Stoltenberg, paralajmërim Kosovës për ushtrinë

Stoltenberg, paralajmërim Kosovës për ushtrinë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se Kosova “do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj”

Ai i bëri këto komente në përmbyllje të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, ku është diskutuar edhe për gjendjen në Ballkanin Perëndimor.

Parlamenti i Kosovës pritet të miratojë më 14 dhjetor ndryshimet ligjore që i hapin rrugë ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë dhe shndërrimit të saj në ushtri të Kosovës.

Sekretari Stoltenberg tha se ky proces po ndodhë në një “periudhë të papërshtatshme. Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s, dhe, mund të ketë pasoja serioze për integrimet e ardhshme euroatlantike të Kosovës”.

Ai tha që nëse Kosova përmbyllë transformimin e Forcës së Sigurisë, atëherë “NATO-ja do ta shqyrtojë angazhimin e saj rreth Kosovës”, por për këtë tha ai, duhet të vendosë Këshilli i Aleancës Veri-atlantike.

VOA

Shpërndajeni me miqtë tuaj: