Të drejtat e mohuara të studentëve me “xhepat bosh”...dhe përgjegjësit anonimë!

Të drejtat e mohuara të studentëve me “xhepat bosh”...dhe përgjegjësit anonimë!
Rreth 100 vjet më parë deputeti opozitar Fan Noli, mbi gjendjen e mjerueshme të arsimit në atë kohë, iu drejtua ironikisht në Kuvend një deputeti që ishte pjesë e qeverisjes së Ahmet Zogut, me fjalët: “Ti Halim që s’ke këndim, pse nuk bëhesh ministër për Arsim?!”.

“O Lindit që s’di këndim, u bëre ministre për Arsim!!!” Kjo ishte sot thirrja po kaq ironike e një grupi të gjerë studentësh, para dyerve të Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, duke e sulmuar ndërtesën me vezë, në shenjë proteste.

Qindra studentë, kryesisht të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, prej dy ditësh po protestojnë për tarifat dhe gjendjen e arsimit, ndërkohë që pakënaqësia sidomos mbi disa tarifa shtesë ndihet thuajse tek të gjithë.

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Lindita Nikolla pas një takimi me dekanët e fakulteteve kryesore të UT, doli edhe foli pas protestës së studentëve, duke bërë një bilanc të reformës në Arsimin e Lartë, që shtoi se do ta çojë deri në fund. Nikolla tha se duhet të tregojmë respekt maksimal për të dëgjuar dhe komunikuar me studentët, ndërkohë që problemet dhe vështirësitë e tyre janë të ditura. Ato i di edhe publiku i gjerë. Studentët pas protestës së sotme i kishin dërguar një letër ministres me disa pika kërkesash në dikasterin e udhëhequr prej saj. Ndërkohë që Ministrja e Arsimit foli pikërisht për tarifat, duke bërë krahasime me qeverisjen e kaluar, pa i dhënë përgjigje kërkesës kryesore nëse është e drejtë heqja e tarifës shtesë për provimet kur studenti rezulton mbetës, apo jo? Rregulli përderisa është vendosur, qoftë edhe nga universiteti, pse konsiderohet i drejtë nga ministria!

Nëse një rregull të tillë e kanë edhe universitetet publike në Francë apo në Angli, apo vende të tjera të zhvilluara, andej ka medoemos edhe një standard të vetëm vlerësimi për të gjithë studentët, sikurse ka lehtësira për shkollimin e tyre. Studentët jashtë kanë akses të marrin edhe kredi në bankë, e t’i shlyejnë detyrimet pas studimeve, përveç se punësimi është po ashtu i garantuar për ta, si gjatë verës, gjatë apo edhe pas shkollimit.

Pyetjes së një qytetari, “shiko dhe zgjidh hallin e studentëve se kanë bërë kaps Tiranën. Mos mbaj ministra mediokër e pa shkollë ose me shkollë UFO,” në profilin e tij Facebook, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot, lidhur me protestën e studentëve: “Më falni po e para ministrja s’është as pa shkollë as me UFO, ndryshe nga çfarë ju mund të keni mësuar nëpër kazanët mediatike, ndërkohë që pyetja ime është: A jeni ju dakord që t’i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit për studentët ngelës? Unë për vete nuk jam dakord e para dhe e dyta, nuk ka asnjë rritje tarifash qysh prej vitit 2014 (dhe tarifat nuk i vendos ministrja, po vete universiteti sa për dijeni, quhet autonomi universitare), po ka zhurmë kazanësh, dizinformim me dashje apo llaf pas llafi, si edhe këmbëngulje nga një pakicë për të mos pranuar zbatimin e reformës që e nxjerr universitetin nga bataku shumëvjeçar.”

Në rast se tarifën shtesë e kanë vendosur universitetet, Ministria e Arsimit duhet t’iu përgjigjet sa më shpejt pretendimeve të studentëve për të parë nëse ajo është apo jo e drejtë.

Ndërsa protestat e tyre lidhet kryesisht me heqjen e pagesës për kredite të provimeve të mbartura, shtyrjen e afatit të pagesës vjetore dhe bërjen e pagesës me këste, që të trija, nëse do të “studiohen” mirë nga oborri akademik dhe ministria përkatëse, do të rezultojnë kërkesa mëse të drejta dhe ekonomike për shumicën dërrmuese të studentëve, që nuk vijnë nga shtresa të lartë të shoqërisë sonë. Duke vendosur uljen e tarifës si kërkesë të parë dhe të vetme të tyren, apo duke e përshëndetur protestën segmente të caktuara politike, duket sikur qëllimisht dhe politikisht kërkohet të luhet me fatin dhe vështirësitë ekonomike që hasin studentët, nga të dyja palët politike.  Dhe fakt është se askush nuk merret me hallin e tyre të vërtetë!

Studentët në protestën e tyre si kërkesë kryesore kishin pikërisht heqjen e tarifës prej 670 lekë për kreditet, që ishte vendosur për çdo provim të mbartur. Një nga vendimet e viteve të fundit të qeverisë parashikonte pikërisht tarifa shtesë për studentët, për çdo provim që do të përsërisin, dhe kjo besohet se ishte bërë me qëllim që të rritej cilësia e arsimit për të detyruar studentin që të studionte më tepër! Në fakt sipas vlerësimeve zyrtare ende nuk ka një standard në oborret akademike, që studenti të ndihet i barabartë në vlerësimin e pedagogut të lëndës, pavarësisht nëse ajo është cilësore dhe formuese për të ardhmen e tij. Pra për të rritur cilësinë në universitete ende nuk ka asnjë detyrim ligjor ndaj pedagogut, i cili siç është parë gjatë sezoneve të provimeve, kur autoritet kanë qenë në vigjilencë, ka pasur arrestime për ryshfet nga ana e tyre. Por në rastin kur studenti nuk jep ryshfetin e kërkuar, çfarë ndodh dhe ç’duhet të bëj ai me këtë padrejtësi? Të paguajë edhe tarifa shtesë!

Pikërisht ligji mbi tarifat nuk merr parasysh padrejtësitë që mund t’i bëhet studentit, nëse ai rezulton ngelës me dashje nga autori i lëndës. Kjo “metodë që Ministria e Arsimit ndoshta nuk e di”, përdoret “si formë presioni për të paguar pedagogun në kohë, ose tarifën si mbetës,” pretenduan disa studentë mbi kërkesën e tyre të parë.  Kaosin që mbizotëron në universitetet tona prej dekadash, e vërtetuan dy raportet e hartuara gjatë pesë viteve të fundit, e para ajo e Reformës së Arsimit të Lartë dhe e dyta që doli një vit më parë, për Cilësinë,  të cilët asnjëra nuk fajësonte studentin dhe nxorën kontradikta të thella mbi gjendjen ku ndodheshin universitetet publike. Nuk ka ende asnjë raport që provon se ka pasur avancim të universiteteve në CILËSI.

Gjithashtu tarifat në universitete aplikohen të njëjta për të gjithë studentët, dhe jo sipas mundësive ekonomike, diçka kjo e papranueshme për vendet e tjera, kryesisht të zhvilluara.

Nëse nga oborret akademike do të bëhet një studim për të zbuluar se kujt shtrese shoqërore në Shqipëri i përkasin studentët që hasin më pak pengesa gjatë viteve të shkollimit , do të rezultojë se ata janë të shtresave “elitare” shoqërore: të lidhura me politikën, ose me botën e biznesit.

A kanë ndonjë përgjegjësi universitetet?    

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL) (një vit më parë) publikoi raportin e hartuar nga Agjencia Britanike AAQ (Agjencia e sigurimit të cilësisë) për akreditimin e universiteteve shtetërore dhe private shqiptare,  e ngarkuar nga qeveria pas implementimit të Reformës së Arsimit të Lartë.

Raporti jepte edhe disa detyra urgjente për Universitetet Publike, si më poshtë:

Universiteti duhet të zhvillojë dhe zbatojë një politikë formale për plagjiarizmin dhe shkelje të tjera akademike, deri në Gusht 2018;

Universiteti duhet të qartësojë dhe publikojë qasjen e tij për sigurimin e cilësisë së programeve të studimit, deri në Gusht 2018;

Universiteti duhet të zhvillojë dhe zbatojë një strategji formale kërkimore për të adresuar prioritetet e kërkimit institucional, deri në Gusht 2018;

Universiteti duhet të ndërmarrë veprime sistematike për të përmirësuar disponibilitetin dhe aksesin në tekstet dhe burimet online në bibliotekë;

Universiteti duhet të hartojë politikë shëndetësore formale, përfshirë procedurat për vlerësimin e efektivitetit të saj, deri në Gusht 2018;

Universiteti duhet të ngrejë një strukturë dhe hartojë procedura për mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave në lidhje me punësimin e të diplomuarve të tij, deri në Gusht 2018.

Brenda 3 (tre) muajve nga publikimi i këtij vendimi, “Universiteti i Tiranës” duhet të hartojë një Plan Veprimi konkret për përmbushjen e këtyre rekomandimeve dhe ta dorëzojë atë pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Raporti ka nënvizuar zyrtarisht dhe ka pranuar që nuk ka një standard vlerësimi për studentët, që do të thotë se dikush mund të kalojë dhe dikush jo, sipas dëshirës së lektorit dhe jo të ndonjë standardi. Atëherë nëse një student kalon padrejtësisht dhe një tjetër mbetet padrejtësisht, përse këtij të fundit i duhet bërë një padrejtësi e dytë e madhe.

A është reformuar Arsimi i Lartë?

“Arsimi i Lartë në Shqipëri, si në të gjitha vendet e zhvilluara, konsiderohet një shërbim publik dhe e mirë publike, dhe si rrjedhojë një nga qëllimet kryesore të kësaj Reforme është të ruajë parimet bazë të këtij arsimi të tilla si: parimin e mundësive të barabarta, parimin e konkurrencën së lirë mbi të gjitha, të qenit shërbim publik, pra të ketë akses nga të gjithë mbi bazën e meritës.

Në hartimin e Reformë nënvizohej, “Arsimi i Lartë në Shqipëri është dhe duhet të jetë SHËRBIM DHE E MIRË PUBLIKE, dhe si i tillë kërkon në mënyrë të vazhdueshme financim të pjesshëm dhe vëmendjen e shtetit.”

Arsimi i Lartë duhet të bazohet mbi parimin e MUNDËSIVE TË BARABARTA. Shteti e ka detyrim ligjor të ndihmojë për shkollim studentët që plotësojnë kriteret, por e kanë të pamundur financimin e studimeve të tyre”, thuhet ndër të tjera mbi qëllimin e Reformës së Arsimit të Lartë që nisi të zbatohej pesë vjet më parë.

Pesë vjet më parë kur në pushtet erdhi qeveria e majtë, një ndër vendimet e para të saj ishte mbyllja e një sërë universitetesh private që ishin përhapur me shpejtësi, dhe funksionin më tepër si “qendra biznesi” pa asnjë lidhje me oborret akademike, vendim që mori edhe pëlqimin e publikut. Por pesë vjet më vonë, është e paqartë sesi ka ecur puna me universitetet e mbetura dhe a është reformuar sot sadopak Arsimi i Lartë?

 Aranit Muraçi

Shpërndajeni me miqtë tuaj: