Studimi, 1 në 5 nxënës të prekur nga bulizmi

Studimi, 1 në 5 nxënës të prekur nga bulizmi
Bulizmi verbal për shkak të pamjes fizike, është forma më e përhapur. Në gjimnaze duket se ka zona të veçanta ku fenomeni është më i shprehur, të cilat cilësohen si zona të nxehta. Këshilli i Evropës ka hartuar edhe një raport në lidhje me përhapjen e këtij fenomeni dhe mënyrën e parandalimit

Sonila Isaku

“Ku je o bol”. “O ti 100 kilogramësh” kjo është mënyra sesi nxënësit e një gjimnazi i drejtohen shokut të tyre të klasës i cili është mbi peshë. Nuk janë vetëm këta nxënës të cilët tregojnë për mënyrën se si i drejtohen shokut të tyre, por të dhënat tregojnë se shumë të rinjve u drejtohen bashkëmoshatarëve me fjalë ofenduese, pa menduar për pasojat që shkaktojnë. Bulizmi verbal për shkak të pamjes fizike, duket se është forma më e përhapur e këtij fenomeni. Në gjimnaze duket se ka zona të veçanta ku fenomeni është më i shprehur, të cilat cilësohen si zona të nxehta. Këshilli i Evropës ka hartuar edhe një raport në lidhje me përhapjen e këtij fenomeni dhe mënyrën e parandalimit. “Një në pesë nxënës rezulton së është i përfshirë në këtë dukuri. Arsyeja pse ndodh ky fenomen është mbipesha, vështirësitë në të folët si dhe të qënit i dobët fizikisht, por edhe me mësime” pohon Delina Cici, eksperte. Psikologët pohojnë se shpesh herë viktimat e bulizmit e kanë të vështirë të hapen e për pasojë ata mbyllen në vetvete.

Studimi

Një studim i realizuar së fundmi ka treguar se rastet e bulizmit janë rritur ndjeshëm duke bërë që  një në 5 nxënës të shkollave të jetë i prekur nga dukuria e bulizmit. “Studimi zbuloi që 1 në 5 nxënës nga klasa 4 deri në klasën e 12 pohuan se janë prekur nga dukuria e bulizmit në shkollë. Afro gjysma e të prekurve vuajnë nga bulizmi psikologjik, rreth 35 për qind nga ai verbal dhe pjesa tjetër nga bulizmi fizik. Rezultatet e një studimi të treguan se indikatori i zënkave fizike ishte 29% (të paktën një herë muajin e fundit), i viktimizimit 19,8% (të paktën një herë muajin e fundit) dhe indikatori i bulizmit 33,7% (të paktën një herë muajin e fundit) sipas përgjigjeve të nxënësve” thuhet në studim. Të dhënat tregojnë se bulizmi është më shumë i pranishëm në klasat e 5 dhe të 11 dhe vendi ku ndodhin më shumë sjellje të tilla është klasa, kur mungon mësuesja 40 për qind, oborri i shkollës 40 për qind, madje rreth 20 për qind edhe në prani të mësuesve.

Sa u përket mësuesve të marrë në studim ata kanë pohuar se nuk ekziston një politikë specifike kundër bulizmit në shkolla dhe pjesa dërrmuese e tyre mbi 70 për qind e tyre nuk kanë marrë ndonjë trajnim se si të sillen me këtë dukuri. “Përgjigjet e mësuesve treguan se nxënësit bien pre e bulizmit mbi 70 për qind prej pamjes së jashtme, mbipesha, të dytët nxënësit me vështirësi në të folur dhe të tretët janë ata që janë më të dobët se sa të tjerët” thuhet në studim.

Këshilla

Të gjendur përballë këtyre situatave ekspertët rekomandojnë marrjen e një sërë masave në institucionet e arsimit parauniversitar. Ajo që kurohet është hartimi i procedurave dhe protokolleve standarde për të parandaluar ngacmimet mes nxënësve, si dhe këto procedura të jenë në vëmendjen e stafit, prindërve dhe fëmijëve . I gjithë personeli i shkollës,i cili duhet të edukohet nga drejtoritë arsimore në bashkëpunim me stafin e shëndetit mendor, duhet të jetë vigjilent për shenjat e dhunës psikologjike dhe të veprojë menjëherë dhe në mënyrë të vendosur kundër tij, në përputhje me politikën dhe protokollin e veprimeve, të hartuara paraprakisht. Drejtuesit e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare duhet të bëjnë propozime për edukimin e mësuesve në Universitete për këtë fenomen, futjen e disa temave mbi bulizmin në kurrikulat akademike të mësimdhënies.

 

Si do veprohet me fëmijët?

Ekspertët e shëndetit publik japin një sërë rekomandimesh për fëmijët e prekur nga fenomeni i bulizmit. Në institucionet shkollore ata duhet të inkurajohen për të raportuar çdo incident të ngacmimit tek një i rritur në shkollë ose në shtëpi, janë apo s janë ata të përfshirë direkt. Fëmijëve që u është ushtruar bulizmëm duhet të kenë mundësinë direkt të diskutojnë eksperiencën/ngjarjen e ndodhur me stafin akademik apo personelin shëndetësor në institucionin arsimor ku ata mësojnë. Po kështu këtyre nxënësve duhet tu jepet ndihmë për rivendosjen e vetë-respektit dhe vetë-besimit. Me personat që iu është ushtruar bulizmëm duhet diskutuar sinqerisht për çfarë ka ndodhur, ata duhen nxitur të punojnë me të rriturit për zgjidhje, si dhe për zbulimin e arsyeve të asaj që ndodh.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: