6 SFIDAT E MËDHA TË VITIT 2019 – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

6 SFIDAT E MËDHA TË VITIT 2019 – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

Protesta e studentëve, ajo e “Astir-it”, dekretimi i ministrave të rinj, zgjedhja e kryeprokurorit, ngritja e SPAK dhe BKH. E po ashtu, zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe vendimi i BE për hapjen e negociatave për anëtarësim, pritet të jenë 6 sfidat e mëdha përgjatë vitit 2019. Përse janë të tilla dhe si janë parashikimet. Një analizë nga opinionisti i gazetës “Albanian Free Press”, Roland Qafoku

Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në vitin e 107-të të krijimit të shtetit, Shqipëria duhet sikur ka të njëjtat probleme si 10 apo 15 vjet më parë. Ekonomi e dobët, papunësi në shkallë të gjerë dhe emigracion në rritje janë plagë të mëdha që po e bëjë vendin tonë t’i ngjajë trupit që nuk i ikin ethet.

Por rezultantja e gjithë këtyre plagëve është humbja e shpresës duke bërë që masa e njerëzve të mos besojë tek asnjë forcë politike. Duket sikur rrotullohemi rreth një boshti dhe kjo gjë përsëritet pa ndryshuar gjë. Edhe në 365 ditët e vitit që sapo hyri janë pothuajse të njëjta sfida. Ndryshojnë vetëm ato që janë të parashikuara të ndodhin.

Gjithsesi të paktën 6 prej tyre janë sfidë mbi sfidat: Protesta e studentëve, protesta e zonës së “Astir”-it, dekretimi ose jo i ministrave të rinj, zgjedhja e kryeprokurorit të ri të përhershëm dhe ngritja e SPAK dhe BKH, zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe vendimi për hapjen ose jo të negociatave për anëtarësim me BE do të përcaktojnë fatin e vitit të ri 2019 për Shqipërinë.

1.PROTESTA E STUDENTËVE

Dje studentët u rikthyen sërish në protestën e paralajmëruar që e ndërprenë në dhjetor. Ata vazhduan me kërkesat e tyre me 8 pika duke mos qenë dakord vetëm me realizimin e disa prej tyre. Kryeministri Edi Rama mori disa vendime në fund të vitit duke ulur tarifat e pagesave për ndjekjen e universiteteve. Megjithatë duket se beteja më e madhe e studentëve me qeverinë është abrogimi i ligjit për arsimin e lartë për të cilin kryeministri tha se nuk do ta ndryshojë. Vendosja pikërisht në këto dy llogore pritet të sjellë një sfidë të fortë mes dy palëve. Askush nuk mund të bëjë parashikime në këto momente, por nëse kjo situatë vazhdon do të ndikojë më së paku, në mbarëvajtjen e procesit mësimor në universitete që vazhdon të jetë kaotik që prej dhjetorit.

2.PROTESTA E ASTIRIT

Protestat e banorëve të zonës së Astirit anë Tiranë mbërriti në ditën e saj të 65-të. E nisur që më 3 nëntor të vitit të kaluar, ajo rezulton të jetë protesta më e gjatë e një grupi të caktuar interesi pas asaj të teatrit që më 8 shkurt mbush një vit. Janë njëmijë banorë të cilët, nëse zbatohet projekti do të jenë në rrugë të madhe dhe pikërisht për këtë ata prej më shumë se dy muajsh kanë dalë në rrugë, e kanë bllokuar atë dhe nuk kanë lejuar zbatuesit e projektit të nisin punimet.

Kjo protestë pritet të jetë një sfidë e madhe gjatë vitit 2019. Kush do të fitojë: Protestuesit që kundërshtojnë prishjen e 300 banesave ose dëmshpërblimin 10 për qind, apo qeveria që synon të zbatojë projektin për zgjerimin e Unazës së Madhe të Tiranës.

Brenda kësaj sfide ka edhe një sfidë tjetër që lidhet me hetimin e prokurorisë për skandalin e falsifikimit të dokumenteve të firmës fituese të një prej loteve të rrugës së projektuar. Pronari i saj kishte arritur të falsifikonte deri firmën e Sekretarit të Shtetit dhe për këtë ka një hetim edhe në SHBA. Pavarësisht sqarimeve që kanë bërë drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ky është një nga skandalet më të mëdha që ka shpërthyer në vitet e fundit në Shqipëri. Prandaj zbardhja e këtij skandali pritet të jetë një sfidë shumë e rëndësishme dhe e pandarë nga protesta e banorëve.

3.DEKRETIMI I MINISTRAVE TË RINJ

Presidenti Ilir Meta e dha sinjalin e parë të përplasjes së re me kryeministrin Edi Rama teksa ditën e shtunë nuk e dekretoi shkarkimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati. Duket se viti i ri ka nisur politikisht me një sfidë mes presidentit dhe kryeministrit pikërisht për ndryshimet në qeveri që bëri Rama në fund të vitit të kaluar.

Më 28 dhjetor kryeministri Rama shkarkoi 7 ministra të kabinetit qeveritar dhe zëvendësen e tij dhe në vend të tyre emëroi 7 të tjerë. Kështu u shkarkua ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe në vend të saj u emërua Besa Shahini. U shkarkua ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe në vend të tij u emërua Anila Denaj. U shkarkua ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati dhe në vend të tij u emërua Genc Cakaj. U shkarkua ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe u emërua Belinda Balluku. U shkarkua ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe në vend të saj u emërua Elva Margariti. U shkarkua ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi dhe në vend të tij u emërua Bledi Çuçi. U shkarkua ministrja e Shtetit për mbrojtjen e Sipërmarrjes Sonila Qato dhe në vend të saj u emërua Eduard Shalsi. U shkarkua zëvendësministrja Senida Mesi dhe në vend të saj u emërua Erion Braçe. U emërua gjithashtu si ministre për Marrëdhëniet për Parlamentin Elisa Spiropali.

Por Presidenti Meta ndërsa ka hedhur firmën për dekretimin e ministrave të rinj që janë deputetë si Elisa Spiropali, Bledi Çuçi, Eduard Shalsi, Erion Braçe, kurse ka kërkuar kohë për ata që nuk janë deputetë. Nuk dihet nëse kjo situatë do të ngjajë me atë të dekretimit të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, por fakti që presIdenti hezitoi për shkarkimin e Bushatit, bën që në horizont të duket një përplasje e re. Më mirë të themi pritet të kemi një sfidë që nuk dihet se kush do ta fitojë.

4.KRYEPROKURORI, SPAK DHE BKH

Sfidë mbi sfidat më vitin 2019 në fakt mbetet vijueshmëria e reformës në drejtësi. Pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësorit, hapi i radhës pritet të jetë zgjedhja e kryeprokurorit të ri. Por më e rëndësishmja te ngritja e organeve të drejtësisë, është sidomos ngritja e Strukturës së Posaçme për Anti Korrupsionin dhe Krimin e organizuar SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit BKH. Pikërisht e hëna ishte edhe dita e parë e nisjes së procedurës për ngritjen e SPAK.

Viti 2019 pritet të ketë si sfidë aktivizimin e këtyre strukturave për të luftuar korrupsionin në radhët e politikës dhe zyrtarëve të shtetit. A do të arrestohen politikanët dhe zyrtarët e korruptuar dhe ata të lidhur me krimin? Përgjigja e kësaj pyetjeje do të jepet në 12 muajt që do të vijnë. Fundja për çfarë u bë reforma në drejtësi? Ajo do të jetë në një provë të madhe përgjatë vitit që sapo nisi.

5.ZGJEDHJET LOKALE

Më 30 qershor do të mbahen zgjedhjet e 8-ta lokale që pas rrëzimit të sistemit komunist. Ato do të jenë një sfidë më vete e politikës shqiptare për të parë se nga anon pushteti pas 7 viteve që socialistët kanë qeverinë qendrore dhe dominojnë njëkohësisht bashkitë. Edhe pse janë lokale, këto zgjedhje marrin rëndësi të veçantë sepse do të tregojnë trendin e votave në rang kombëtar dhe në këtë kontekst nëse qeveria gëzon ende besim në masën e njerëzve apo nëse kjo masë mbështet opozitën. Duhet thënë se në dy vitet e para të mandatit të dytë në pushtet, vërtetë socialistët po qeverisin vetëm, por ata nuk po i ndahen sindromit të mandatit të dytë. Edhe pse në shumë raste kryeministri dhe kryetari i PS ka deklaruar se duke qeverisur në mandatin e dytë socialistët po punojnë për të fituar mandatin e tretë, gjasat po zvogëlohen. Qeveria është përfshirë nga një sërë skandalesh e po ashtu, ekonomia e dobët është ajo që nuk fal asgjë. Prandaj zgjedhjet lokale marrin një rëndësi edhe më të madhe për të treguar se nga do të anojë peshorja e pushtetit.

6.HAPJA E NEGOCIATAVE PËR ANËTARËSIM NË BE

Në muajin qershor Shqipëria pritet të ketë një tjetër sfidë. Në fakt mund të quhet sfidë mbi sfidat. Pasi e shtyu një 12-mujor tjetër nga viti 2018, BE mori vendimin duke vënë një sërë kushtesh për qeverinë shqiptare në mënyrë që në qershor të hapë negociatat për anëtarësim me BE. Por a do të arrijë qeveria të plotësojë kushtet dhe BE të hapë negociatat? Deri në qershor nuk është një kohë e gjatë dhe nuk dihen se si do të ndryshohen treguesit, por ai do jetë një vendim shumë i rëndësishëm për vendin tonë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: