Angela Merkel sot në Athinë, arsyeja e vizitës!

Angela Merkel sot në Athinë, arsyeja e vizitës!
Angela Merkel do të vizitojë sot Athinën, vizitë kjo në një moment kur Greqia sapo ka dalë prej programeve monitoruese të trojkës evropiane, pas ndihmës që mori për të kapërcyer krizën financiare disa vite më parë.

Kancelarja gjermane sjell edhe një paketë ndihme ekonomike për Athinën zyrtare, si shenjë mbështetje për kryeministrin Aleksis Tsipras, tashmë që vendi duket pranë një krize politike, pas kërcënimeve të Panos Kamenos, partnerit të koalicionit qeverisës në vend, i cili ka një shumicë prej vetëm 151 votash në Parlamenin prej 300 deputetësh, se mund të largohet prej koalicionit.

Berlini zyrtar kërkon gjithashtu që Athina dhe Shkupi të mbyllin marrëveshjen mes tyre, çka do t’i hapë rrugë integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Merkel do të mbërrijë në Athinë rreth orëve të pasdites, ku do të takojë krerët e shtetit, si dhe biznesmenë dhe krerët e korporatave vendase.

Për ruajtjen e sigurisë janë caktuar më shumë se 2000 policë, si dhe janë parashikuar masa ekstra sigurie, si mbyllje stacionesh te metrosë së Athinës, apo devijim të lëvizjes në qendrën e kryeqytetit helen.

Edhe ose policia nuk ka dhënë leje për tubime, grupimet ekstremiste të majta dhe të djathta, kanë vendosur që të protestojnë gjatë vizitës së Merkel.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: