ZHVILLIMET NË BRUKSEL/ Tanja Fajon: Kosova, po humbasim shumë kohë

ZHVILLIMET NË BRUKSEL/ Tanja Fajon: Kosova, po humbasim shumë kohë
Liberalizimi i vizave për Kosovën, flet nga Brukseli, raportuesja e Parlamentit Evropian për Liberalizmin e Vizave, Tanja Fajon

Ajo që po ndodh me Kosovën, është e papranueshme për eurodeputetët ndaj ata shprehen të zhgënjyer nga fakti që presidenca austriake konfirmoi dje se nuk do ta pёrfshijё nё axhendё çёshtjen e vizave pёr kosovarёt nё takimin e BE-së më 6 dhe 7 dhjetor.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Liberalizmin e Vizave, Tanja Fajon u shpreh e zhgënjyer dje në Bruksel, lidhur me mungesën e vullnetit për liberalizmin e vizave për kosovarët dhe kërkoi nga institucionet kosovare që kërkesat e tyre t'ua drejtojnë më shumë, direkt vendeve anëtare e jo direkt institucioneve të BE-së.

Fajon pohoi se Kosova i ka përmbushur kushtet, duke shtuar se “qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizmin e vizave”.

Raportuesja Fajon, i bëri komentet në një panel të Konferencës BE-ja dhe Balkani Perëndimor të organizuar nga Think Tenku, Friends of Europe.

"Unë jam e hidhëruar dhe e zhgënjyer, pasi Kosova i ka përmbushur kushtet, qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizmin e vizave, sepse ata e kanë bërë punën e tyre”, tha Fajon.

“Ne si institucione të BE-së kemi bërë shumë presion te kosovarët që ata të përmbushin kërkesat, ato janë përmbushur dhe komisioni e ka pranuar këtë. Sa i përket institucioneve të BE-së Kosova e ka dritën e gjelbër tash kjo është në dorën e qeverive të BE-së”, - shtoi Fajon.

Ajo specifikoi Gjermaninë dhe Francën si dy vende kyçe, ku procesi i liberalizimit është bllokuar. Ajo tha se në emër të Parlamentit Europian, së bashku me europarlamentarin Kukan do të shkruajnë një letër, përmes së cilës do të kërkohet nga vendet anëtare që të kalojnë liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Tani në pyetje është kredibiliteti i institucioneve evropiane. Vendet anëtare duhet ta kuptojnë këtë”, - theksoi zonja Fajon.

Ajo evidentoi faktin se presidenca austriake nuk do ta ketë në axhendë çështjen e liberalizimit të vizave. Kurse pohoi edhe se këtë nuk pritet ta bëjë as presidenca e ardhshme rumune. “Kjo do të thotë se jemi duke humbur shumë kohë”.

“Unë do ta ngre këtë çështje në Komisionin Evropian dhe te qeveritë e vendeve anëtare. “Ata nuk kanë realizuar premtimin dhe ne do të bëjmë presion të vazhdueshëm”, theksoi Fajon.

 

 

Gjermania dhe Franca mbajnë peng vendimin

Kёshilli Evropian përbëhet nga Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare, të cilët duhet të pranojnë me shumicë votash liberalizimin e vizave. Sipas zonjës Fajon pengesë këtu është Gjermania dhe Franca.

Një grup eurodeputetësh kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën

Prishtina shpresonte se këtë muaj Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian do ta diskutonte heqjen e vizave në takimin e 6 dhe 7 dhjetorit, por kjo nuk është përfshirë në axhendën e takimit

Një grup prej 22 deputetësh të Parlamentit Evropian kërkuan të martën që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave pa shtyrje.

Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidencës austriake të Bashkimit Evropian, deputetët shkruajnë se liberalizimi i vizave do të përmirësojë qëndrueshmërinë dhe do ta afrojë Kosovën me Bashkimin Evropian.

Duke theksuar se Kosova është i vetmi vend i papërfshirë në këtë regjim, deputetët shkruajnë se kjo krijon ndjenjë të izolimit që ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.

Në letër përmendet fakti se Komisioni Evropian që më 18 korrik kishte pohuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për përfshirje në këtë regjim dhe Parlamenti Evropian me shumicë votash më 13 shtator mbështeti liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Propozimi i parë nga Komisioni Evropian qe dhënë në maj të vitit 2016, por procesi i u bllokua për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas gati tri vjet debatesh e përplasjesh në parlamentin e Kosovës, por edhe jashtë tij, marrëveshja u ratifikua në mars të këtij viti.

Në Kosovë kishte shpresë se këtë muaj Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian do ta diskutonte këtë çështje në takimin e 6 dhe 7 dhjetorit, por kjo nuk është përfshirë në axhendën e takimit.

Kjo u konfirmua edhe gjatë vizitës së komisionarit të BE-së për zgjerim, Johannes Hahn i cili të hënën qëndroi në Kosovë për të nxitur Prishtinën që të heqë tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia.

Qytetarët e Kosovës aktualisht janë të vetmit në rajonin e Ballkanit perëndimor që duhet të kërkojnë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa qytetarët e vendeve fqinje vitin e ardhshëm mbushin dhjetë vjet që kur janë përfshirë në regjimin e udhëtimit pa viza.

 

Letra u iniciua nga Fajon dhe Kukan

Letrёn e hapur e kanё iniciuar europetutetёt Tanja Fajon dhe Eduard Kukan dhe e kanë nënshkruar edhe Andrej Kovaçev, Angelina Mlinar, Asim Ademov, Barbara Spineli, Brigit Sipel, Daniele Viotti, Dubravka Shuica, Eugen Freud, Heinz G. Beker, Igor Sholtes, Ilhan Kjuçuk, Ivo Vajgel, Jordi Sole Jozo Radosh, Knut Flekenshtajn, Lukas MandlMari Kristin Vergiat, Otmar Karas, Sofi in’t veld, Tonino Picula.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: