
Studentët e Arkitekturës dhe Urbanistikës kanë bojkotuar mësimin si dhe kanë zhvilluar një protestë 5 orëshe në kundërshtim të vendimit të qeverisë për pagesën prej 670 lekë/Kredit për provimet e mbartura si dhe vendosjen e ultimatumit nga ana e dekanatit për shlyerjen e tarifës vjetore deri në datë 15 dhjetor. Studentët kanë firmosur edhe një peticion, ku kërkuan heqjen e pagesës për provimet e mbartura, shtyrjen e afatit të pagesës së tarifës vjetore në fund të janarit si dhe krijimin e mundësisë për pagesën me këste të kësaj tarife.
Ndërkaq, një grup studentësh zhvilluan një takim me dekanin e fakultetit, i cili iu bëri me dije se pagesa për kreditet e provimeve të mbartura është përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, çka sipas tyre do të sjellë përshkallëzim të protestave edhe në fakultetet e tjerë, pasi prek të gjithë studentët. Deri më tani kjo pagesë ishte detyrim vetëm për studentët përsëritës dhe jo për çdo provim të mbartur nga viti në vit. Ndërkaq, studentët kanë paralajmëruar protesta të tjera në ditët në vijim.
Kërkesat e studentëve:
Heqje e pagesës prej 670 lekë/kredit për provimet e mbartura
Shtyrje e afatit të pagesës së tarifës vjetore në fund të janarit
Pagese me këste e tarifës vjetore