ASGJË E RE NGA “21 JANARI” - REDAKSIONALE NGA EDISON KURANI

ASGJË E RE NGA “21 JANARI” - REDAKSIONALE NGA EDISON KURANI
Nga Edison Kurani

Kaluan gjithë këto vite dhe dje ishte përvjetori i tetë i “21 Janarit”, ditë kur një demonstratë e thirrur nga kreu i atëhershëm opozitar Edi Rama, precipitoi në përplasje të dhunshme dhe u mbyll me vrasjen e katër qytetarëve protestues, në rrethana që zyrtarisht ende mbeten të paqarta.

Por duket se edhe ky 21 janar, kaloi ashtu si pa u ndjerë. Pa bujë. Pa zhurmë. Plot me heshtje. Dhe me disa momente të vogla heshtjethyerje. Teksa familjarët e Ziver Veizit, Aleks Nikës, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës u mblodhën në Kryeministri, u përballën me një kryeministër që për të tetin vit radhazi nuk ka ç’u thotë atyre.

E kur dolën të vendosin lule te vendet ku të katërt u vranë, familjarët e tyre të ndjekur nga Rama, sërish heshtën. Përjashtuar familjarit të njërit prej tyre, që iu drejtua me zë e sy të lodhur Ramës: Po presim drejtësinë që na premtove...

Heshtjen e theu dhe një qytetar që teksa Rama hidhte lule atje u ku gjetën trupat e protestuesve, e quajti antishqiptar dhe për këtë, përfundoi menjëherë në polici.

Rutinën e 21 janarit të përvitshëm nuk e theu as Presidenti Ilir Meta, i cili si zakonisht dhe dje në këtë përvjetor të tetë nuk ndodhej në Shqipëri. Një vizitë shtetërore në Malin e Zi, ishte pjesë e axhendës që hapi punën presidenciale për javën që nisi.

E ndërsa heshtja e rutina kanë kapluar fuqishëm “21 Janarin”, duke bërë që asgjë të re mos të ketë për të, shqiptarët ende kanë një pikëpyetje të madhe: Si mundet që një demonstratë e ndjekur nga syri i plot njerëzve e kamerave, të mos arrihet të zbardhet edhe tetë vjet më pas?