Balluku fut HEC-et “në sitë”, ekspertët dalin kundër

Balluku fut HEC-et “në sitë”, ekspertët dalin kundër
Skanim fizik i çdo hidrocentrali. Por edhe skanim i dokumentacionit të çdo subjekti që ka marrë licencë për ngritjen e një të tilli në vendin tonë. Kjo është nisma më e fundit që do të ndërmarrë qeveria në lidhje me sektorin e hidrocentraleve në rang vendi. Ajo u komunikua dje publikisht nga ministrja e re e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku. Kjo në një kohë, kur sipas saj, në rang vendi,  vetëm 96 hidrocentrale janë operative. “Ato u përkasin 73 kontratave koncesionare dhe kjo përbën një arsye për një vëzhgim të detajuar të të gjithë kontratave ende jo-operative”, tha ajo. Kurse në total figurojnë se janë lidhur 182 kontrata koncesionare, të cilat u korrespondojnë 440 hidrocentraleve në rang vendi. Duke shpjeguar më tej se një situatë e tillë paraqet nevojën e efikasitetin e politikës së ndjekur në vite për stimulimin e hidrocentraleve të vegjël, impaktin ekonomik dhe social të tyre, e me radhë. “Në këto kushte, kur kemi shumë më shumë kontrata ende jo-operative, sesa operative, është koha të bëjmë një ndalesë dhe të gjykojmë për vazhdimësinë”, tha ajo. Për të vijuar se “ka vendosur ngrirjen e të gjithë kontratave jo-operative, deri në daljen e raportit të skanimit të tyre”. Dhe duke iu referuar një rasti konkret si ai i Gramshit, ministrja e re apeloi se nuk do të lejohet më që të mos përsëriten situata që edhe pse mund të jenë ligjërisht të paatakueshme, faktikisht janë të papranueshme. “Do të punojmë për përmirësimin e bazës ligjore e të procedurave. Por dua ta them shumë qartë: vërtet hidrocentralet e vegjël kontribuojnë në ekonomi, por ata dhe mund të dëmtojnë ekonomikisht shumë më tepër sesa kontributi i tyre, nëse për një HEC të vogël i bie vlera një pasurie të madhe natyrore”, ishte një tjetër apel i drejtueses së ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës.

 182

Kontrata koncesionare rezultojnë të lidhura në total, të cilat u korrespondojnë 440 hidrocentraleve në rang vendi

73

Kontrata koncesionare rezultojnë të lidhura aktualisht për , 96 hidrocentrale në rang vendi që janë operative

 

SUZANA GUXHOLLI

Ish-këshilltarja ekonomike e kryeministrit: Çfarë rivlerësimi mund t’u bësh kontratave?

“Nuk e di se çfarë rivlerësimi mund t’u bësh kontratave koncesionare të lidhura për hidrocentralet, kur është e njëjta qeveri që ka dhënë shumë prej tyre. Kontrata është e shenjtë”. E këtij mendimi shprehet gjatë një prononcimi të posaçëm për “Albanian Free Press”, ish-këshilltarja ekonomike e kryeministrit Sali Berisha, Suzana Guxholli, mbi nismën më të fundit për skanimin e të gjitha kontratave të dhëna për HEC-e në rang vendi. Sipas saj, kontratat duhen respektuar se kanë kosto të jashtëzakonshme dhe “investitorët që të vijnë në Shqipëri, duhet të kenë garanci që kontrata e tyre respektohet. Nëse u humb ky besim, kjo është e dëmshme për ekonominë shqiptare”. “Por edhe që të mos japësh më kontrata nuk ka logjikë ekonomike”, shton ajo. Duke prekur më tej edhe çështjen e përfolur të prekjes së lumenjve nga ndërtimi i HEC-eve, e cila ka shërbyer edhe si shkas për këtë nismë të qeverisë. “Nisur qoftë nga vendimi për të ndalur shfrytëzimin e lumenjve për të prodhuar energji, në një kohë kur të gjithë investitorët ndërsa kërkojnë një kontratë për të ngritur një hidrocentral, e dinë se duhet të kenë kujdes edhe pjesën ambjentaliste. Por duhet bërë balancimi, ambienti me shfrytëzimin”, sqaron ajo. Duke përfunduar se “ekonomikisht, të ndalësh kontratat e hidrocentraleve është një gjë e papranueshme”.

 

EKSPERTI I EKONOMISË

Zef Preçi: Komuniteti i biznesit s’do ta presë mirë një vendim të tillë

Komuniteti i biznesit s’do ta presë mirë nismën e qeverisë për skanimin e lejeve të dhëna për të ndërtuar hidrocentrale. I këtij mendimi shprehet eksperti Zef Preçi, i pyetur nga “Albanian Free Press” sesi e komenton ai masën për skanimin e kontratave të HEC-eve jo-operative. Sipas tij,

koncesionet e deritanishme janë monitoruar gjatë procesit të kryerjes së punimeve. Ndërsa shprehet se ka nevojë edhe për verifikim të lejeve, por sipas rastit dhe sipas ligjit. “Nëse ti i ke dhënë një afat ndërtimi për hidrocentral një kompanie dhe ajo e ka vonuar atë, ka një agjenci shtetërore që e verifikon këtë. Penalitetet parashikohen në ligj, në rastet kur nuk respektohet kontrata”, sqaron ai, duke pohuar se “pezullimi i lejeve që janë dhënë në konformitet me rregullat, është i pambështetur në ligj”. “Qeveria është në vazhdimësi, nuk operon me fushata pasi shpeshherë ka ndodhur që këto të jenë kthyer në presione ndaj bizneseve për të marrë pará nën dorë. Veprohet mbi bazën e procedurave ligjore, me vendime qeverie, me konsultime me grupet e interesit dhe duke u konsultuar edhe me parlamentin nëse do të jetë nevoja”, shton gjithashtu eksperti Preçi. E në vijim të kësaj, ai pohon se “biznesi ndihet nën presion për të paguar dhe frustrohet në këtë mënyrë”. “Ka një ent rregullator mbikqyrës, i cili verifikon rastet dhe respektimin e kontratave në mënyrë individuale. Të merren masa individuale, jo me masa represive dhe ndëshkimore ndaj biznesit.  Qeveria mirë bën që do ta stabilizojë këtë proces, por duhet të shihet edhe fatura financiare kush fiton dhe kush dëmtohet nga një masë e tillë”, përfundon Preçi.

 

 

BILANCI

HEC-et private nuk japin as çerekun e energjisë që prodhohet në vend

Mund të ketë një numër të madh të tyre, por fakti është se ato nuk prodhojnë as çerekun e energjisë elektrike në rang vendi. Kjo dukuri konfirmohet për hidrocentralet private nga ekspertët e Institutit të Statistikave, teksa kanë bërë bilancin e energjisë që prodhohet tek ne. Sipas tij, rezulton se vitin e kaluar, “në totalin e energjisë elektrike të prodhuar, hidrocentralet publike kontribuan në masën prej 80%, ndërsa hidrocentralet private dhe koncensionare realizuan vetëm 20% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike”. Në tremujorin e tretë të vitit 2018, hidrocentralet publike prodhuan 1.304 GVh energji elektrike nga 300 GVh të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2017, duke shënuan kështu një rritje të prodhimit me rreth 4.4 herë. Ndërsa, hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 326 GVh energji elektrike nga 118 GVh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuan një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me rreth 2.7 herë”, shtojnë ata.