“Topi i Artë”, Modric i jep fund epokës Messi-Ronaldo

“Topi i Artë”, Modric i jep fund epokës Messi-Ronaldo
Antoine Griezmann, Raphael Varane e Kylian Mbappe, lojtarët francezë fitues të Kupës së Botës ishin rivalët kryesorë të Modric, që i dhanë fund mbretërimit të dyshes Messi-Ronaldo 

Aranit Muraçi

A do ta meritonte kush tjetër Topin e Artë, përveçse Luca Modric?! Në Spanjë kroatit ia dorëzuan trofeun disa orë para se çmimi më prestigjioz individual i vitit për një futbollist të jepej zyrtarisht.

Në një mbrëmje “gala” që u organizua në Paris dorëzohet Topi i Artë 2018 dhe pas një dekade ai nuk i përket më dyshes së zakonshme të podiumit.  Në Dhjetor 2007, Kaka fitoi Topin e Artë dhe ai nuk mund ta kishte imagjinuar se çfarë momenti historik do të ishte për brazilianin ai moment. Asnjë futbollist tjetër pas tij nuk ka mundur dot të ngrejë trofeun, përveç Cristiano Ronaldo-s e Lionel Messi-t, në dhjetë vjet më radhë. Dy yjet e futbollit botëror e ndanë çmimin më të lartë individual për një futbollist secili nga pesë herë, si askush tjetër në tërë historinë e futbollit botëror.

“Mbretërimi” Messi-Ronaldo mori fund mbrëmjen e djeshme. Mediat spanjolle, si dhe më herët ato italiane e shpallën fituesin para kohe: Luca Modric. Sipas tyre pati një betejë të ashpër mes kroatit që udhëhoqi vendin e tij drejt finales së Kupës së Botës “Rusi 2018”, dhe tre lojtarëve francezë që fituan trofeun me Francën: Antoine Griezmann, Raphael Varane e Kylian Mbappe. Antoine Griezmann ishte dëshira e Francës, por ai duhet të ftonte betejën individuale me Modric, kurse Mbappe kishte siguruar trofeun e Lojtarit më të ri të Vitit. Por pavarësisht se francezët e mbyllën turneun me trofeun e Kupës së Botës në duar, individualisht fantazisti kroat i Real Madrid, Luca Modric, pati pëlqimin e trajnerëve dhe kapitenëve të ekipeve kombëtare, si dhe të një paneli gazetarësh që përzgjedh revista prestigjioze franceze “France Football”.  Modric para këtij trofeu pati fituar edhe një sërë çmimesh të tjera individuale, si Lojtari më i mirë i Vitit nga UEFA. Ai ishte gjithashtu vitin e kaluar në podiumin e fituesve kur uroi shokun e skuadrës Cristiano Ronaldo, për trofeun e pestë që siguroi dhe të fundit që i dha fund epokës mes tij e Leo Messi.  Në 61 edicione, që kur është dhënë për herë të parë trofeu i Topit të Artë, para epokës Messi dhe Ronaldo, këtë çmim e patën fituar nga tre herë vetëm Johan Krujf, Marko van Basten dhe Mishel Platini.

Fundi i një dominimi 10-vjeçar: Messi-Ronaldo

2007: Kaka

2008: Ronaldo

2009: Messi

2010: Messi

2011: Messi

2012: Messi

2013: Ronaldo

2014: Ronaldo

2015: Messi

2016: Ronaldo

2017: Ronaldo

2018: Modric?

Shpërndajeni me miqtë tuaj: