flluskë sapuni.”

 

Politika e 28 viteve të fundin “vrau” të ardhmen 

Tirana me 250 mijë banorë para viteve ’90 kishte 24 fusha futbolli, sa e sa palestra dhe ambiente ku mund të përgatiteshin të rinjtë. Sot me 1 milion banorë, thuajse nuk ka asnjë, - nënvizon Bejkush Birçe. Sipas tij, “Politika e 30 viteve të fundit e shkatërroi sportin dhe të ardhmen. Fushat ekzistuese u zëvendësuan me pallate e beton. Nuk janë të denja as ato ambiente të vogla që reklamohen, se do të ngrenë sportin tonë nga katastrofa ku ndodhemi. Sot ne nuk kemi infrastrukturë sportive për të ardhmen e fëmijëve tanë. Edhe Polonia vend komunist ishte, por mësova se në kryeqytetin polak  jo vetëm nuk u prekën ambientet sportive, por shteti përcaktoi një zonë ku lejoheshin ndërtime për të ndërtuar terrene të tjera, në momentin kur të kishte edhe para. Pak vite më parë Polonia organizoi finalet e Europianit. Ka edhe klube të zhvilluara, ekipin i saj kombëtar e kishte në botëror, dhe sportet e tjera i ka të zhvilluara. Më e rëndësishmja ka terrene sportive ku fëmijët e saj mund të argëtohen dhe të nisin denjësisht karrierën e tyre sportive, për të nderuar vendin.”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: